Trafiku i marijuanës me çanta shpine
VENDIMI
Gjykata e Krimeve të Rënda dënon pesë persona, një prej të cilëve në kërkim
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, në aplikim të gjykimit të shkurtuar vendosi dje dënimin me 17 vjet burg për 5 persona nga Fieri, që tentuan të dërgojnë nga Shqipëria në Greqi 101 kg hashash në rrugë ilegale.
Sipas vendimit të togave të zeza, të kryesuara nga gjyqtari Sandër Simoni i pandehuri Ervin Hoxha, i hetuar e gjykuar në mungesë, është cilësuar si organizatori i këtij trafiku, duke u dënuar me 9 vite burg, për konsumimin e akuzës së "trafikut të narkotikëve" në bashkëpunim.
Katër personat nga Fieri të cilësuar si transportues të 101 kg hashash, Klevin Tomorri, Andi Nazeraj, Ervin Saliaj dhe Shkëlzen Lamçe u deklaruan fajtorë vetëm për veprën penale të "moskallëzim krimit" në bashkëpunim duke u dënuar secili me nga 2 vite burg.
Mësohet se për transportimin e drogës në rrugë ilegale nga Shqipëria në Greqi me anë të çantave të shpinës, katër të rinjtë fierakë, Tomorri, Nazeraj, Saliaj dhe Lamçe do të paguheshin nga i pandehuri Hoxha me nga 250 euro secili. "Nga shqyrtimi i akteve të administruara në dosje është provuar se me datën 8 dhjetor 2008 në vendin e quajtur Ceçem, në anë të rrugës Vrisera - Llongo të komunës Dropull në Gjirokastër, është gjetur i braktisur një automjet, tip "Nissan Mikra" me targa "TR 8710 L".
Brenda këtij automjeti policia ka gjetur dhe sekuestruar katër çanta të mbushura me lëndë narkotike të llojit hashash, në total rreth 101 kg lëndë narkotike, -thuhet në vendimin e firmosur nga pesë gjyqtarët e Gjykatës ë Krimeve të Rënda.
Pas sekuestrimit të mallit, policia ka kryer kontrollin e automjetit, brenda në korskotin e së cilës është gjetur akt-shitja e makinës, ku blerës rezultonte i pandehuri Ervin Hoxha. Pas gjetjes së këtyre dokumenteve, policia dhe prokuroria kanë zbarkuar në banesën e të pandehurit Hoxha, i cili nuk është gjetur në aty, duke u shpallur në kërkim.
Në rrugë operative policia ka identifikuar katër të pandehurit e tjerë, në cilësinë e bashkëpunëtorëve, të cilët ishin "rekrutuar" nga Hoxha për të dërguar katër çantat me drogë matanë kufirit greko-shqiptar kundrejt një shumë parash prej 1 mijë euro në total.
"Nga procesverbalet e deklarimeve të të pandehurve Tomorri, Nazeraj, Lamçe dhe Saliaj, është provuar gjithashtu se i pandehuri Hoxha i kishte kontaktuar më datë 7 dhjetor 2008, një ditë para ngjarjes ku i premtuar të pandehurve se do t'i kalonte ilegalisht drejt Greqisë më 8 dhjetor 2008, dhe gjatë kalimit të kufirit do t'i jepte nga një çantë me hashash për të cilën do paguheshin me nga 250 euro secili.
Të nesërmen të katër të pandehurit e sipërpërmendur kanë vajtur në Gjirokastër me automjete të ndryshme dhe kanë pritur në stacionin e furgonëve në Gjirokastër që të vinte i pandehuri Hoxha, por, i pandehuri i shpallur në kërkim nuk kishte vajtur, pasi kishte braktisur makinën në afërsi të një postblloku policie, pasi ishte pikasur se po transportonte drogë.
Të dënuarit
Ervin Hoxha (Kalalis), 9 vite burg
Klevin Tomorri, 2 vite burg
Andi Nazeraj, 2 vite burg
Ervin Saliaj, 2 vite burg
Shkëlzen Lamçe, 2 vite burg
Arrestimi
Kapet grabitësi i varëseve të grave
TIRANË - Një i ri është arrestuar dje nga efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 3 në kryeqytet, i dyshuar për grabitjen me dhunë të një gruaje pak ditë më parë, së cilës i kishte tërhequr varësen me forcë nga qafa. Ndërkaq burime zyrtare të policisë pohuan se i arrestuari është i dyshuar për krime të tjera të kësaj natyre ndërsa presin kallëzimet e të dëmtuarve të ndryshëm. 21 vjeçari lindur në Kukës dhe banues në Has, është arrestuar nga policia si i dyshuar për marrjen me dhunë të varëses së floririt, ngjarje kjo e ndodhur që më datë 8 korrik në rrugën "Don Bosko". Mësohet se arrestimi i të riut ka ardhur pas denoncimit që ka bërë në polici e dëmtuara. Ky i fundit është person me precedentë të mëparshëm penale, pasi ka qenë i dënuar për akuzën e vjedhjes. Pas kryerjes së veprimeve të policisë, materialet hetimore në ngarkim të 21- vjeçarit Bega do t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për akuzën e vjedhjes me dhunë. Dyshimet e policisë janë ngritur për rreth 6 ngjarje të tjera të kësaj natyre, ndërsa janë marrë disa kallëzime të disa të dëmtuarave.