E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali: Zgjedhjet e vjedhura nuk legalizohen, PS nuk është në ankand

 

Partia Socialiste ripë-rsërit qëndrimin e saj në lidhje me mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Anëtarja e Asamblesë së PS-së, Erisa Spiropali në një deklaratë për mediat ripërsëriti qëndrimin për mosnjohjen e këtyre zgjedhjeve. Gjithashtu, ajo i bëri thirrje kryeministrit që të mos kryejë diversion me PS-në. “Zgjedhjet e vjedhura nuk legalizohen, sepse populli nuk jeton për të mbajtur në kurriz një oborr të korruptuarish, që duan të korruptojnë çdo gjë dhe të mbretërojnë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Partia Socialiste nuk është në ankand dhe Sali Berisha nuk do mundë kurrë ta blejë opozitën reale dhe as të vendosë kryetarin e PS. Ne nuk e pranojmë rezultatin e zgjedhjeve dhe do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë popullit përfaqësimin e merituar në të gjitha rrugët demokratike në këtë betejë mes dy botësh. Fitorja e Saliut do të jetë disfata e tij”, deklaroi Spiropali. Asambleja e PS-së e mbledhur një javë më parë ka mbajtur u përplas ndërmjet qëndrimeve për të bojkotuar Kuvendin dhe për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këtë Asamble u paraqitën dy rezoluta të ndryshme, një nga kreu i PS-së, Edi Rama dhe tjera nga Ben Blushi së bashku me disa anëtarë, mbi të cilat njëra ishte për mos njohjen e zgjedhjeve. Në fund është rrëzuar teza e mos pjesëmarrjes në Kuvend, duke i fokusuar vetëm te mos njohja e zgjedhjeve. Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë prononcimeve për mediat ditë më parë, bëri të ditur se do të kërkonin që Kuvendi të marrë vendim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për procesin zgjedhor të 28 qershorit. Ndërsa një variant tjetër i bërjes së opozitës është edhe nisja e protestave. Socialistët pritet të përballen në fund të këtij gushti, pasi sipas statutit të PS-së duhet të zgjidhet kreu i PS-së. Ndërsa gjatë kësaj periudhe kërkohet që Edi Rama të japë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të PS-së, në respekt të statutit të PS-së, i cili e ka të përcaktuar në mënyrë automatike se në rast të humbjes së zgjedhjeve, kryetari jep dorëheqjen nga posti që mban.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›