Emigrantët nxjerrin 3 milionë euro nga Shqipëria
Trendi rënies i të ardhurave nga emigrantët ka vijuar edhe këtë vit, duke dëshmuar edhe njëherë se ky burim financimi mjaft i rëndësishëm për ekonominë shqiptare është drejt shterimit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga emigrantët shënuan 153 milionë euro, nga 160 milionë euro remitanca të ardhura në tremujorin e parë të 2010. Mirëpo, emigrantët jo vetëm që kanë sjellë më pak të ardhura, por kanë tërhequr nga llogaritë e tyre në bankat shqiptare. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, u transferuan 3 milionë euro jashtë vendit nga llogaritë e emigrantëve. Sipas shifrave zyrtare, rreth 30 për qind e popullsisë shqiptare është në emigracion ose gati 1 milion. Në tre vitet e fundit, remitancat kanë ndjekur një prirje të qartë rënëse, nga 14.6 për qind të PBB-së që ishin në vitin 2005, në rreth 10.6 për qind në vitin 2008. Në terma vjetorë, në vitin 2008 remitancat shënuan një rënie prej rreth 6 për qind kundrejt vitit 2007. Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, emigrantët sollën 361 për qind në fund të vitit 2009, në krahasim me vitin 2008. Gjithashtu rënia është thelluar edhe më tej gjatë vitit 2010, në krahasim me vitin 2009. Për më shumë se, një dekadë të ardhurat nga emigrantët kanë qenë burimi themelor i financimit të ekonomisë shqiptare, duke kompensuar kështu deficitet e krijuara në llogarinë korente dhe sidomos atë të krijuar nga tregtia e mallrave. Mirëpo, qeveria dhe Banka e Shqipërisë janë të vetëdijshme për këtë tendencë. Për t’i paraprirë efekteve që mund të ketë në ekonomi ky fenomen, autoriteti qendror bankar ka ndërmarrë një nismë për të hartuar një model të ri të zhvillimit ekonomik. Modeli që po asistohet nga Universiteti i Oxfordit, pritet të vërë në themel zhvillimin e eksporteve shqiptare drejt Bashkimit Europian. Ndërkohë që, sipas parashikimeve të Bankës Botërore, vëllimi i dërgesave pritet të jetë i paqëndrueshëm për sa kohë treguesit e punësimit dhe të të ardhurave në vendet e zhvilluara të jenë në rënie. Sipas studimeve të ndryshme, remitancat kanë qenë shkaku i vetëm i reduktimit të shpejtë të varfërisë në Shqipëri gjatë njëzet viteve të fundit. Familjet që kanë emigrantë jashtë vendit dhe që marrin dërgesa prej tyre, zakonisht jetojnë në zona të varfra, kanë pak burime jetese dhe kanë pak ose aspak akses në treg. Numri i familjeve që jetojnë në varfëri relative dhe ekstreme (përkatësisht familjet me të ardhura nën 2 dhe 1 dollarë në ditë për frymë), ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Në vitin 1998, 25 për qind e shqiptarëve jetonin në varfëri, ndërsa sot, jetojnë rreth 12.5 për qind. Emigrimi masiv dhe remitancat qenë shkaku kryesor i reduktimit të varfërisë, për shkak se numri i të punësuarve në vend ka qëndruar pothuajse i pandryshuar gjatë dekadës që lamë pas. Sipas statistikave të Bankës Botërore, Shqipëria është një nga vendet me varësi më të madhe e të ardhurave nga emigracioni. Shqipëria nuk është më vetëm në listën e vendeve që merr remitanca, por edhe në listën e vendeve që dërgon. Për periudhën janar- mars të këtij viti, emigrantët kanë tërhequr nga llogaritë e kursimit në Shqipëri një shumë prej 3 milionë eurosh.