Si botova një gazetë bujqësore
Tuieni për gazetarinë dhe çështje të tjera
Kush i shkruan kritikat e shfaqjeve teatrale për gazetat e dorës së dytë? Kush i bën recensionet e librave? Kush i drejton financat? Cilët llomotitin e bëjnë thirrje për përkori në të pirë? Një sërë pyetjesh që Mark Twain-i ngre në këtë satirë, për ata që hyjnë në gazetari nga aventura për famë dhe para dhe, mbi të gjitha: Deri ku guxon padija në gazetari
Botimit të përkohshëm të një gazete bujqësore, nuk i hyra pa druajtje, ashtu siç nuk mund t'i hyjë pa druajtje një bujk, drejtimit të vaporit. Botonjësi i zakonshëm i gazetës largohej për pushime dhe unë pranova kushtet që më vuri ai dhe zura vendin e tij.
Gëzimi që hyra përsëri në punë, më dha krahë dhe shkruajta gjatë gjithë javës me ëndje të pashtershme. E dërguam gazetën në shtyp dhe unë prita me shqetësim nëse mundimi do të tërhiqte vëmendjen e ndokujt. Kur dola nga zyra, në perëndim të diellit, një grup djemsh e burrash në fund të shkallëve, u shpërnda me ngutje për të më hapur rrugën mua; ndërkohë që zuri veshi nja dy zëra prej tyre që thoshin: "Ai është!" Natyrisht, kjo gjë më kënaqi.
Të nesërmen në mëngjes gjeta përsëri një grup të tillë në fund të shkallëve, që sa më panë mua, filluan të shpërndajnë njerëzit që kishin zënë rrugën aty këtu, duke më vështruar mua me interesim.
Me t'u afruar unë, njerëzit u përndanë e u zmbrapsën dhe unë dëgjova njërin që thoshte: "Shikoje në sy!" Unë bëra sikur nuk e vura re këtë vëmendje që kisha tërhequr, po zemra m'u bë mal dhe kisha ndër mend t'ia shkruaja sime emte. I ngjita shkallët me nxitim dhe kur iu afrova derës, dëgjova disa zëra gazmore dhe një të qeshur të fortë; e hapa derën dhe pashë dy si fshatarë të rinj, fytyrat e të cilëve u zbehën e u habitën kur më panë; pastaj ata u vërvitën nga dritarja përjashta. Unë u çudita.
Pas ndonjë gjysmë ore, një zotëri plak, me mjekër të gjatë dhe me fytyrë të pashme po të rreptë, hyri në zyrë dhe u ul atje ku i pashë unë. Dukej se diç kishte për të thënë. Hoqi kapelën, e lëshoi mbi dysheme dhe nxori prej saj një shami të kuqe mëndafshi dhe një kopje të gazetës sonë. E vuri gazetën në prehër dhe teksa po fshinte syzet me shaminë, më tha:
- Ju jini botonjësi i ri?
Unë i thashë po.
- Jini marrë ndonjëherë tjetër me gazetë bujqësore?
- Jo i thashë, kjo është orvatja ime e parë.
- Duket. Po me bujqësi, jini marrë ndonjëherë?
- Jo, më ngjan se jo.
- Ma mori mendja, vijoi plaku, duke vënë syzet dhe duke më vështruar mbi to me ashpërsi; pastaj palosi gazetën në një formë të volitshme e më tha:
- Dua të ta këndoj atë pjesë që më bëri të kem këtë mendim. Është ky kryeartikull. Dëgjoje dhe më thuaj në e ke shkruar ti.
Rrepët nuk duhen këputur se vriten.
Është më mirë të hipni mbi pemë një djalë dhe ai t'i shkundë.
- Ç'mendon për këtë? Se ma merr mendja që ti e ke shkruar.
- Ç'mendoj? Mendoj se është më mirë, është më e arsyeshme.
S'kam pikë dyshimi se në çdo vit humbasin me miliona e miliona qase e rrepë vetëm në qytetin tonë, se i këputin pa i pjekur mirë, ndërsa po të hipte një djalë mbi pemë edhe t'i shkundte...
- Të shkundte tët gjyshe! Rrepët nuk rriten në pemë!
- Ashtu? Nuk u rritkan në pemë? Po kush tha që rriten në pemë? Këtu flitet në mënyrë figurative, krejtësisht figurative. Çdo njeri që ka pesë para mend, do ta kuptojë se kam dashur të them të shkundet hardhia.
Ai plaku, u ngrit më këmbë, e bëri gazetën copë-copë, e shkeli me këmbë, pastaj më theu shumë sende me shkop e më tha se, me sa merrte vesh gomari nga gramatika, aq merrja vesh dhe unë nga bujqësia. Pastaj doli jashtë duke përplasur derën; me pak fjalë ai u soll kaq keq, sa unë e kuptova se kishte mbetur i pakënaqur për diçka. Po duke mos ditur se ku e kishte hallin, nuk munda ta sqaroja.
Pak pas kësaj, u dha në derë një kufomë e gjatë me disa cullufe të gjata, që i vareshin gjer mbi shpatulla, dhe me ca qime si kashtë, një javë të parrojtura, që mbulonin kodrat dhe fushat e fytyrës e së tij, dhe qëndroi për një çast i palëvizur me gishtin tregonjës mbi buzë, duke përkulur trupin sikur diç deshte të dëgjonte.
Asnjë fjalë, pastaj kyçi derën përbrenda dhe eci ngadalë në majë të gishtave drejt meje, duke m'u afruar aq sa i arrinte krahu; qëndroi, më nguli sytë me kureshtje një çast dhe nxori nga gjiri një kopje të palosur të gazetës sonë duke thënë:
- Këtë e ke shkruar ti. Këndoma, shpejt! Lehtësomë se po vuaj!
Unë i lexova këto që vijojnë; dhe siç rridhnin fjalët prej buzëve të mija, e vura re tek lehtësohej, vura re muskulat e tij të tendosura tek zbuteshin dhe shqetësimi i përhapej nga fytyra, ndërsa qetësia dhe prehja hynin fshehur si hënë e dhembshur mbi një luginë të shkretë:
"Gëlasa është një zog i dobishëm, po kërkon një kujdes të madh për ta rritur. Ai nuk duhet importuar përpara qershorit ose më vonë se shtatori. Në dimër duhet të mbahet në një vend të ngrohtë ku të klloçitë vezët.
Duket se sivjet do të kemi një vit të keq bujqësor. Prandaj bujqit duhet të fillojnë të shkulin misërishtat dhe të mbjellin kulaçet e grurit në korrik e në gusht. Kungulli. Këtë manë e pëlqejnë shumë vendësit e krahinave të brendshme të Nju Inglandit, më tepër se luleshtrydhen, për të bërë ëmbëlsira dhe më tepër se mjedhrën për të ushqyer lopët. Kungulli është e vetmja pemë e ngrënshme e familjes së portokajve që mund të rritet në veri, me përjashtim të susakut dhe të kungulleshkave.
Po mbjellja e tij përpara shtëpive së bashku me ferrat, tani po lihet mënjanë sepse të gjithë e pranojnë se kungulli nuk është një bimë që bën hije të mirë."
Tani, me afrimin e stinës së ngrohtë, që patokët fillojnë të pjellin...
Dëgjonjësi i entuziazmuar u hodh drejt meje për të më shtrënguar dorën dhe më tha:
- Mjaft, mjaft me kaq. Tani e shoh që jam mirë, sepse edhe ti këndove fjalë për fjalë ato që kam kënduar edhe unë.
Po kur e këndova sot për herë të parë në mëngjes, thashë me vete: "Nuk e kam besuar kurrë, megjithëse shokët më ruajnë me kujdes, po tani e shoh se qenkam i marrë; pas kësaj vura një ulërimë që do ta kesh dëgjuar edhe ti një orë larg dhe fillova të vras një person, - sepse e dija që shpejt a vonë atje do të mbërrija, prandaj, thashë, po e filloj me këtë. Këndova përsëri një nga ato paragrafe për t'u siguruar dhe shkova e i vura zjarrin shtëpisë.
Gjymtova shumë njerëz, dhe një person e kam ngjitur mbi një pemë për ta rrëzuar kur të dua. Po duke kaluar këtej, mendova njëherë të kthehem këtu e të sigurohem mirë; dhe tani u sigurova; dhe ja ku ta them dhe ty se ai shoku që ka hipur në pemë, paska fat. Do ta kisha rrëzuar përposh tani që do të kthehesha.
Lamtumirë zotëri, lamtumirë. Më shkarkove nga një barrë e rëndë. Mendja ime e përballoi sulmin e artikujve të tu bujqësorë dhe tani jam i sigurt se s'ka asgjë tjetër që të ma marrë. Lamtumirë.
Ndjeva njëfarë shqetësimi për ata të gjymtuarit dhe për djegien e shtëpisë, sepse nuk mund të mos e kuptoja që kisha gisht edhe unë në ato punë. Po këto mendime m'u zhdukën menjëherë posa hyri në zyrë botonjësi i vërtetë i gazetës. (Thashë me vete: Po të kishe shkuar në Egjypt, siç të thashë unë, mund të kisha rast të qëndroja këtu; po ti nuk mund ta bëje atë dhe ja ku erdhe.
Të prisja i shqetësuar.)
Botonjësi me vështronte me dëshpërim, keqardhje dhe hutim. Pa sendet e thyera dhe dëmet që kishin bërë plaku dhe ata dy fshatarët e rinj dhe më tha:
- Kjo është një punë e keqe, shumë e keqe. Shishen e zamit, pështymoren, gjashtë xhame dhe dy shandanë m'i kini thyer. Po s'është halli këtu. Më kini cenuar famën e gazetës, ndofta përgjithmonë.
Është e vërtetë që gazeta nuk është shitur kurrë kaq shumë e nuk është kërkuar e dëgjuar, kaq larg, po cili është ai që dëshiron të bëhet i famshëm për marrëzi dhe për të përfitojë nga sëmundja e mendjes? Pa shiko si është mbushur rruga plot njerëz, veç atyre që kanë zënë vend rreth e rrotull gardhit!
Të gjithë presin me padurim të të shohin ty, se mendojnë që je i marrë. Dhe s'mund të mendojnë ndryshe, pasi kanë lexuar kryeartikujt që ke shkruar ti. Ata janë një fyerje për gazetarinë. Me ç'mend vajte e nxore një gazetë të tillë?
Ti s'paske as njohuritë më fillestare për bujqësinë. Ti flet për branën dhe për brazdën sikur të jenë e njëjta gjë; ti shkruan për stinën, në të cilën lopët ndrrojnë puplat; dhe më në fund këshillon zbutjen e ketrit si një kafshë ojnake dhe e përshtatshme për të zënë minj. Mendimi yt se stridhet mund të shtrihen të qeta po të dëgjojnë muzikë, është i tepruar, shumë i tepruar. Stridhet nuk i shqetëson asgjë.
Ato rrinë gjithmonë të qeta dhe nuk duan të dinë nga muzika. Ah, për zotin, sikur të përpiqeshe të studioje paditurinë, nuk do ta fitoje diplomën tënde me një famë më të madhe se këtë të sotmen. Nuk më kanë zënë kurrë sytë një gjë të tillë. Mendimi yt se gështenjat e egra kanë filluar të përdoren për tregti, synon shkatërrimin e gazetës.
Dua, pra, t'i japësh fund kësaj gjendje dhe të ikësh. Nuk më duhet më pushimi - natyrisht do ta gëzoja po ta bëja, po jo duke të lënë ty në vendin tim. Do të pres gjithmonë me llahtarë se ç'marrëzi do të shkruash tjetër.
Më bën të humbas durimin sa herë që mendoj se mund të shkruash për shtratin e stridheve nën titullin "Kopshti i luginës". Prandaj dua të largohesh. Asgjë nuk mund të ma mbushë mendjen të vazhdoj pushimet. Oh! Përse nuk më the qysh më parë se s'merrje erë fare nga bujqësia?
- Ç'të të thosha, more kungull, more lakër, more kastravec? Është hera e parë që dëgjoj një vërejtje kaq pa vend. Ja tek të them se unë kam katërmbëdhjetë vjet që punoj në gazetari dhe është hera e parë kjo që dëgjoj se për të nxjerrë një gazetë, duhet t'i dish të gjitha ato që shkruhen.
Kokërrepë! Kush i shkruan kritikat e shfaqjeve teatrale për gazetat e dorës së dytë? Një grup këpucarësh dhe ndihmës farmacistësh të zhvilluar, të cilët marrin vesh nga skena aq sa marr vesh edhe unë nga bujqësia. Kush i bën recensionet e librave? Ata që s'kanë shkruar kurrë ndonjë libër.
Kush i drejton financat? Ata që s'marrin erë fare nga kontabiliteti. Kush i kritikon betejat e indianëve? Ata që nuk kanë dëgjuar asnjë klithmë nga tentat e tyre dhe që nuk kanë vrapuar asnjë hap me sëpatë në dorë, ose të kenë mbledhur shigjetat nga pjesëtarët e familjeve për të ndezur zjarret e mbrëmjes nëpër sheshe. Cilët llomotitin e bëjnë thirrje për përkori në të pirë? Ata që nuk marrin kurrë frymë esëll veçse në varr.
Kush i boton gazetat bujqësore mor patate? Përgjithësisht ata që falimentojnë në poezi, në romane, në drama, dhe në gazetarinë e qytetit dhe më në fund kthehen në bujqësi si në një strehë vorfnore.
Ti kërkon të më mësosh mua gazetarinë! Unë e kam kaluar atë që nga alfa gjer tek omega dhe ja ku të them se, sa më pak që të dijë njeriu, aq më shumë zhurmë do të bëjë dhe aq më shumë rrogë do të marrë.
Perëndia e di nëse dhe unë nuk do të kisha fituar famë në këtë botë të ftohtë dhe egoiste, sikur të kisha qenë i paditur e jo i ditur, i paturpshëm e jo i turpshëm. Po iki, zotëri. Derisa më trajtove në këtë mënyrë, po iki me gjithë qejf, po ta dish që kam kryer detyrën.
E plotësova marrëveshjen tonë aq sa më lejohej. Unë t'u zotova ta bëja gazetën tërheqëse për të gjitha shtresat dhe e bëra. U zotova ta shtoja qarkullimin e ta shpija në njëzet mijë kopje dhe po të qëndroja edhe dy javë të tjera, do ta arrija.
Dhe më në fund, do të të kisha tërhequr lexuesit më të mirë që s'i ka pasur kurrë ndonjë gazetë bujqësore; asnjë bujk, asnjë person të vetëm që të jetë në gjendje të dallojë lisin e shalqive nga pjergulla e pjeshkave. Prandaj, ai që humbet nga kjo prishje, nuk jam unë, po ti, more kungull. Lamtumirë.
Dhe ua mbatha këmbëve.