Mediu: ”E djathta si koalicion në zgjedhje, por secili me siglën e vet”
Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane, gjatë një vizite në Kosovë ka komentuar zgjedhjet më të fundit të së djathtës shqiptare. Sipas kryetarit republikan Mediu, koalicioni i sotëm qeveritar do të jetë i bashkuar edhe në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2009, por që çdo subjekt politik do të dalë me siglën e vet për të matur peshën e vet në elektorat. “Ka vetëm një kërkesë, që është e njohur edhe nga kryeministri Berisha, e cila është kërkesa për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Me këtë koalicion, me këtë bashkëpunim, sipas votave të secilit subjekt të ketë edhe vendet në Kuvend”, - tha Mediu. Kryetari i republikanëve u shpreh se nuk do të humbasë asnjë votë e djathtë në zgjedhjet e vitit 2009. “Ideja është që ne do të dalim në koalicion zgjedhor të përbashkët, i cili do të lehtësojë votën e secilit subjekt. Ideja është që të mos humbasim asnjë votë të Partisë Republikane, Partisë Demokratike apo ndonjë partie tjetër. Nuk mund të jetë Fatmir Mediu në listën e PD-së dhe nuk mund të përfitojë Fatmir Mediu nga votat e PD-së dhe asnjë tjetër në Partinë Demokratike”, - tha më tej Mediu. Gjithsesi, lideri i republikanëve nuk ka bërë të ditur formulën e bashkëpunimit si dhe çfarë pritet të përmbajë Kodi i ri Elektoral. Praktikisht pritet një debat i ri në lidhje me pragjet rajonale për të hyrë në Kuvend, si dhe mënyrën e ndarjes së deputetëve sipas qarqeve të caktuara.
25 Prill 2008