Hetim 55- vjeçarit për falsifikim pijesh alkoolike
DURRËS- Një 55- vjeçar nga Durrësi, që ishte nën hetim për falsifikim të dokumenteve zyrtare për qëllime përfitimi, akuzohet tashmë dhe për prodhim të pijeve alkoolike të falsifikuara. Deshir Beshiri, 55 vjeç, banor i lagjes nr. 6 në Durrës, u arrestua të shtunën pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti katër kontrata pune italiane me fotografi dhe një certifikatë, 59 shishe 0.75 litërshe me verë, e cila ishte e falsifikuar me emrin KOKLA, 72 bidonë me gjashtë litra verë secili dhe 920 pulla fiskale. Të njëjtat burime saktësuan se Beshiri ishte denoncuar gjashtë muaj më parë se kishte mashtruar katër qytetarë nga Durrësi dhe Shijaku duke i pajisur ata me kontrata pune italiane të falsifikuara, me fotografi, kundrejt shpërblimit 3500 euro nga secili. Gjatë hetimeve lidhur me këtë çështje, 55-vjeçari e kishte mohuar kategorikisht një gjë të tillë, por kontrolli i sotëm në banesën e tij vërtetoi të kundërtën, madje dhe një aktivitet tjetër të paligjshëm të tij.