EET: Shqipëria, destinacioni i lakmuar turistik për 2011-n
Turistët nga Serbia janë surpriza e këtij viti për Shqipërinë. Prurjet e tjera që kanë shtuar numrin e vizitorëve në vend janë grekët, italianët dhe kosovarët
Industria shqiptare e turizmit vazhdon të impresionojë. Një sait ndërkombëtar që merret vetëm me turizmin dhe udhëtimet “ East European Travel” citon kështu reklamën e vazhdueshme që Lonely Planet i bën Shqipërisë dhe industrisë së saj të turizmit këtë vit, duke e cilësuar si vend shumë i mbrojtur për turistët e huaj. Sipas artikullit në fjalë të “East European Travel”, turistët që kanë frekuentuar më shumë këtë vit bregdetin shqiptar dhe në përgjithësi gjithë vendin janë ata me kombësi greke, serbe, italiane dhe si çdo vit pushuesit nga Kosova nuk e kanë ndërruar destinacionin e tyre veror. “Rekomandimet e Lonely Plaet për vendet më të mira që duhen vizituar këtë verë vazhdojnë të publikojnë statistika impresionuese për turizmin, me një numër të lartë të turistëve që kalojnë kufirin grek dhe atë kosovar. Industria shqiptare e turizmit vazhdon të bëjë përshtypje të madhe, me një numër rekord vizitorësh që kalojnë kufirin çdo fundjavë. Duke iu referuar statistikave, vetëm një fundjavë gushti kanë kaluar kufirin 57 255 persona. Në Morinë, në kufirin me Kosovën, kanë kaluar po atë fundjavë 22 000 turistë. E njëjta situatë është paraqitur edhe në kufirin e Kakavijës, ku kanë kaluar përveç emigrantëve edhe shtetas grekë, 9 500 persona. Hyrje të mëdha janë regjistruar edhe në portin e Durrësit.” - citohet në artikull. Sipas artikullit, duke iu referuar statistikave të Aeroportit të Rinasit, janë shifra impresionuese për muajt e fundit, të cilat raportojnë 23% rritje të numrit të pasagjerëve në gjashtëmujorin e parë të 2011-s, me 793 984 fluturime në kryeqytetin shqiptar, nga janari në qershor. Artikulli i ‘East European Travel’ citon se Industria shqiptare e turizmit ka patur një nxitje të rëndësishme vitin e fundit kur Lonely Planet njoftoi që Shqipëria ishte një nga rekomandimet më të mira për të kaluar pushimet verore për 2011-n. Artikulli vazhdon të citojë se ‘Duke i dhënë statusin e të izoluarit, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, Shqipëria mbeti si një vend i panjohur për turistët e huaj, edhe në epokën moderne’. “Turistët e huaj impresionohen si fillim nga gjithçka, por kur ikin përshtypja e tyre përfundimtare ndryshon. Gjërat kryesore që lënë mbresa tek ata janë mikpritja e ngrohtë, plazhet e virgjra dhe arkitektura antike, veçanërisht pjesa e mbrojtur nga UNESCO e Butrinit."- citon artikulli.
Më tej nënvizohet se shqiptarët nga Kosova mbulojnë një pjesë të madhe të turizmit shqiptar çdo vit. Gjithashtu ka një interesim nga Serbia dhe Italia. Kjo e fundit ka një lidhje të ngushtë kulturore me Shqipërinë. Ndërsa shumë turistë nga ishujt grekë, sidomos nga Korfuzi janë surprizuar nga Saranda dhe pjesa e Butrintit, me një paketë udhëtimi njëditor ofruar nga Korfuzi, i cili është vetëm një orë larg me Katamaran nga Saranda. “Shumë vizitorë kanë vënë re këtë vit sigurinë që u jep Shqipëria, e cila ka një reputacion për një siguri jo të lartë dhe e kontrolluar prej mafies, një imazh që nuk e ndihmoi as vjedhja e orës që iu bë presidentit George Bush, që më vonë u përgënjeshtrua me një letër të dërguar nga ai vetë. Por realiteti në Shqipëri është i kundërt. Shqipëria është një nga vendet më të mbrojtur të Europës.