Kontrata e re e energjisë gati në shtator, konsumatori më shumë të drejta
Me kontratën e re të energjisë elektrike të hartuar nga ERE dhe CEZ Shpërndarje, pritet që nga shtatori konsumatorët shqiptarë të kenë më shumë të drejta dhe të furnizohen me energji elektrike më cilësisht
Kontrata e Re mes “CEZ Shpërndarje” dhe konsumatorëve shqiptarë, që pritej të zbatohej në fillim të vitit 2011, do të implementohet në shtator të këtij viti. Kontrata e re do t’i akordojë gjithë të drejtat e nevojshme konsumatorit, që nuk i ka patur me kontratën aktuale. Rregullorja e re për cilësinë e shërbimit e konsultuar me specialistët dhe grupet e interesit dhe e miratuar nga ERE do të detyrojë CEZ Shpërndarje të furnizojë konsumatorin shqiptar 24 orë pa ndërprerje me energji elektrike dhe të zhdëmtojë incidentet e luhatjeve të tensionit. Sipas draftit në fjalë, që MAPO disponon, ERE do të kërkojë që kontrata e re të ndryshojë në disa drejtime për standardet e shërbimit. Në fakt me kontratën aktuale, konsumatorëve ndërprerjet e energjisë elektrike u bëhen pa paralajmërim dhe pa kohëzgjatje të përcaktuar. Kjo ka ardhur si pasojë se në Shqipëri tre vjet më parë bëheshin ndërprerje pa limit dhe konsumatori nuk kishte të drejtë të kërkonte asgjë. Ndërsa kjo sjellje e CEZ me konsumatorin me kontratën e re do të sanksionohet. Sipas draftit në fjalë, furnizuesit i del për detyrë që të furnizojë konsumatorin 24 orë me energji elektrike pa ndërprerje, me përjashtim të rasteve të avarive dhe remonteve të planifikuara. Për remontet e planifikuara ai ka për detyrë të njoftojë kohën e përcaktuar të ndërprerjes, në mënyrë që konsumatori të marrë masa. Për defekte dhe avari do të përcaktohen limite. Nga ana tjetër, parashikohet që të futet edhe zhdëmtimi. Referuar po draftrregullores për cilësinë e shërbimit të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike, nëse dëmtohen pajisje elektrike etj., apo digjen shtëpi, ato do ët dëmshpërblehen. Nëse pas ekspertizës rezulton se shkak i dëmeve ka qenë furnizuesi, kontrata e re parashikon edhe zhdëmtimin për këtë qëllim. Ndërsa për cilësinë e furnizimit do të vendosim norma për nivelin e tensionit dhe tregues të tjerë të cilësisë.” – thotë ai. Kontrata e re e kërkuar prej ERE-s është në përputhje edhe me detyrimin ligjor që ka sipas deklaratës rregullatore. ERE i ka kërkuar CEZ të paraqesë një projekt të standardeve të shërbimit dhe cilësisë që duhet të plotësojë konform standardeve ndërkombëtare, por duke marrë parasysh edhe situatën aktuale, gjendjen e rrjetit elektrik në Shqipëri edhe kushtet konkrete. Sipas draftrregullores, Shoqëria e Shpërndarjes kryen regjistrimin e ndërprerjeve të paplanifikuara, të gjata apo të shkurtra, nëpërmjet metodave që disponon. Gjithashtu, shoqëria e Shpërndarjes mban regjistrin e ndërprerjeve për të gjitha llojet e ndërprerjeve të përmendura, i cili duhet të përmbajë: Origjinën e ndërprerjes, shkakun e ndërprerjes. Duke cituar sërish draftin, çdo ndërprerje e furnizimit me energji elektrike të konsumatorit, në sistemin e shpërndarjes, e cila zgjat më shumë se 3 minuta, konsiderohet ndërprerje e gjatë dhe çdo ndërprerje e furnizimit me energji elektrike të konsumatorit, në sistemin e shpërndarjes, e cila zgjat më pak se 3 minuta, konsiderohet ndërprerje e shkurtër.