E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimet, KLSH zbulon abuzimet në Këshillin e Qarkut Fier

Administrata
Nga kontrolli u gjetën shkelje të rënda financiare. Nisin ndëshkimet me largime nga puna

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur shkelje të rënda financiare dhe administrative në institucionin e Këshillit të Qarkut Fier. Në raportin përfundimtar që KLSH-ja ka plotësuar pas kontrollit disamujor, ka propozuar edhe marrjen e masave konkrete nga drejtuesit të këshillit të qarkut. Lajmi konfirmohet për “Shqip” nga burimet zyrtare të institucionit në fjalë, të cilat thonë se   menjëherë pas mbërritjes së raportit janë zhvilluar dy mbledhje urgjente me drejtuesit dhe administratën. Mësohet se tre muajt e fundit të vitit 2009, një grup ekspertësh të KLSH-së kanë zbritur për kontroll në Këshillin e Qarkut. Ata kanë marrë në shqyrtim të gjitha lëvizjet financiare dhe administrative që ky institucion ka kryer gjatë viteve 2008-2009. Përveç lëvizjeve të investimeve që qarku ka kryer, nën “sitën” e kontrollit të KLSH-së, kanë qenë edhe fondet e pagave të punonjësve të administratës, shpërblimet dhe dietat. Ndërkaq, objekt kontrolli të KLSH-së kanë qenë edhe emërimet e punonjësve dhe specialistëve të administratës së këshillit gjatë kësaj periudhe. Për shumë nga këto emërime KLSH-ja ka konstatuar se nuk kanë qenë në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kodin e Punës dhe bazueshmërisë ligjore. Nuk është respektuar kriteri i arsimimit, që kërkon vendi i punës, nuk është marrë parasysh shkalla e kualifikimit, si dhe nuk janë plotësuar një seri dosjesh për shumë punonjës. Nga raporti i KLSH-së departamenti i burimeve njerëzore në këshillin e qarkut, del se ka qenë thjesht një zyrë punë për mjaft militantë dhe simpatizantë të partisë që përfaqëson edhe kryetari i këshillit. Shkelje janë gjetur dhe në zërin e prokurimeve që qarku ka kryer, si dhe në atë të pagave dhe dietave. Për fondin e pagave dhe të dietave shkeljet janë konstatuar edhe në auditimet që prefektura ka kryer përpara se KLSH-ja të niste kontrollet. Raporti i auditit të prefekturës nuk ka ndryshuar shumë nga ai i KLSH-së, veçoria mes tyre qëndron në faktin se KLSH-ja propozoi menjëherë masa ndëshkimore për shkelësit. Lidhur me raportin e KLSH-së kryetari i Këshillit të Qarkut, Luan Muçaj, mblodhi fillimisht drejtuesit e departamenteve të institucionit që drejton, duke u komunikuar atyre edhe shkeljet e konstatuara. Më pas mbledhja u zgjerua me të gjithë administratën e këshillit. Gjatë mbledhjes së dytë kryetari i këshillit ka bërë të ditur edhe masat e para që ka marrë. Ai ka firmosur largimin nga puna për disa punonjës, ndërkohë që për disa të tjerë ka vendosur uljen në detyrë. Konfirmohet se për disa do të ketë edhe ndjekje penale nga prokuroria.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›