E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fati ynë në duart tona



Viti që skadoi do të mbetet në historinë e kombit shqiptar si një ndër datat më të rëndësishme në mbarë historinë e tij. Kur po them kështu, nuk mendoj për periudhën nga viti 1912 e këndej (sepse historia e shqiptarëve është më e vjetër se 100 vite), por për periudhën e 500 viteve të fundit, pra, që nga vdekja e Skënderbeut dhe vendosja e pushtimit osman në trojet etnike shqiptare.

Kur flasim për vitin 1878 dhe Kongresin e Berlinit, pastaj për "lojërat" ndërkombëtare që e kanë përcjellë krijimin e Shqipërisë së pavarur, është bërë zakon të thirremi në faktin se etnosi shqiptar ka qenë i dëmtuar rëndë territorialisht në të dyja prej këtyre rasteve. Kjo gati është bërë mantra e historiografisë sonë. Mantra është fjalë ose formulë e cila përsëritet deri në fund si ritual religjioz. Se mund të vendosësh vetë për fatin tënd, e tregon më së miri historia e re e Kosovës. Pavarësia nuk ka qenë diçka që i është dhuruar Kosovës nga jashtë.

Pavarësia

Sepse, kosovarët e kanë marrë fatin e vet në duart e veta kur kanë vendosur të hidhen më 1999 në luftë të armatosur me okupatorin millosheviçian. Në Bibël thuhet: "Dy duar janë përmbi kokë", pra, është e drejtë hyjnore dhe legjitime që të mbrohesh. Ka qenë tajmingu perfekt, koordinimi i rezistencës së brendshme me aksionin e jashtëm të NATO-s, me në krye SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Më duhet të them se çdo herë kur flasim për historinë e kombit tonë, vuajmë nga një dobësi evidente, e kjo është se çdo herë na e ka pasur fajin dikush tjetër për shkak se jemi dëmtuar në territore. Mirëpo, duhet të jemi realë dhe të themi se çfarë kemi bërë ne që në momentet vendimtare historike ta mbajmë fatin tonë në duart tona. E di se do të duket blasfemike nga prizmi i historianëve të epokave tona të dështuara, por duhet thënë se në shumë momente historike kemi qenë defetistë, më mirë të them, të papërgatitur dhe jashtë rrjedhave të strategjive globale dhe rajonale. Shembulli më ilustrues është periudha që i paraprin Kongresit të Berlinit dhe formimit të Lidhjes së Prizrenit. Kongresin e kemi pritur të papërgatitur për ngjarjet e reja në atë kuptim që nuk kemi mundur ta parashohim rrjedhën e ngjarjeve. Parashikimi i ngjarjeve dhe proceseve të ardhshme është kushti i parë që të zihet pozicioni i avantazhit për të ardhmen. Reagimi pas kohe është i pamëshirshëm dhe nuk ka kthim mbrapa. Okupacioni 500-vjeçar osman i ka pas lënë pasojat e veta. Nëse shikohet kronologjia e rezistencës ndaj shtetit osman, do të shihet se kjo rezistencë ka qenë më këmbëngulëse në dy shekujt e parë të okupacionit kur shqiptarët ishin nxitës të rezistencës antiturke në Ballkan. Si kanë kaluar deceniet dhe shekujt, shqiptarët kanë rënë në apati e cila erdhi si pasojë e okupacionit të gjatë, por edhe dhunës së ushtruar veçanërisht ndaj shqiptarëve të cilët për nga identiteti shpirtëror ishin boshti i asaj që edhe sot quhet kulturë perëndimore. Të kishte zgjatur ky edhe ndonjë decenie, ka ekzistuar rreziku të zhduket edhe identiteti ynë kombëtar. Kështu, në këtë vonesë e kemi pritur edhe vitin 1912. Derisa të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit i kanë pasur shtetet e tyre të pavarura nga Perandoria Osmane (Greqia, p.sh., ishte e pavarur më 1829), shqiptarët, madje edhe në kuadrin e Lidhjes së Prizrenit kërkojnë vetëm autonominë brenda Perandorisë. Ngjarjet kanë qenë më të shpejta se reagimi ynë.

Rruga deri në pavarësinë e Kosovës paraqet një kthesë në këtë drejtim. Populli shqiptar, më në fund, e hodhi lëvoren e hezitimit, të ngulitur me shekuj në vetëdijen tonë kolektive dhe doli në skenën ballkanike dhe evropiane si popull i cili vendos për vetveten.

Njohja nga fqinjët

Njohja nga Mali i Zi dhe Maqedonia ishte momenti tjetër i rëndësishëm. Jemi dëshmitarë se është duke u krijuar një realitet i ri në Ballkan, i cili shumë shpejt do të hyjë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. E ardhmja e shqiptarëve është plot shpresë, sepse më në fund, një herë në histori, nuk kemi lejuar të na shkelin ngjarjet, por përkundrazi, kemi arritur jo vetëm të kyçemi në rrjedhat strategjike evropiane, por kësaj here kemi qenë lokomotivë e ngjarjeve në Ballkanin Jugperëndimor. Për këtë dëshmon më së miri fakti se sot shqiptarët janë partneri kryesor strategjik i SHBA-së në Ballkan. Më në fund, mund të themi se më në fund, një herë kemi ecur përpara ngjarjeve dhe kështu e kemi detyruar zonjën histori që të jetë në anën tonë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›