Radhë për pasaporta në Korçë, bashkia fajëson kompaninë
KORÇË- Radhë të gjata në pritje të aplikimit për pasaporta biometrike në qytetin e Korçës. Në dyert e qendrës shef përditë dhjetëra qytetarë në pritje, të cilët shprehen të pakënaqur se nuk mbarojnë dot punë. Shkak mësohet të jetë bërë kufizimi i operatorëve që punojnë në këtë zyrë, pasi nga 8 që ishin në fillim janë reduktuar në 2 vetë. Më shqetësuese kjo situatë është veçanërisht për emigrantët, të cilët kërkojnë të kryejnë sa më parë aplikimet për t'u kthyer në vendet e punës.
Gjatë një prononcimi për mediat nënkryetari i baskisë, Arjan Bejko për situatën e krijuar ka fajësuar kompaninë Aleat. "Me dy operatorë nuk mund të bëhet aplikimi nga ana e qytetarëve, të cilët në këto ditë janë shtuar për shkak të ardhjes së emigrantëve", ka theksuar ai.
Bejko shprehet se bashkia i ka kërkuar kompanisë që të rritë numrin e operatorëve për të përballuar kërkesat e qytetarëve. Sipas tij, bashkia sipas marrëveshjes siguron vetëm ambientin dhe komoditetin për shërbim të qytetarëve.