E Diel, 1 Nëntor 2026

Merimanga e zezë rrezikon studentin

Rishfaqet “vejusha e zezë” në qarkun e Fierit. Merimanga me helm vdekjeprurës ka shënuar dje rastin e parë të pickimit për këtë vit në fshatin Afrim i Ri, zonë shumë pranë qytetit myzeqar. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Për fat, ndonëse studenti 23-vjeçar është kafshuar prej merimangës helmuese, pas ndërhyrjes së mjekëve ai i ka shpëtuar vdekjes. Kanë qenë orët e mesditës së djeshme kur A.Saliaj ka ndjerë një pickim në pjesën e parakrahut, ndërsa punonte në parcelën pranë shtëpisë. Sipas familjarëve, fillimisht i riu nuk i ka dhënë rëndësi pickimit, pasi kishte pretenduar se ishte kafshuar nga ndonjë insekt jo i rrezikshëm. Por pak minuta më vonë ai ka filluar të ndjejë plogështi, si edhe mahisje të zonës ku ishte pickuar. Pasi ka shkuar brenda në shtëpi, familjarët i kanë vendosur mbi zonën e ënjtur akull dhe pak sheqer. Por kanë mjaftuar vetëm pak minuta që Saliaj të mos ndjejë më të gjithë krahun. Në këto momente familjarët e kanë dërguar atë me urgjencë në spitalin e qytetit të Fierit, ku 23-vjeçari është vënë nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se pas ekzaminimit të vendit të pickimit nga ana e mjekëve është vërtetuar se ka qenë pikërisht merimanga e zezë ajo që për pak sa nuk i ka marrë jetën të riut. “Isha duke shkulur ca barishte në kopsht për të ndihmuar prindërit, por befas ndjeva se diçka më pickoi në dorë. U tremba se mendova për ndonjë gjarpër, ngaqë në zonën e Semanit kam parë shumë të tillë. Sa herë që kthehem nga studimet mundohem të punojë pak te tokat që kemi pranë ku është ndërtuar vreshti, por nuk e mendova që do të më frikësonte kaq”, ka pohuar për “Panorama”-n Saliaj. Ndërkohë që i riu pasi ka marrë mjekimet përgjatë gjithë ditës së djeshme ka kaluar pikën e rreziku për jetën duke u kthyer në normalitet. Mjekët janë shprehur se 23-vjeçari ishte paraqitur më temperaturë dhe me ënjtje të vendit të pickuar por fakti që i është dhënë ndihmë nga familja ende pa ardhur në spital ka shmangur rrezikun për jetën e tij. Bluzat e bardha te spitalit të Fierit kanë apeluar se kjo stinë paraqet rrezikshmëri për fshatrat prandaj edhe kujdesi duhet të jetë i madh. Qyteti i Fierit, për vetë shtrirjen e tij gjeografike, çdo vit ka qenë një vatër e rrezikshme e “vejushës së zezë”. Në çdo pranverë janë të shumtë rastet që banorët e pickimit nga ky insekt, kryesisht në zonat rurale si Cakran, Frakull, Zharrëz, Visokë dhe Vidhisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›