E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigranti 69-vjeçar proteston para Ambasadës Italiane: Kërkoj të drejtën e pensionit

TIRANE - 69-vjeçari Madrid Maliqati qëndron prej më shumë se katër ditësh përpara Ambasadës Italiane në Tiranë, për të kërkuar një të drejtë që sipas tij, i është mohuar nga shteti italian. Ai është një ndër emigrantët e parë shqiptarë që shkoi në Itali dhe sot ka lejen e qëndrimit.

Për 27 vjet ka punuar si mekanik në fabrikën e qelqit. Maliqati tregon se ka ikur në Itali në vitin ’91 me anijen “Partizani” dhe atje ka punuar në hotele dhe punë të tjera. Në vitet e para të punës ai nuk ka paguar sigurime shoqërore, por në 15 vite punë në Itali ai pretendon se ka derdhur kontribute për 12 vjet. Me një pankartë që e mban në trup, me një mbishkrim në gjuhën italiane, Maliqati kërkon marrjen e pensionit për 12 vite që ka paguar kontribute.

“Dua vitet e punës, që kam punuar në Itali. Eshtë e drejta ime, është e drejta themelore e çdo njeriu e çdo emigranti.”- shprehet 69-vjeçari.

Madrid Maliqati u kthye nga Italia në vitin 2005. Tani jeton i vetëm në qytetin e Kavajës dhe çdo ditë vjen në Tiranë për të zhvilluar betejën e tij. Por i vetëm dhe pa mbështetje ai sërish tregohet këmbëngulës për marrjen e asaj që i takon. Përpos këtij qëndrimi që shteti italian mban ndaj tij, Maliqati e cilëson Italinë si Atdheun e tij të dytë.

“Unë kam katër ditë që jam këtu. Kam ardhur dhe herë të tjera, kam biseduar me këta të Ambasadës, me konsullin. Kanë një lloj indiferentizmi, mospërfilljeje. Të thotë atë përgjigjen zyrtare dhe ik tani. Tre vjet e gjysmë gati që vi vërdallë, si është njëra përgjigje nuk është tjetra. Eshtë thjesht një histori diskriminimi, një histori shpërfilljeje, një histori e shëmtuar.”- shprehet ai.

69-vjeçari pohon se i ka shkruar një letër edhe Presidentit të Italisë Napolitano, por thotë se ka marrë një përgjigje jo dinjitoze dhe diskriminuese.

“I kam shkruar Presidentit të Republikës, Napolitano dhe më erdhi përgjigjia. Por një përgjigje do thosha jo të kualitetit të një presidenti.”- vijon ai.

Maliqati mbetet i vendosur që çdo ditë të dalë para Ambasadës Italiane në Tiranë për të sensibilizuar, por edhe për të protestuar për të drejtën e tij. 69-vjeçari thotë se protesta e tij do të vijojë, megjithëse e di që nuk përballet dot me makinerinë diplomatike, siç e cilëson ai, shtetin Italian.

(er.nu/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Emigranti 69-vjeçar proteston para Ambasadës Italiane: Kërkoj të drejtën e pensionit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›