Emin Gërbeshi përjashtohet nga AKR-ja

Vendimi vjen vetëm një ditë pasi që Gërbeshi hodhi akuza të rënda në adresë të koleges së tij, Zëvendëspresidentes së AKR’së, Mimoza Kusarit, e cila njëherësh mban edhe postin e Ministres së Tregtisë dhe Industrisë.
“Në mbështetje të kompetencave dhe përgjegjësive të parapara me Statutin e Aleancës Kosova e Re, neni 30 dhe 31, dhe në konsultim me kryesinë e ngushtë të partisë, për shkak të mosrespektimit, në vazhdimësi, të Statutit dhe të parimeve programore të AKR’së, mosrespektimit të qëndrimeve të Grupit Parlamentar, ofendimeve dhe shpifjeve publike dhe të vazhdueshme ndaj kolegëve marr vendim për përjashtim të z.Emin Gërbeshi, nga Aleanca Kosova e Re”, thuhet në një komunikatë për media të kësa partie.
“I njëjti përjashtohet edhe nga Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re. Obligohet Kryetarja e Grupit Parlamentar të ndërmarrë procedurat për zëvendësimin në Komisionet Parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, vazhdon komunikata, e cila është nënshkruar nga Behgjet Pacolli.