E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigranti aksidenton 21-vjeçarin, vihet në pranga

AKSIDENTI/ Një i ri ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet tip "Nissan" me targa greke

GJIROKASTËR- Emigranti aksidenton një të ri, i cili humbi jetën pas disa orësh në spital. Një tjetër viktimë si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor është shënuar mesditën e djeshme. Ngjarja ndodhi në rrugën kombëtare Gjirokastër- Kakavijë, në afërsi të fabrikës së qumështit "Gjirofarma". Burimet zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se në këtë kohë, automjeti tip "Nissan" me targa greke YPE 5046, që drejtohej nga shtetasi Gramoz Dervishi, 32 vjeç, lindur në Belësh të rrethit Elbasan, ka përplasur shtetasin Tauland Topalli, 21 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues me qira në fshatin Bodrishtë.


Pas përplasjes, në gjendje të rëndë shëndetësore i riu është transportuar menjëherë në spitalin rajonal "Omer Nishani" të qytetit të Gjirokastrës ku ka mundur të jetojë vetëm disa orë, pasi rreth orës 18:00 të mbrëmjes, për shkak të plagëve të rënda, ka humbur jetën. Ndërkaq, grupi hetimor ka konstatuar se shkaku i këtij aksidenti ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesi i automjetit tip "Nissan" me targa greke, që udhëtonte nga Athina në drejtim të Elbasanit dhe drejtuesi i saj, emigranti 32-vjeçar, është arrestuar për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen".


Mësohet se i riu që humbi jetën ishte nga Pogradeci. Për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike ai jetonte me qira në fshatrat e zonës së Dropullit ku edhe punonte si bari me delet e fshatit Bodrishtë. Aksidentet gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti në qarkun e Gjirokastrës kanë shënuar nëntëmbëdhjetë viktima, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. E.Bani

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›