Shtypi kosovar: Kryeministri Berisha, përzihet në Kosovë
"Pasi e bindi Ramush Haradinajn se është politikan i djathtë, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i konfirmoi LDK'së së është lidere e së djathtës në Kosovë. Por kush i jep të drejtë Kryeministrit Berisha që më kaq pasion të përzihet në politikën e brendshme në Kosovë dhe sipas kujt Berisha është barometër i përcaktimit të politikave të djathta. Përndryshe, ai është në shtrat me një parti majtiste". Kështu shkruan sot shtypi kosovar, duke komentuar takimin e fundit te Berishës me përfaqesues te LDK-se.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka shfaqur indikacione për t'u përzier në zgjedhjet e sivjetme lokale në Kosovë, duke u pozicionuar qartësisht krahë partive të deklaruara si të Djathta.
Ditë më parë ai takoi Liderin e AAK'së, Ramush Haradinajn, me të cilin nënshkroi një memorandum bashkëpunimi, derisa qershizën mbi tortë Kryeministri shqiptar e vuri të mërkurën, në një takim me drejtuesit e LDK'së.
Në komunikatat për media që lëshuan Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Kryesia e LDK'së, shfaqet dëshira e Kryeministrit shqiptar që LDK të fitojë në zgjedhjet e 15 Nëntorit.
"Sot, në Tiranë, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, njëherësh Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dr. Sali Berisha, rikonfirmoi mbështetjen e tij të parezervë për zhvillimin e mëtejmë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe interesimin e tij të thellë që LDK'ja, si parti lideriste e djathtë në Kosovë, t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare", thuhet në një komunikatë për media të LDK'së, të lëshuar pas takimit të Kryeministrit Berisha me drejtuesit e LDK'së - Nënkryetarët Eqrem Kryeziun dhe Lutfi Hazirit dhe Sekretarin e Përgjithshëm Ramë Manajn.
Nëse mund t'i besohet citimit të drejtë të deklaratave të Kryeministrit Berisha nga ana e Zyrës për Informim të LDK'së, atëherë ky është rasti i parë kur politikanët e Shqipërisë deklarohen hapur në mbështetje të një partie politike.
Në komunikatën e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, ndërkaq, nuk thuhet direkt se Kryeministri Berisha ka shfaqur dëshirën e tij që zgjedhjet e sivjetme lokale t'i fitoi LDK. Por edhe aty, ai jep mendimet e tij për proceset që do t'i ndihmonin rimëkëmbjes së LDK'së.
"Më tej, biseda u përqendrua në bashkëpunimin midis dy partive politike, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e tij për t'i dhënë LDK'së ndihmë pa rezervë, sikurse vuri theksin në nevojën e bashkimit të grupimeve të ndryshme politike në Kosovë si mënyra më e mirë që LDK'ja të arrijë rezultate pozitive", thuhet në komunikatën e Qeverisë së Shqipërisë.
Me "bashkim të grupimeve të ndryshme politike", Kryeministri Berisha duket se nënkupton bashkimin e subjekteve politike në Kosovë, të deklaruara si parti të Djathta, siç është LDD apo AAK.
Sali Berisha gëzon një reputacion të jashtëzakonshëm në Kosovë, që nga koha kur hyri në politikë, në fillim të viteve '90. Ai është parë gjithnjë me simpati në Kosovë, ndryshe nga kundërshtarët e tij të Majtë në Shqipëri.
Në këtë kontekst tingëllon edhe komunikata e LDK'së.
"Ata theksuan po ashtu përkushtimin e LDK'së që të punojnë në jetësimin e mëtejmë të konceptit të djathtë politik, të trashëguar nga veprimi i saj më se njëzetvjeçar, si dhe angazhimin e saj, sikur edhe më herët, për bashkëpunim me të gjitha partitë politike shqiptare, veçanërisht me partitë e djathta politike", thuhet në komunikatë.
Si në komunikatën e LDK'së, ashtu edhe në atë të Qeverisë së Shqipërisë, flitet për rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, e ku qeveritë janë lehtësuese, e jo penguese të këtij bashkëpunimi.
"Dy qeveritë, tha Kryeministri, duhet të shërbejnë si dy mundësi dhe jo si pengesa për qytetarët dhe se duhet të merren veprime konkrete në njehsimin e sistemit të doganave, financave, arsimit, etj., me modelin e vendeve të Bashkimit Europian. Kryeministri theksoi se kombi duhet të ndjehet një, duke respektuar pavarësinë e Kosovës", thuhet në komunikatën e Qeverisë së Shqipërisë.
Partitë politike në Kosovë, veçmas LDK dhe AAK, po përpiqet ta shfrytëzojnë reputacionin e madh që ka Sali Berisha në Kosovë për të mbledhur vota.