E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet, rritje e fortë në muajin janar

Rritja e çmimeve ka ardhur për shkak të zhvlerësimit të kursit të lekut ndaj euros dhe dollarit amerikan
 
Në një kohë që kërkesa agregate në vend është në rënie, çmimet e mallrave të konsumit, në ndryshim nga vitet e mëparshme, kanë pësuar një rritje gjatë muajit janar. Një nga arsyet kryesore për rritjen e çmimeve të shportës është e lidhur ngushtë me zhvlerësimin e lekut ndaj euros dhe dollarit, efekt ky i akumuluar në muaj të tërë. Rritja e çmimeve në një kohë që treguesit e tjerë të ekonomisë janë në rënie, rëndon edhe më shumë situatën e konsumatorëve dhe veçanërisht shtresave të varfra. Sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja e çmimeve për mallrat e shportës është një nga efektet e dallgës së dytë të krizës, që pritet të vërë në vështirësi ekonomike më shumë se 30 për qind të popullsisë së vendeve në zhvillim. Në këtë kategori futet edhe Shqipëria, e cila vuan nga një diferencë në rritje midis shtresave të ndryshme sociale. Burimi i varfërisë në vendet si Shqipëri, sipas Bankës Botërore, po vjen fillimisht për shkak të humbjes në masë të vendeve të punës, si edhe rënies së remitancave, që mbeten faktor kryesor për sigurimin e ushqimit për një numër të madh familjesh në vend. Humbja më e madhe e vendeve të punës do të jetë në sektorin e ndërtimit, sipas BB-së, pasi studimi bën të ditur se rënia e këtij sektori llogaritet që të jetë e shpejtë edhe gjatë vitit 2010. Varfëria e rritur në shumë nga vendet me të ardhura mesatare ose të ulëta ka ardhur edhe për shkak të kolapsit në çmimet e ushqimit. Duke qenë se janë vende bujqësore dhe pjesa më e madhe e popullsisë jeton me anë të punës në bujqësi, rënia e çmimeve të këtyre prodhimeve pritet të vazhdojë të jetë prezente edhe në vitin 2010. Kjo ka çuar një pjesë të madhe të popullsisë drejt vijës së varfërisë.
***
2010-ta duket se nuk do të jetë një vit i mbarë për ata qytetarë të cilët kanë të ardhura të kufizuara për të bërë një jetë normale. Por ai do të jetë i vështirë edhe për ata që duan të kursejnë sadopak nga rrogat e tyre. Kjo, pasi të gjitha çmimet e produkteve ushqimore kanë shënuar një rritje galopante gjatë muajit janar dhe kjo tendencë do të vijojë edhe në muajt në vazhdim. Instituti i Statistikave ka konstatuar se inflacioni në këtë fillimviti ka arritur në nivelin 3.6 për qind, shumë pranë limitit 4 për qind, të lejuar nga Banka e Shqipërisë. Sipas përfaqësueses së INSTAT-it, Hazbie Bunguri, grupi i ushqimeve dhe i pijeve alkoolike shënuan një rritje prej 1.3 përqindësh, ku brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënoi nëngrupi i zarzavateve, përfshirë dhe patatet, por rritje kanë pësuar edhe çmimet e duhanit dhe karburanteve. E thënë në vlerë absolute, çmimet kanë shënuar rritje nga 20 lekë për produktet ushqimore, deri në mbi 100 lekë për zarzavatet. Qytetarët ankohen se me këto çmime menyja e tyre e tavolinës do të reduktohet ndjeshëm. Sipas Asime Kolonjës, qytetare e Tiranës, një kg spinaq ka arritur në 200 lekë, një çmim ky i papranueshëm për këtë sezon. Ndërkohë që edhe perimet e tjera, si preshi, apo ushqimet e importit, si sheqeri, orizi apo vaji janë rritur. Ajo që parashikohet të ndodhë, është se në muajin shkurt inflacioni do të vijojë të rritet, për shkak edhe të reflektimit të tarifave të reja të energjisë elektrike, pasi fatura e konsumit të janarit reflektohet në muajin pasardhës. Nëse kësaj situate do t’i shtohen edhe pagesat që kryejnë qytetarët e pasiguruar për shërbimet spitalore, të cilat nuk janë të përfshira, atëherë norma e inflacionit do të ishte edhe më e lartë. Ndikim në këtë situatë ka dhënë forcimi i euros dhe çmimet e larta të importit, por edhe mungesa e prodhimit vendas. Tendenca e rritjes së inflacionit ka nisur që në muajin dhjetor, kohë e cila njihet si një periudhë që çmimet rriten në mënyrë artificiale, për shkak të festave të fundvitit.
 
 

Krizë dhe rritje çmimesh
Sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja e çmimeve për mallrat e shportës është një nga efektet e dallgës së dytë të krizës që pritet të vërë në vështirësi ekonomike më shumë se 30 për qind të popullsisë së vendeve në zhvillim. Në këtë kategori futet edhe Shqipëria, e cila vuan nga një diferencë në rritje midis shtresave të ndryshme sociale
 
 
Eksportet / Dyfishim brenda një muaji
 
Berisha: Shqipëria, e vetmja në botë me rritje ekonomike 9 % për vitin 2010
 
Pas shumë dilemash dhe parashikimesh, tryezash dhe përplasjesh për ecurinë ekonomike të vendit, kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar ka hedhur poshtë të gjitha deklaratat e bëra që nga ministri i Financave e deri te specialisti i fundit në qeveri, ku vlerësohet se viti 2010 do të paraqesë një zhvillim të reduktuar. “Këto ditë po lexoja parashikimet e njërës prej bankave më të mëdha dhe më serioze të Europës dhe vlerësimet për ekonominë shqiptare ishin më maksimalet. Sipas vlerësimeve të bankës “Uni Credit”, ndër më kryesoret në Europë, Shqipëria këtë vit do të ketë një rritje rreth 9 për qind. Kur e lexova para dy ditësh përshëndeta parashikimin optimist, por gjithashtu urova që ta kemi, por kur shoh këto statistika, them me bindje se parashikimi do të jetë një realitet. Po kjo bankë jep një rritje prej 7 përqindësh për vitin 2009. Megjithatë, eksporti dhe rritja e tij në një ekonomi si kjo e jona, e cila nuk ka si më qëllimin kryesor rritjen e eksporteve, është jashtëzakonisht domethënëse. Reformat e këtij vendi janë konsoliduar. Kjo do të thotë punësim dhe garanci për vendet e punës, për kontingjentin më të madh të të punësuarve në sektorin privat. Rieksportet janë mallrat të cilat vijnë për t’u përpunuar në Shqipëri dhe më pas rieksportohen. Shumica janë prodhimet e këpucëve, tekstilet dhe të tjera. Edhe ato kanë një rritje të admirueshme, por rëndësinë kryesore e ka eksporti i vendit. Ai tregon forcën e ekonomisë së vendit, por për hir të së vërtetës edhe në sektorin e rieksportit, ku janë mbi 100 mijë shqiptarë të punësuar, pritet një vit i bardhë, i bardhë si dëbora e Dajtit, të cilën pata kënaqësinë e madhe ta shijoja. Duhet ta dini se nga të gjitha bulevardet e natyrës, për mua dëbora është bulevardi i të gjitha bulevardeve”, tha Berisha. Rritja ekonomike e dhënë nga kreu i qeverisë është tri deri në katër herë më e lartë se parashikimi më optimist i Fondit Monetar Ndërkombëtar apo Bankës Botërore për Shqipërinë. Por parashikimi është gati tri herë më i lartë edhe si ai i bërë nga vetë Ministria e Financave për vitin 2010. “Rieksportet në vitin 2009 kanë qenë 6,2 mijë tonë, me një vlerë prej 5,2 miliardësh. Në vitin 2010 vlera e tyre është rritur në 6 miliardë. Pra, ka një rritje në muaj prej 800 milionësh dhe një rritje prej rreth 17 apo 18 përqindësh krahasuar me janarin e viti të kaluar, çka do të thotë se ka një shtim të sigurt të vendeve të punës dhe punësim në këtë sektor shumë punësues. Ky është sektori më punësues në Shqipëri krahasuar me sektorët e tjerë. Mund t’ju them këtu, se të tilla janë edhe të dhënat e bankave, të cilat kanë pasur një rikthim të shpejtë të depozitave. Të nderuar deputetë, ky është një fillim shumë i mbarë! Ekonomia shqiptare është entuziaste, ndofta nuk kam statistika të tjera, por jam i sigurt se nuk ka vend tjetër që shënon dyfishimin e eksporteve në janarin e 2010-ës. Pra, nis një vit shumë i mbarë”, ka sqaruar Berisha.
 
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›