E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca: Hetim i thelluar tregut të bukës në Vlorë për 30 subjekte

Autoriteti i Konkurrencës, pas hetimit paraprak të tregut të bukës në qytetin e Vlorës, ku vërejti se çmimi i bukës ishte rritur në bllok nga furrtarët e qytetit, ka vendosur të nisë hetimin e thelluar të këtij tregu për 30 subjekte. Sipas Konkurrencës, të dhënat e procedurave hetimore kanë rezultuar se ishte një njoftim publik për rritjen e menjëhershme të çmimit të produktit bukë masive në qytetin e Vlorës, e cila në kuptim të ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës” i ndryshuar është një marrëveshje e ndaluar “për se” që kufizon Konkurrencën në tregun përkatës. Nga informacioni i administruar gjatë procedurës së hetimit paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës, rezulton se prodhuesit e bukës në qytetin e Vlorës janë mbledhur më datë 21.03.2011, gjë e cila vërtetohet nga procesverbalet e mbajtura më datë 28.03.2011 nga Grupi i Punës. Në këtë mbledhje të disa prej prodhuesve dhe ofruesve të produktit përkatës, ku është tentuar të përfshihen të gjithë konkurrentët në qytetin e Vlorës, është vendosur rritja e menjëhershme e çmimit të bukës masive, duke sjellë si argument rritjen e çmimit të lëndës së parë, karburantit, energjisë elektrike, ambalazhit etj. Gjithashtu ka rezultuar se në këtë mbledhje prodhuesit e bukës të qytetit të Vlorës vendosën të rrisnin çmimin e bukës masive 900 gr në 120 lekë dhe të bukës masive 450 gr në 60 lekë, duke filluar nga data 23.03.2011. Gjithashtu pas mbledhjes në furrat e bukës të qytetit të Vlorës është shpërndarë njoftimi se “Shoqata e furrave të bukës Vlorë vendosi në datën 21.03.2011 që buka në datën 23.03.2011 të ketë këtë çmimin 900 gr = 120 lek dhe 450 gr = 60 lek”.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se prodhuesit e bukës kanë fiksuar çmimin e shitjes së produktit bukë masive 900 gr në 120 lekë dhe bukë masive 450 gr në 60 lekë.

Dhe në bazë të nenit 4, pika 1, gërma (a), të Ligjit 9121, datë 23.07.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, kjo sjellje mund të përbëjë kufizim apo shtrembërim të konkurrencës në treg, duke caktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes së bukës.

Dhe për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, në mbështetje të nenit 24, shkronja d) dhe nenit 43, pika 1, të Ligjit Nr .9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, si dhe në nenin 12 dhe nenin 21, pika 4, të Rregullores “Për funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës”, me propozim të Sekretariatit, vendos hapjen e hetimit të thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës 900 gr dhe 450 gr në qytetin e Vlorës, për ndërmarrjet që kanë zbatuar marrëveshjen për fiksimin e çmimit për 30 subjekte.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›