Emigrantët stabilizojnë kursin e këmbimit në gusht
Java e dytë e gushtit ka shënuar një lek rezistent ndaj monedhës europiane. Sipas agjentëve valutorë, emigrantët që kanë hyrë në Shqipëri në javën e dytë të gushtit kanë ndikuar më në fund ashtu siç pritej prej kohësh në kursin e këmbimit të brendshëm valutor. Monedha shqiptare ka rezistuar në kurs të qëndrueshëm ndaj euros gjatë kësaj jave. Banka e Shqipërisë, nëpërmjet të dhënave për kursin e këmbimit, bën me dije se një euro është këmbyer me kurs mesatar prej 139.5 lekë, por ka pasur luhatje të vogla, duke mos kaluar vlerën 140 lekë. Java që kaloi ka njohur dhe ndër vlerat më të ulëta të muajve të fundit, kjo si pasojë e hyrjes së emigrantëve dhe turistëve në vend. Ky efekt pritej prej muajsh, por ndryshe nga vitet e shkuara është krejt i vogël dhe i vonuar, duke ndodhur vetëm në javën e dytë të muajit gusht. Në agjencitë e këmbimit valutor, euro regjistroi një kurs mesatar pak më të lirë gjatë së shtunës dhe të dielës. Kështu, në agjencitë e këmbimit qytetarët mund ta shisnin euron me 138.8 lekë, dhe të blinin me 139.4 lekë. Në fillim të këtij muaji, Banka e Shqipërisë e vlerësoi euron me kursin mesatar 139 lekë e 70 qindarka. Gjatë korrikut euro njohu vetëm forcim ndaj lekut dhe dollarit, tendencë që ndryshoi në muajin aktual.