Saitet e huaja: Shqipëria, vendi më i mirë për tregun imobiliar
Saitet ndërkombëtare në internet citojnë se tregu shqiptar i imobilareve është në momentin më të mirë të tij. “Shqipëria deri para pak kohësh ka qenë një nga vendet e “harruara” të Europës, por tanimë është vendi më i mirë për të investuar përsa i përket biznesmenëve jashtë kufijve. Me një vijë bregdetare të bukur, deti Adriatik, me një ekonomi të zhvilluar dhe një qeveri që në filozofinë e saj ka luftën kundër korrupsionit, krimit, rritjen ekonomike, optimizmi është në shkallën sipërore. Vendi është mirëmenaxhuar dhe e shmang përfshirjen në konfliktet ballkanike në vitet ‘90. Në fakt, studimet kanë treguar se çmimet në Shqipëri janë më të lira se në Europë. Edhe pse ekonomia botërore u rrezikua, ekonomia shqiptare rezistoi.” - citon artikulli. Në këtë mënyrë, ka disa opsione për të investuar në pasuri të patundshme në Shqipëri, duke u fokusuar në apartamente për të jetuar dhe pasuri pranë detit, vijon më tej. Apartamentet do të jenë të paktën për momentin, të limituara në kryeqytet, Tiranë. Tirana po zhvillohet në të gjitha fushat, sidomos në tregti. Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës u rinovua pak më parë me 40 milionë dollarë. Kërkesa për apartamente të reja është e lartë dhe klima për biznesin është e ngrohtë dhe atraktive. Tregu i turizmit në Sarandë po pëson boom vitet e fundit, pasi çiftet muajin e mjaltit e kalojnë në këtë breg jugor. Çmimet e apartamenteve janë 650 euro për metër katror.