E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigranti mbyt fëmijën shtatë muajshe

Një emigrant shqiptar mbyti dje fëmijën e tij 7-muajsh që kishte lindur me të meta fizike. 

MARKO CAKA/ ATHINE

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Athinë, kur Festim Mullari, 33 vjeç, kreu aktin makabër ndaj fëmijës së tij vetëm 7-muajsh. Sipas policisë së kryeqytetit helen, krimi është kryer në shtëpinë ku banon familja shqiptare në rrugën “Elefterios Venizelos 34”, që ndodhet në lagjen “Ajos Anargjiros” të Athinës. Sipas hetimeve të para, shkaku i ngjarjes ka qenë një zënkë mes prindërve të fëmijës 7-muajsh. Të paktën rrëfimi i tij në polici në momentin e arrestimit, ka bërë që organet hetimore të kenë një tablo të ngjarjes së rëndë që tronditi gjithë opinionin vendas si dhe vetë policët. Pikërisht efektivët e antikrimit në kryeqytetin grek, pohuan pas seancës së pyetjeve që zgjati disa orë të kishin dëgjuar prej babait-vrasës Festim Mullari, detaje tragjike të ngjarjes së shëmtuar.
Ngjarja
Sipas policisë, Festim Mullari kishte hyrë në orët e vona të natës në banesën e tij në gjendje të dehur. Pasi kishte shkëmbyer fjalë fyese dhe kërcënuese me bashkëshorten e tij, ajo ishte detyruar të braktiste shtëpinë dhe të strehohej te fqinjët e tyre, edhe këta shqiptarë. Me largimin e bashkëshortes nga banesa, Festim Mullari i është drejtuar krevatit të fëmijës së vogël, djalit 7-muajsh duke e mbytur me duar. Pasi ka kryer krimin e rëndë, Mullari ka dalë prej banesës ku jetonte familja e tij për të lajmëruar kushëririn e tij, fqinjët dhe bashkëshorten që kishte përzënë vetëm pak minuta më parë. Pas kësaj ai u tregon atyre për ngjarjen e shëmtuar, ndërsa vëllai i tij pasi ka mësuar krimin i ka telefonuar shërbimit policor, ku efektivët e mbërritur në vendngjarje kanë kryer prangosjen e emigrantit shqiptar Festim Mullari në flagrancë.
Rrëfimi
Policët dhe ekspertët e antikrimit të mbërritur në vendngjarje kanë gjetur trupin e vogëlushit mbi krevatin e tij me shenja të qarta të duarve të babait në lëkurën e tij të brishtë. Pyetjeve të agjentëve të antikrimit, i arrestuari Mullari mësohet se u është përgjigjur se nuk mund të duronte më teksa shihte fëmijën e tij vetëm në krevat, pasi vogëlushi vuante prej një sëmundje të rëndë dhe kishte lindur me të meta të theksuara fizike. “Prej 7 muajsh jeta jonë ishte kthyer në një makth të vërtetë. Djali ynë lindi me dëmtime dhe mjekët përveçse na merrnin para, nuk mund të bënin asgjë tjetër. U lodha, nuk kishim më lot, nuk mundeshim më”, mësohet të ketë deklaruar ai përpara hetuesve grekë, ndërsa ka shtuar: “Piva që të gjeja forcë dhe të bëja atë që pak njerëz mund ta bëjnë”. Ndërsa në fund, duke kërkuar ndjesë për krimin e shëmtuar ai ka pohuar: “Më vjen turp për atë që bëra, më falni”.
Krimi
Policia greke pohoi pas marrjes në pyetje të babait-vrasës se qetësia me të cilën 33-vjeçari tregonte rrethanat e ngjarjes, ka hutuar edhe vetë agjentët. Përfaqësues të policisë kanë deklaruar mesditën e djeshme për mediat se rrallëherë u kishte ndodhur që një prind, pasi të ketë vrarë fëmijën e vet të tregojë detajet e ngjarjes me gjakftohtësi. Trupi i vogëlushit u dërgua në morgun e Athinës, ku iu nënshtrua edhe ekzaminimit mjekoligjor për të përcaktuar shkencërisht shkaqet e vdekjes. Ndërsa babai vrasës Festim Mullari, gjatë ditës së sotme pritet të dërgohet në Gjykatën e Athinës për t’iu vendosur masa e sigurisë. Paraprakisht mësohet se ai do të mbahet i izoluar në qeli të veçantë prej të ndaluarve të tjerë, prej frikës së linçimit të tij prej bashkëvuajtësve në burg. Kjo për faktin se mendohet që të burgosurit e tjerë mund ta vrasin atë, duke u nisur nga krimi i shëmtuar.

Opinioni grek dënon vrasjen e foshnjës nga emigranti shqiptar

ATHINE – Kryeqyteti grek është tronditur mesditën e djeshme, kur mediat vendase duke cituar deklaratat zyrtare të policisë së Athinës, kanë përcjellë krimin e rëndë të ndodhur në familjen e emigrantit shqiptar, ndërsa kanë pohuar se autori i ngjarjes së shëmtuar ishte babai i djalit 7-muajsh. Për më tepër policia helene ka pohuar se pak pas mesnate, babai i fëmijës, emigranti 33-vjeçar Festim Mullari, pasi kishte kryer aktin makabër të mbytjes së të birit, ka thirrur vëllain e tij që banonte në një ndërtesë ngjitur me shtëpinë e tij dhe i ka kërkuar ndihmë me pretendimin se fëmija nuk ndihej mirë. Ndërsa ai sapo ka mbërritur ka konstatuar se nipi 7-muajsh kishte ndërruar jetë dhe ka lajmëruar në telefon spitalin dhe policinë. Ndërsa mjekët ligjorë që kanë shkuar në vendngjarje kanë pranuar se shenjat rreth qafës së djalit 7-muajsh ishin pasojë e shtrëngimit të kryer nga i ati. Kurse ky, i arrestuar për vrasjen makabre, ka deponuar se kishte kryer aktin e shëmtuar ndaj djalit të tij pasi ai kishte lindur me probleme shëndetësore. Mediat greke, duke dhënë detaje për ngjarjen, kanë pohuar se djali i çiftit Mullari, pas lindjes së parakohshme kishte jetuar përreth katër muaj në inkubator. Pasi kishte dalë nga inkubatori, ai kishte paralizë të disa gjymtyrëve dhe probleme në veshka. Sipas babait-vrasës, fatkeqësia ishte e pamundur të përballohej ekonomikisht nga familja e tij, ndaj kishte filluar të konsumonte sasi të konsiderueshme alkooli për të përballuar dhimbjen. Ndërsa fqinjët e familjes Mullari pohuan dje për mediat greke, se kohët e fundit Festimi 33–vjeçar ushtronte dhunë edhe mbi bashkëshorten e tij, gjë të cilën e kishte bërë edhe pak minuta para krimit ndaj të birit, duke e detyruar gruan të largohej nga banesa dhe të strehohej te disa kushërinj të saj.

7 muajsh
ishte mosha e djalit që vdiq si pasojë e mbytjes nga i ati i tij. Shkak për krimin e shëmtuar që tronditi Athinën ishte fakti që fëmija kishte lindur me të meta fizike.

33 vjeç
është mosha e Festim Mullarit, emigrantit shqiptar që jeton prej vitesh familjarisht në kryeqytetin helen. Dje nën efektin e alkoolit të shumtë të konsumuar ai vrau djalin.

101 vite
burg, ose e thënë ndryshe, dënimin maksimal rrezikon të marrë nga drejtësia greke, shqiptari Festim Mullari, autori i dyshuar i krimit të shëmtuar të një dite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›