Sarandë, bariu 27-vjeçar vetasgjësohet me dinamit
Depresioni ekstrem sërish ka marrë jetë. Ai që i ka dhënë fund jetës, për shkak të gjendjes së thellë depresive, ka qenë një 27-vjeçar me banim në fshatin Berdenesh, 4 km larg qytetit të Sarandës. Trupi i tij është gjetur në krevatin dopio të banesës së tij, një shtëpi private në ndërtim. Burimet policore thanë se vetëvrasja ka ndodhur në rrethana ende të pasqaruara plotësisht. Organet e specializuara të sektorit kriminalistik kanë pohuar për "Shqip" se vetëvrasja e 27-vjeçarit përbën një akt të vërtetë kamikaz. 30 cm larg cepit të krevatit, në dysheme është gjetur një kunj shkrepëse gjysmë e djegur, ndërsa në dorën e majtë kutia e shkrepëses, me të cilën mendohet se ka bërë ndezjen e fitilit plasës. 27-vjeçari Nasip Alikaj, thanë burimet, është mbyllur në dhomë në kohën që njerëzit e tjerë të shtëpisë kanë qenë duke mbyllur bagëtinë dhe ka shkaktuar vetasgjësimin me lëndë plasëse, të cilën mendohet që pasi e ka ndezur, e ka futur në gojë. Një pincë e gjetur pranë frigoriferit të dhomës i ka bërë inspektorët kriminalistë të mendojnë se tentativa e parë e viktimës ka qenë për t‘i dhënë fund jetës ndoshta përmes hyrjes në rrjetin elektrik, por as nuk ka mundur ta realizojë, ose ka ndërruar mendje. Gjithashtu ata thanë se veprimet janë kryer nën efektin e alkoolit, që mendohet se ka konsumuar në sasira të mëdha, pasi mbi komodinën pranë krevatit u gjet një shishe "Coca-cola" e zbrazur nga rakia. Kanë qenë vetë familjarët që kanë parë skenën makabre të vetasgjësimit të 27-vjeçarit, pasi kanë dëgjuar zhurmën e shpërthimit të lëndës plasëse. "E paguam shtrenjtë ardhjen nga Golemi në Sarandë", janë shprehur familjarët e vënë përballë vdekjes tronditëse të njeriut të shtëpisë, i cili ishte baba i një djali, me të cilin bashkëjetonte pas divorcit me ish-bashkëshorten. Burimet thanë se ai kishte kohë që përballonte një gjendje depresive. Nën efektin e sëmundjes së depresionit të thellë, Nasip Alikaj i ka dhënë fund jetës. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Viktima është gjetur pa jetë në krevatin dopio të dhomës së gjumit. Trupi është gjetur pa pjesën e kokës, e cila është dëmtuar plotësisht dhe nën veprimin e fuqisë eksplozive është shkëputur nga trupi. Vetëvrasja e tij i përngjan një akti të vërtetë kamikaz, të ndërmarrë në kushtet e depresionit të thellë.