Emigrantët, radha arrin në 2 kilometra
Emigrantët e ardhur nga Greqia në atdhe me rastin e festës së Pashkëve, nuk u shpëtojnë radhëve në kthim për në vendin fqinj, tani që kanë nisur të kthehen në vendet e tyre të punës. Fluksi i të ardhurve me rastin e kësaj feste fetare e ka bërë të pashmangshme edhe dyndjen e tyre në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, e si rrjedhim edhe pritjen e tyre me orë të zgjatura për të kryer procedurat e kalimit të kufirit për në Greqi. Në Doganën e Kapshticës, radhët e zgjatura të mjeteve dhe qëndrimi i emigrantëve në pritje për të kaluar kufirin janë shfaqur këtë fundjavë dhe sidomos ditën e diel, kur ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh për në drejtim të shtetit fqinj. Vargu i automjeteve të vogla, e krahas tyre edhe i autobusëve, ka arritur përtej doganës së vjetër të Kapshticës, deri në afërsi të pikës së GOS-it, në një gjatësi afro 2 kilometra. Dhjetëra e dhjetëra mjete kanë qëndruar për disa orë në pritje gjatë paradites të së dielës e më pas për të kaluar kufirin për në Greqi nga dyndja masive e emigrantëve për të udhëtuar drejt Greqisë. Autoritete të policisë kufitare në Kapshticë thanë se kjo gjendje e krijuar në këtë pikë të kalimit kufitar ka ardhur jo vetëm nga numri i madh i emigrantëve që po kthehen në Greqi pas festës së Pashkës, por edhe për faktin se ata kanë zgjedhur të udhëtojnë për në shtetin fqinj një ditë para se atje të fillojë shkolla. Emigrantët e ardhur për Pashkë së bashku me fëmijët e tyre, pasi kanë qëndruar disa ditë në vendlindje, kanë vendosur me sa duket që një ditë para se të fillojë procesi mësimor në Greqi, të udhëtojnë për atje me qëllim që të jenë në kohë për fillimin e shkollës për fëmijët e tyre.