E Diel, 1 Nëntor 2026

“Luanin e detyruan me dhunë të pranonte vrasjen që s’e ka bërë”

 

Nga i dërguari ynë në Kuçovë, Ferdinand Dervishi

Shefqet Mara është një grusht plak. Ka pamjen e një njeriu të stërmunduar, sikur goditjet t’i vinin nga të gjitha anët dhe ta detyronin të mblidhej e mblidhej, duke i dhuruar hapësirës shumicën e hijes së vet. Por mendjen e ka top. Edhe pse ka parë me sytë e vet familjen e djalit të madh, më të mbarit që kishte, të masakruar. Edhe pse ka parë që për këtë vrasje t’i mbyllin në burg djalin e vogël, Luanin. Edhe pse pak ditë më parë, më 23 maj, ka dëgjuar gjykatësin të shqiptojë: “Luani është fajtor. Dënohet me burg përjetë”. Tashmë fare i vockël, përballë shtëpisë së madhe të të birit të vrarë, thotë se përmasat e vërteta të tragjedisë i ndien vetëm ai. Se ka mbetur fare i vetëm. Se i kanë kthyer shpinën që të gjithë. Se fukarai gjithmonë humbet. Se shteti e ka dënuar gjithë familjen e tij vetëm për shkak të opinionit.
Zoti Mara, mund të na rrëfeni se çfarë ka ndodhur një natë para se të ndodhte ngjarja? Lëvizjet e Luanit më tepër.
Më 9 shkurt 2006, të dy çunat, Shpëtimi me Luanin, ndihmuan mbesën, Meritën, të priste drutë e zjarrit në Kuçovë. Ikën që në mëngjes me motor, atë mjet lëvizës kishim. U kthyen rreth orës 16:30. Ishin bërë qull, sepse i kishte zënë shiu rrugës. Shtëpia e parë në radhë është imja. Luani rrinte me ne, pleqtë. Siç ishte i lagur ai u fut pas sobës. Ndërsa Shpëtimi nuk u fut. Për herë të fundit do ta mbaj mend të lagur, te dera, me kokoren e motorit në duar. I thashë të futej, por ai më tha se më mirë po shkonte në shtëpi. Në fund shtoi se kishte djalin, Artiolin pa qejf, të sëmurë. Iku. Kujtoj se Luanit të lagur deri në palcë iu dogj xhupi pas sobës. Rreth orës gjashtë pa një çerek Luani u ngrit dhe shkoi te Shpëtimi për të parë djalin. E donte shumë Artiolin dhe e mbante gjithë ditën kalaqafë. Në shtëpi u kthye rreth orës 18:15. Na thotë: Sa budalla ai Shpëtimi, djali po luante me biçikletë, ishte për mrekulli. Më pas na ka rrëfyer edhe se si e kishte pritur i vëllai. Se nusja, Floria, e kishte pyetur për kafe. Se Shpëtimi i kishte folur të shoqes me ton urdhërues: Edhe më ndenjke akoma! Se Luani i kishte thënë të vëllait: Kafe kam pirë, por po të shoqëroj me një gotë raki.
Pra, Luani u kthye në shtëpi, më tej ç’mbani mend?
Pamë televizorin. Atë ditë ndoqëm edhe “Fiks Fare”. Duhet të kemi rënë të flemë aty rreth orës 21:30. Luani shkoi në dhomën e vet. Nusja e tij Klarita, nuk ishte atë ditë. Ishte nga i ati.
Si e mësuat për vrasjen e të gjithëve në familjen e Shpëtimit?
Atë mëngjes, djali tjetër, Iliri, që ka shtëpinë ngjitur me Shpëtimin, kishte tentuar të shkonte te Shpëtimi, por nuk ishte futur pasi kishte parë derën mbyllur. Kjo ishte e pazakontë. Na thotë: Mos ka ikur Shpëtimi natën në spital? I them. Ik shiko, nëse ka shkuar në spital, na bëj zile. Iliri shkon, hap derën i pari. Dera e jashtme ishte e mbyllur, por jo me kyç. Në këtë moment dëgjojmë ulërimat e Ilirit. Çunat ma thanë se na kishin vrarë, se na kishin zhdukur krejt familjen e Shpëtimit, por nuk më lanë të shkoja të shihja se ç’kishte ndodhur. Shpejt erdhi policia, e lajmëruar nga arsimtarët që kishin kaluar aty me autobus. Më pas Iliri më rrëfeu se si i kishte gjetur. Shpëtimi ishte i ulur në divan me djalin në prehër. I vogli kishte vdekur me bukë në gojë. Atë ditë e ëma i kishte gatuar revani. E pëlqente shumë këtë ëmbëlsirë. Revani kishte në gojë. Shpëtimi kishte ende në duar pultin e televizorit, ndërsa e shoqja ishte rrokullisur te këmbët e tij, përmbys. Ishte shtatzënë, 4-5 muajsh.
Zoti Shefqet, policia fillimisht ka pasur një tjetër pistë për vrasjen. A mund ta na rrëfeni pak më hollësisht?
Policia fillimisht na u duk në rrugë të drejtë për të gjetur autorin. Ishte Tonin Vocaj ai që këmbënguli. Më pyeti për një lidhje martesore të dështuar timen të shumë viteve të shkuara. Pra, unë u martova dhe më pas u ndava nga një grua. Në anët tona në kësi rastesh fiset nuk bëjnë më miqësi me njëri-tjetrin. Zakone të vjetra. Por një djalë nga fisi ynë, Armando Mara, djali i djalit të vëllait tim, ishte lidhur me një vajzë pikërisht nga fisi i ish-gruas sime. Vijnë të më takojnë të afërmit e tij. Më thonë se donin të merrnin nuse për Armandin në atë fisin e gruas që unë kisha ndarë dikur. Unë nuk rashë dakord. Kujtoj se fjalët e fundit të mia kanë qenë: Për mua merreni nuse, unë nuk jam. Përfundimisht prishja e fejesës m’u faturua mua. Edhe pse u kërkova kushërinjve një ballafaqim. Ka pasur edhe një bisedë mes vëllait tim të madh, pra gjyshit të Armando Marës, meje dhe Shpëtimit, djalit tim të madh. Madje kujtoj se Shpëtimi i tha xhaxhait të vet: Po ta kishin vrarë ata të këtij fisit tjetër babin, do e merrnit atë nuse? Kujtoj se im vëlla iku i zemëruar. Në këtë kohë Shpëtimi ndezi motorin duke i kërkuar ta shoqëronte, por ai refuzoi. Ishte fundi i vitit 2005. Pas këtij sherri pranë shtëpisë sonë nisën të shtinin me armë natën. Mësuam se ishte Armandua që qëllonte. Ai ka një serë prodhimi domatesh para shtëpive tona. Pastaj ndodhi ngjarja. Dikush na mori Shpëtimin me gjithë familje. Dikur policia e kapi Armandon, i gjeti edhe një armë. E dhanë televizionet: U kap vrasësi. Por atë e lanë sërish të lirë.    
Zoti Shefqet, ju akuzoni policinë se ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve tuaj, a mund na rrëfeni më hollësisht?
Dhuna nisi që ditën e varrimit. Luanin dhe Ilirin i morën ata të policisë së Kuçovës dhe i rrahën. Erdhën në ceremoni gjithë shenja. Më tej të gjithë kaluam orë të tëra në polici. Një ditë erdhën na morën të gjithëve. Na thanë: Do t’ju takojë ministri, Sokol Olldashi. Por përfunduam në qelitë e komisariatit të Kuçovës. Por nuk po e vrasim mendjen se ç’kemi hequr qelive. Problemi është se Luanin, djalin që sapodënuan me burg përjetë, ata të policisë dhe të prokurorisë e detyruan me dhunë të pranonte një krim që s’e kishte bërë. E kanë mbajtur të lidhur pas karriges për pesë ditë e pesë net, duke e torturuar me radhë. Në të njëjtën kohë, në një qeli tjetër torturonin edhe Ilirin, djalin tjetër. Nuk arrij të t’i tregoj të gjitha. Duhen ditë e net. Luani ka firmosur se e ka bërë ai vrasjen, në një kohë kur presioni psikologjik dhe dhuna e kanë mposhtur. Mjafton të të rrëfej se edhe djali tjetër, Iliri, që e mbajtën të lidhur njëlloj si Luani për tri ditë e tri net, më tha se për pak sa nuk kishte firmosur se ishte ai vrasësi. Por Iliri shpëtoi, se u thye Luani i pari. Pra duhet të kuptoni se çdo i pafajshëm i ulur në atë karrige pas pesë ditësh tortura do pranonte të bënte të bardhën të zezë, mjaft që të shpëtonte për momentin. Që Luanin e kanë rrahur e vërteton edhe raporti mjekësor i marrë pas një vizite një ditë më pas, më 30 tetor 2006. Por gjykata nuk pa provat, u verbua nga paragjykimi, nga opinioni.   

Zhdukja e familjes në Kozare, krimi më i rëndë gjatë 2006

Tashmë drejtësia shqiptare ka një fajtor zyrtar për krimin e shëmtuar të 2 shkurtit 2006, kur një familje e tërë në fshatin Kozare të Kuçovës u ekzekutua në rrethana të vështira për t’u zbardhur. Ai quhet Luan Mara dhe është i vëllai i vogël i viktimës Shpëtim, që u gjet i vrarë së bashku me bashkëshorten, Florien dhe djalin e tyre, Artiolin 2-vjeçar. Për të ardhur në këtë përfundim, policisë dhe prokurorisë së Beratit i është dashur të investohet për një kohë të gjatë. Pasi ngjarja kishte pak prova për të shkuar te një i akuzuar. Kjo, sepse autori i krimit kishte bërë një “punë të pastër”. I armatosur me një kallashnikov, ai vetëm sa kishte larguar me këmbë derën e kuzhinës ku familja ishte duke parë televizor dhe kishte qëlluar duke i vrarë që të gjithë. Pra të vetmet prova ishin një shenjë këpuce në derë dhe gëzhojat e armës, pasi nuk kishte edhe dëshmitarë. Fillimisht policia dyshon për autor një kushëri të familjes Mara, që kishte mbetur i pakënaqur për shkak të një fejese të prishur. Madje këtij i gjendet edhe një kallashnikov i groposur nën dhe. Por arma nuk korrespondon me atë të përdorur natën e krimit dhe në këtë moment policia thyhet. Gjashtë muaj më pas policia i rikthehet të njëjtës ngjarje, këtë radhë duke u fokusuar te vëllai i vogël i Shpëtimit. Sipas një të dhëne të saj, Luan Mara, gjatë kohës që Shpëtimi ishte emigrant në Greqi, flinte në shtëpinë e vëllait, pra kishte në kujdestari nusen e tij dhe fëmijën dyvjeçar. Duke dyshuar se vrasja mund të ketë ardhur si pasojë e zbulimit nga vëllai i madh të një historie dashurie mes vëllait të tij të vogël e nuses së vet, policia i mëshon këtij varianti. Kështu, më 29 tetor 2006, gjashtë muaj pas ngjarjes, Luani, i marrë në pyetje, pohon se ishte ai autori. Pas një viti e gjysmë, më 23 maj 2008, Gjykata e Beratit e dënoi Luan Marën me “burg përjetë”.

“Ja si e dënuan Luanin pa asnjë provë”

Njeriu që ka mbetur krejtësisht i shokuar nga vendimi i Gjykatës së Beratit, është Dilaver Bengasi, avokati i Luan Marës. Ka punuar një jetë në organet e drejtësisë në dy sisteme dhe duket këtë radhë ndihet vërtet i zhgënjyer.

Ferdinand Dervishi

“Të paktën të vendosnin ‘burgim përjetë’ të mbështetur në një provë të vetme. Është turp. Provinca paska mbetur shumë mbrapa. Nuk mund të vendosë një trup gjykues mbi bazën, qoftë të thashethemeve, qoftë të paragjykimit”, thotë Bengasi, që është i sigurt se kjo histori të paktën do të thyejë qafën në Gjykatën e Lartë, aty ku nuk kalon dot pa prova.
Sipas Bengasit, prokuroria e Beratit paraqiti si prova para gjykatës dokumentin e vetëdeklarimit të Luan Marës, sipas të cilit ai ishte vrasësi, një eksperiment hetimor, filmim, ku Luan Mara thoshte se si e kishte bërë krimin dhe një tufë me thashetheme. Ja argumentimi i Bengasit për secilën.
Pohimi i vrasjes
Sipas Bengasit, Luan Mara ka pohuar vrasjen e 2 shkurtit 2006 pas pesë ditë/netësh dhunë lidhur pas një karrigeje në qelitë e komisariatit të Policisë së Kuçovës. I marri në pyetje është lodhur aq shumë, saqë u ka thënë persekutorëve të veshur me petkun e mbrojtjes nga shteti të shkruajnë çfarë të duan. Ja çfarë shkruhet në procesverbal: “Unë deri tani kam thënë shumë gjëra e hollësi, të cilat i kam thënë me përgjegjësi, por do të kërkoja nga ju të shkruani për të gjitha ato që deklaroj...”. “Çfarë deklaroni?”. “Unë do deklaroj se autori i ngjarjes më 9 shkurt 2006 jam unë”. “Po atë ditë në komisariat është thirrur avokati i Luanit, i cili ka firmosur në fund të këtij dokumenti. Luani i ka pohuar se ishte ashtu siç shkruhej me një lëvizje të kokës dhe avokati ka firmosur. Pa e lexuar. Të njëjtin avokat e thirra në gjyq, ku pohoi para trupit gjykues se kishte firmosur pa e lexuar atë që ishte shkruar dhe se ishte nxituar”, shpjegon avokati Bengasi. Po atë ditë, prokurori i çështjes ka shkruar një tjetër dëshmi të Luan Marës. I zhveshur nga frika, Luani ka dëshmuar se një ditë më parë pohimin për vrasjen ia kanë marrë me dhunë. I njëjti prokuror ka urdhëruar ekspertimin e pretendimit të të arrestuarit te mjeku ligjor. Mjeku, pasi e ka vizituar Luanin, ka shkruar se ai ka shenja dhune në fytyrë dhe në shputat e këmbëve. “Pra, para një gjykate të një shteti evropian do të mjaftonte dëshmia e avokatit për firmën e nxituar, si dhe raporti për dhunën e ushtruar, që të krijohej një bindje për të vërtetën. Për më tepër që sipas ligjit, gjykata duhet të marrë të mirëqena vetëm ato prova e dëshmi që përsëriten edhe para saj”, thotë Bengasi.
Eksperimenti hetimor
Pasi Luan Mara ka nënshkruar se ishte ai vrasësi, policia e ka marrë dhe ka shkuar te banesa e të vëllait për të xhiruar në kamera të gjitha veprimet siç kishin ndodhur. Por ka harruar të marrë me vete një avokat, ashtu si e përcakton ligji. Avokati Bengasi, që në seancën e parë të gjyqit ka kërkuar pavlefshmërinë e këtij akti, pikërisht për shkak të mungesës së avokatit. “Por edhe po të shohësh videon, kuptohet se Luani nuk është autori i krimit, pasi polici që i rri pranë e instrukton çfarë të thotë”, thotë Bengasi. Ja një pjesë nga dialogu: “Polici: E more (armën)? Ishte e mbështjellë? Luani: Po ishte e mbështjellë me plastmas”. Më tej. “Polici: Kur e ke mbushur? Luani: Arma ishte e mbushur”.
Thashethemet
Thashethemet e fshatit thoshin se Luani, teksa i vëllai ishte në Greqi, në kurbet, shkonte me nusen e tij Florien, dhe si rezultat ajo kishte mbetur shtatzënë. Pasi Shpëtimi ishte kthyer në shtëpi, kishte akuzuar të vëllanë për prerje në besë dhe mes të dyve ishte futur sherri. Kaq. Por provat e sjella nga avokati janë krejt të ndryshme. Ishte e vërtetë që Luani për një periudhë kohore ka fjetur në shtëpinë e të vëllait, por këtë ia kishte kërkuar me ngulm vetë ai. Pra, Shpëtimi para se të ikte në Greqi i kishte kërkuar Luanit të flinte në shtëpinë e tij, nga meraku që kishte për gruan e djalin të lënë vetëm. Sipas familjarëve, fillimisht Luani kishte refuzuar për shkak të fjalëve që mund të dilnin, por Shpëtimi kishte këmbëngulur. Gjithsesi, akuza se Floria ishte shtatzënë me kunatin, Luanin, u rrëzua shkencërisht, pasi ADN-ja e fetusit të saj ishte e njëjtë me atë të të shoqit, Shpëtimit. Më tej avokati ka rrëzuar edhe pretendimin se mes dy vëllezërve ishte futur sherri. Sipas tij, në gjykatë u deklarua se një ditë para se të vritej, Shpëtimi kishte qenë te vjehrri bashkë me të shoqen. Pas një dreke familjare, ata ishin ngritur të iknin. Për ta marrë kishte ardhur Luani me motor. Fshati i vjehrrit ishte nja 5-6 km larg. Shpëtimi i kishte vënë fillimisht gruan, Florien me djalin pas motorit Luanit për t’i çuar në shtëpi. Pra e la vetëm vëllanë me të shoqen. A do kishte ndodhur kjo nëse mes të dyve do ishte futur sherri? Shpëtimin vjen e merr me rrugën e dytë po Luani. Pse Shpëtimi nuk i tha Luanit të priste te vjehrri sa ai të çonte vetë gruan dhe djalin? Po kështu, sipas avokatit, të dy vëllezërit, ditën e vrasjes, kishin punuar bashkë në Kuçovë dhe askush nuk thotë se kishin dhënë shenja ftohjeje. Ndërkohë prova të tjera të dështuara ishin edhe mosgjetja e armës atje ku Luani kishte thënë sipas deklarimit me përdhunë si dhe moskorrespondimi i gjurmës së atletes në derën e shtëpisë së Shpëtimit etj. “Unë nuk them se Luani nuk e ka bërë krimin, se nuk e di. Ajo që di të sigurt është se gjykata e dënoi atë me burg përjetë, pa asnjë gjysmë prove të vetme. Kam frikë se kjo histori me kalimin e kohës do të marrë përmasat e asaj të Remzi Hoxhës”, përfundon avokati Bengasi.

Nesër do të lexoni

Rrëfimi i vëllait të Luanit: Nga dhuna për pak pranova edhe unë se isha autori. Dhuna psikologjike ushtruar ndaj familjarëve dhe rrëfimi i Shefqet Marës: Më thanë ta pranoja unë krimin, sepse si plak që isha, do më dënonin pak

Armando Mara, i dyshuari që policia nuk e hetoi deri në fund

Policia e kishte të dyshuarin e parë. Quhej Armando Mara dhe ishte i afërt i familjes ku ndodhi tragjedia, saktësisht nip i Shefqet Marës. Pak kohë para se të ndodhte krimi, Shefqet Mara u akuzua nga vëllai i vet, që është gjyshi i Armandos, për prishjen e fejesës së këtij të fundit me një vajzë. Pas këtyre debateve, sipas Shefqetit, Armandua nisi të qëllonte me armë në afërsi të shtëpisë së tyre. Pas ngjarjes policia e arrestoi Armandon, madje i gjeti edhe një kallashnikov të fshehur, por ajo armë nuk ishte e njëjtë me atë që ishte bërë krimi. Gjithsesi, sipas avokatit Bengasi, një tjetër provë e fortë është se Armando Mara para gjykatës gënjeu për vendndodhjen e tij natën e krimit. Kjo gënjeshtër, sipas avokatit, provohet nga dëshmia e shokut të tij G.Ç., sipas të cilës “në datën 9 shkurt 2006, Armando Mara ka fjetur në shtëpinë time (në Kuçovë, 3-4 km larg Kozares)”. Ndërkohë që e shoqja e G.Ç., ka deklaruar në gjykatë se më datën 10 shkurt 2006, i shoqi me Armandon janë kthyer në orën 13:00 për të parë lajmet për vrasjen në Kozare. Vetë Armando Mara para gjykatës ka thënë se paraditen e datës 9 shkurt 2006 është nisur për në Greqi dhe se ngjarjen e ka mësuar nga Greqia, përmes një telefonate me të ëmën nga Igumenica. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›