Trafiku i klandestinëve, arrestohen dy shoqëruesit
SARANDË- Policia e Sarandës ka arrestuar mbrëmjen e djeshme dy persona që po transportonin ilegalisht për në Greqi gjashtë emigrantë. Burimet zyrtare të policisë lokale pohuan se një patrullë ka ndaluar një furgon të dyshimtë në vendin e quajtur “Ura e Kranesë”, disa kilometra larg Delvinës. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, policia ka konstatuar se ndodheshin gjashtë persona nga Lushnja, të cilët po tentonin të kalonin ilegalisht për në Greqi. Policia e Sarandës, pas verifikimit të dokumenteve, ka shoqëruar të gjashtë personat në komisariat me akuzën e tentativës së kalimit të paligjshëm të kufirit. Ndërkohë policia ka bërë edhe arrestimin në flagrancë të Astrit Zigurit, 36-vjeç, lindur në Delvinë dhe banor i fshatit Stjar dhe Bilbil Sharkës, 39-vjeç, lindur dhe banor i fshatit Hysgjokaj të Lushnjës. Të dy personat e arrestuar ishin shoqëruesit e gjashtë lushnjarëve që po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin. Burimet zyrtare të policisë pohuan se ndaj tyre rëndon akuza e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 298 e 25 të Kodit të Procedurës Penale. Nga hetimet e para mësohet se të gjashtë shtetasit ishin grumbulluar në rrethinat eLushnjes nga Bilbil Sharka dhe me furgonin e Astrit Zigurit, do të transportoheshin drejt kufirit me Greqinë nga fshatrat e Sarandës. Burimet policore bëjnë të ditur se nga marrja në pyetje e gjashtë klandestinëve, ata kanë treguar se kishin paguar për këtë shërbim nga 900 euro secili. Bashkë me arrestimin e dy shtetasve, dokumentacioni i të cilëve i kaloi prokurorisë së rrethit, policia bëri edhe sekuestrimin e furgonit të Astrit Zigurit.