E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet kisha e Shëngjergjit në Shipckë të Korçës

14/07/2009  E saporikonstruktuar

KORÇE- Dje në orët e para të ditës është konstatuar vjedhja e Kishës së Shën Gjergjit në fshatin Shipckë, i cili ndodhet rreth 2 orë larg Voskopojës. Sipas burimeve policore, që shkuan në vendin e ngjarjes, grabitësit kishin shqyer derën e kishës së vogël që ishte pranë asaj të Shën Gjergjit dhe mandej duke përdorur derën e brendshme kanë hyrë në këtë të fundit. Ashtu si edhe grabitësit e kishave të Voskopojës grabitësit e kanë ditur që në këtë objekt kulti kishte sende e ikona me vlerë, të cilat mund t’u sigurojnë të ardhura të mira në tregun e zi të vlerave ikonografike e kishtare. Dje në mesditë prifti i fshatit ka bërë denoncimin në policinë e Korçës. Sipas tij, grabitja është konstatuar dje nga banorë të fshatit, po mund të ketë ditë të ketë ndodhur. Në të janë vjedhur një kryq i gdhendur në dru që sipas restauruesve të kësaj kishe mund të jetë gdhendur në shekullin e XVII-të. Janë vjedhur gjithashtu një shirit i gjatë, në të cilin ishin fiksuar ikona të vogla, të cilat mendohet se janë pikturuar në shekullin e XVIII-të, kur është pikturuar kjo kishë, ndërtimi i së cilës është bërë në shekullin e XV-të. Njëherësh janë vjedhur edhe disa harqe të gdhendura në dru, të cilat ishin pjesë e derës kryesore të kësaj kishe të vjetër. Grabitësit gjatë përpjekjeve të tyre për të shkulur pajisjet e mësipërme kanë dëmtuar edhe material të tjera muzeale Kisha e Shën Gjergjit në Shipckë kishte tre vjet që i ishte nënshtruar restaurimit prej një firme private të drejtuar nga inxhinieri arkitekt Kliti Kallamata. Së fundi, restaurimi ishte përqendruar në pastrimin e pikturave murale të kësaj kishe, të cilat janë pikturuar nga piktorë të dëgjuar të shekullit të XVIII-t.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›