E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, grabitet me armë pika e shitjes së gazit

VLORË- Grabitet me armë pika e furnizimit me gaz të lëngshëm në fshatin Nartë të Vlorës. Dy persona të armatosur kanë hyrë në mjediset e firmës së shitjes së gazit “Kalaja Gaz” dhe pasi kanë lidhur rojën e saj në karrige, kanë grabitur rreth 60 mijë lekë të reja. Grabitja është zbuluar rreth 30 minuta më pas por policia nuk ka mundur që të gjejë asnjë gjurmë të dy personave të maskuar. Mëngjesin e djeshëm, në policinë e Vlorës janë shoqëruar shtatë persona të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje por ende nuk është vendosur se çfarë do bëhet me ta. Pika e furnizimit me gaz që është grabitur mesnatën e djeshme është në pronësi të Ilir Brokajt, vëllait të deputetit të LSI-së Sabit Brokaj.
Burimet e policisë pohuan se në orët e mbrëmjes të së premtes, në pikën e shitjes me shumicë të firmës “Kalaja Gaz” ndodhej vetëm roja i saj. Zakonisht në orët e natës në këtë pikë ndodhet vetëm një roje dhe pikërisht ky fakt është shfrytëzuar nga grabitësit. Pak para se ora të shënonte 24.00, dy persona të maskuar dhe me armë në duar kanë hyrë në mjediset e kësaj firme. Ata kanë kaluar murin rrethues pa u parë nga askush dhe kanë hyrë në kabinën e rojës duke i vënë këtij të fundit pistoletën tek koka. Edhe pse roja ishte i armatosur, ai nuk ka pasur asnjë mundësi që të reagojë por është dorëzuar. Dy grabitësit e maskuar i kanë marrë rojës armën e shërbimit dhe më pas e kanë lidhur atë në një karrige brenda dhomës së tij. Më pas të dy grabitësit, të siguruar mirë se roja nuk kishte më mundësi t’i pengonte në planin që ata kishin menduar për të grabitur pikën e gazit, kanë kontrolluar nëpër sirtarët e njërës prej zyrave të firmës dhe kanë mundur të grabisin prej andej një shumë të hollash prej 60 mijë lekësh të reja.
Pasi kanë grabitur pikën e gazit, të dy personat e maskuar, që sipas policisë dhe rojës së objektit, mosha e tyre varion nga 25 deri 28 vjeç, kanë mundur të largohen pa u diktuar nga asnjë person. Kjo për vetë faktin se pika ku janë të vendosur dhe depozitat e gazit të firmës “Kalaja Gaz” është jashtë qendrës së banuar të fshatit Nartë. Rreth 30 minuta pas grabitjes, firma e ruajtjes së objekteve, e cila kishte dhe pikën e gazit në ruajtje ka dyshuar për një grabitje të mundshme pasi punonjësi i tyre nuk përgjigjej në apelin e zakonshëm në radio. Ata janë alarmuar dhe kanë njoftuar policinë e Vlorës, e cila ka nisur një patrullë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Kur efektivët e policisë kanë hyrë në kabinën e rojës, e kanë gjetur atë të lidhur me litar në karrigen e tij. Më pas roja i ka treguar se çfarë kishte ndodhur. Efektivët e policisë kanë kontrolluar tërë zonën përreth karburantit por pa rezultat. Më pas ata kanë marrë ato pak gjurmë që kishin lënë grabitësit në vendin e ngjarjes.Pas marrjes në pyetje të pronarëve të firmës, hetuesit vlonjate kanë mësuar se paratë e vjedhura ishin xhiroja ditore e pikës së karburantit. Hetimet e para i kanë shpënë ekspertët tek një numër i kufizuar të dyshuarish për ngjarjen. Burimet zyrtare pohuan dje se kanë shoqëruar në komisariat shtatë persona, banorë të fshatit Nartë dhe lagjes Pusi i Mezinit. Por hetuesit nuk kanë arritur ende që të identifikojnë autorët e grabitjes me maska. Burimet e grupit hetimor pohuan se dyshojnë për një grabitje të organizuar prej kohësh pasi personat e maskuar kanë shfrytëzuar më së miri intervalin që ka roja për tu përgjigjur në radio.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›