Biznesi: Pengohet tregtia me Kosovën, shkak vonesat në doganë
Biznesi shqiptar shqetësohet për tregtinë me Kosovën. Vonesat në doganë rrisin kostot e transportit e në këtë mënyrë ulet ndjeshëm fuqia e konkurrencës së prodhimeve. Konfederata e Industrive të Shqipërisë (Konfindustria) ka reaguar dje në lidhje me problemet që kanë shfaqur kohët e fundit bizneset shqiptare dhe kosovare, në pikat doganore të dy vendeve. Në emër të Konfindustrisë, administratori i saj, Buxhuku, ka kërkuar nga institucionet përkatëse publike doganore të 2 vendeve, përmirësimin sa më të shpejtë të gjendjes krejtësisht të papranueshme, duke pasur parasysh, sipas tij, se koha është pjesë kryesore e kostove të transportit dhe shpërndarjes së prodhimeve dhe shërbimeve, vonesat në kufirin e përbashkët Shqipëri-Kosovë i japin goditje të rënda, afatgjatë dhe të njëkohshme ekonomive të dy vendeve. Gjergj Buxhuku ka deklaruar se tarifat e larta po dëmtojnë tregun prej 7 milionësh. “Rritja e paarsyeshme e kostove të transportit, si pasojë e vonesave doganore, vetëm për shkaqe lehtësisht të parashikueshme dhe të zgjidhshme është goditje e pastër, që i jepet krijimit të Tregut të Përbashkët Shqiptar prej 7 milionë konsumatorësh, si qëllimi strategjik dhe mundësia më e mirë për zhvillim ekonomik të shpejtë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës”, shprehet ai. Buxhuku e vë theksin te rritja e kostove të shpërndarjes dhe transportit, që sipas tij ulin ndjeshëm fuqinë konkurrenciale të prodhimeve dhe shërbimeve të Shqipërisë dhe Kosovës, duke i dhënë përparësi vendeve të treta konkurrente në tregti, në rajon dhe më gjerë. “Duhet të kemi parasysh, se me uljen e fuqisë konkurruese të mallrave dhe shërbimeve të përbashkëta, jepet një goditje tjetër në uljen e masës së përgjithshme të shkëmbimeve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë ai. Sipas tij, vonesat e vazhdueshme janë të shkaktuara kryesisht në pikën doganore të Morinës në Kukës. Në të njëjtën kohë, Buxhuku gjykon se për shkak të vonesave në doganë, rruga e re Durrës-Kukës nuk ka sjellë shkurtim të kohës për bizneset, duke mos i favorizuar ata. “Është krejtësisht e papranueshme, që tashmë infrastruktura fizike rrugore, që lidh bizneset e Shqipërisë dhe Kosovës, të jetë e ndërtuar dhe koha e përgjithshme e transportit të mbetet pothuajse e njëjtë si përpara ndërtimit të Rrugës së Kombit vetëm për shkaqe njerëzore lehtësisht të tejkalueshme”, shprehet ai.
Ka kohë që tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre me Kosovën, kryesisht me furgonë mallrash, hasin vështirësi jo vetëm në shërbimin doganor të Vërmicës, por dhe në thellësi të Kosovës, në pikat e furnizimit me shumicë dhe pakicë, si dhe në postblloqet që ngrenë njësitë task-force të doganës së Kosovës dhe njësive të policisë. Tregtarët përballen jo vetëm me taksa të larta në doganë, por dhe me bllokime mallrash dhe automjetesh në Kosovë. Shërbimet doganore, si në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë shtuar kërkesat, pasi nuk tolerojnë kalim mallrash pa zhdoganim. Por një mënyrë e tillë është një peshë e rëndë, sidomos për tregtarët ambulantë, të cilët kanë falimentuar ose kanë lënë punën. Si rrjedhojë, bllokimi i mallrave nga Kosova sjell menjëherë rritje të çmimeve në tregun e Kukësit. Në këtë mënyrë, tregtia mes dy vendeve po bëhet gjithmonë e më e vështirë.