E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, transfertat e parave me kosto më të ulët

Autori i Lajmit: red.
Lehtësohen procedurat e dërgimit të parave për emigrantët shqiptarë. Burime nga Posta Shqiptare njoftojnë se transfertat e parave tashmë janë me kosto më të ulët. Gjithashtu, Posta Shqiptare ka nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Amerikane të Shqipërisë ku mundësohet transferimi i parave në çdo skaj të Shqipërisë, madje edhe në shtëpitë e qytetarëve kudo ku ata janë. Falë kësaj marrëveshjeje është mundësuar që qytetarët të mund të kursejnë para në komisionin për transfertat.
Komisioni
Për këtë u duhet të paguajnë vetëm 6 euro komision. Kështu, sipas të dhënave më të fundit nga Posta Shqiptare, komisioni i shërbimit për transfertat deri në 100 euro është 6 euro komision shërbimi, për 100-1000 euro është 12 euro komision dhe mbi 1000 euro është 20 euro komision shërbimi. Shtetet me të cilat shkëmbehen transfertat janë: Itali, Greqi, Zvicër, Gjermani, Turqi, Austri. Posta Shqiptare synon marrëdhënie bashkëpunimi me të gjitha vendet që kanë komunitet të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë. Në marrëveshje është përcaktuar qartë se si do të ofrohet kryerja e këtij shërbimi.
Aplikimi
Çdo qytetar mund të shkojë në filialin më të afërt të Bankës Amerikane të Shqipërisë ku do të plotësojë formularin për dërgesat nëpërmjet Postës Shqiptare. Duke paguar komisionin, marrësi do të marrë shumën fikse që ju keni dërguar pa komision shtesë. Shërbimi ofrohet për klientë dhe jo klientë të Bankës Amerikane të Shqipërisë. Ajo që i duhet një qytetari për të transferuar parà nëpërmjet këtij shërbimi është vetëm dokumenti i identifikimit dhe një numër telefoni.
Shtrirja e shërbimit
“Kryerja e transfertave elektronike të parave kryhet nga kompania Posta Shqiptare deri në zonat e thella të vendit. Në këtë mënyrë personat e interesuar nuk do të humbin ditë të tëra për të zbritur në zonat urbane për të shpenzuar para dhe kohë”, - njoftojnë burime nga Posta Shqiptare. Në qershor të vitit 2006, Posta Shqiptare firmosi marrëveshjen e anëtarësimit në rrjetin ndërkombëtar të transfertave Eurogiro. Eurogiro është një nga rrjetet më të gjera globale të pagesave ndërmjet administratave postare, bankave tregtare dhe institucioneve të tjera financiare për transfertat e pagesave me kosto të ulët.
Zgjidhja postare
Unioni i Përbotshëm Postar (UPU) është i bindur se rrjeti postar ndërkombëtar është një zgjidhje e favorshme dhe për pasojë do të vazhdojë të zgjerojë rrjetin e tij me Sistemin Financiar Ndërkombëtar (IFS), një aplikim ky shumë i përshtatshëm, i cili lehtëson transfertën e fondeve mes operatorëve publikë postarë dhe, madje, mes disa bankave. Drejtori i Përgjithshëm i UPU, Eduard Dajan, për sa i përket kësaj çështjeje shprehet: “Transferimi i parave në mënyrë të lehtësuar dhe me çmime të përballueshme për të gjithë, i adresohet nevojës së miliona personave, sidomos emigrantëve, dhe sektori postar ka kapacitetin t i përgjigjet kësaj nevoje me një rrjet të gjërë dhe me teknologji të reja të zhvilluara nga UPU për postat me një frymë bashkëpunimi dhe zhvillimi”. Vendet e treta aktualisht përdorin IFS. Tranfertat e parave janë përgjithësisht të realizuara brenda 2 ditëve (ose më pak se 12 orë), të besueshme dhe të sigurta, e cila u përshtatet më shumë klientëve që jo gjithmonë kanë nevojë të dërgojnë menjëherë para dhe si pasojë të paguajnë tarifa të shtrenjta.

Komisionet e shërbimit për transfertat:
100 euro - 6 euro komision shërbimi
100-1000 euro - 12 euro komision
mbi 1000 - 20 euro komision
Ky lajm është publikuar: 20/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›