FMN i bllokon fondet Kosovës: Rriti pagat jashtë parashikimeve
Ndërprerja e ndihmave për Kosovën këtë vit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar do të thellojë krizën financiare në Kosovë, parashikojnë ekspertët. Përfaqësuesit e qeverisë janë optimistë se do ta bindin FMN-në për 2012-n. Ekspertët e çështjeve ekonomike parashohin krizë të thellë buxhetore për Kosovën, e cila do të ndjehet në fundin e këtij viti e sidomos gjatë vitit 2012. Arsye është përjashtimi i Kosovës për vitin 2011, nga përfitimi i fondeve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. 156 milionë euro kishte planifikuar Kosova në buxhetin e saj - ndihmë nga FMN-ja, por për shkak se qeveria e Kosovës nuk iu përmbajt rekomandimeve të këtij mekanizmi për mosrritje të shpenzimeve, vendi u përjashtua nga ndihmat. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, thotë se megjithëse për këtë vit ka mungesë fondesh në buxhetin e Kosovës nga FMN, qeveria do të arrijë të ruajë stabilitetin fiskal. Kjo do të bëhet me një rishikim rigoroz të buxhetit, duke ulur vazhdimisht shpenzimet. Strategji, që sipas tij, përfshihet në një marrëveshje të re me FMN. “Kosova aktualisht ka një trend pozitiv të të hyrave, ka inkasuar më shumë të hyra sesa ka shpenzuar dhe ajo që mund të ndodhë, është që bilanci bankar nga 476 milion të parapara me buxhet, me marrëveshjen e re me FMN, kemi rënë dakord që ky bilanc bankar të jetë rreth 300 milionë euro”, thotë Bedri Hamza. Sipas ministrit Bedri Hamza, nëse kjo marrëveshje e re me FMN- arrihet të respektohet në tërësi, hapet mundësia që Kosova sërish në fillim të vitit 2012 të ketë qasje në fondet e FMN-së. Mosmarrëveshjet e Kosovës me FMN-në, që rezultuan me humbjen e ndihmave për Kosovën, kanë pasur të bëjnë me shpenzimet për vitin 2011, në veçanti rritjen e pagave për shërbyesit civilë. Vitin e kaluar, qeveria e Kosovës kishte rënë dakord me FMN, që pagat në sektorin publik të rriten me 7-8 për qind, por këto pagesa janë ngritur mbi 30 për qind. Edhe Komisioni Europian ka theksuar rëndësinë e disiplinës fiskale për Kosovën, si parakusht për një mjedis stabël makroekonomik dhe të investime.