Eminesku i injoruar – “La Steaoa..."
Për herë të parë botohet doktoratura e plotë e Lasgush Poradecit e mbrojtur në Universitetin e Gracit të Austrisë. Ky titull nuk ju njoh kurrë në diktaturë dhe as që u pagua. Ndërsa origjinali ndodhet në Austri dhe u shpërbehet të huajve me tabaka, një kopje e tij botohet për herë të parë, në dy gjuhë; shqip dhe gjermanisht. “Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore vendase” është ndër të rrallat studime, që na tregon kontributin e një personaliteti shqiptar, dhënë kulturës evropiane. Më poshtë botojmë një fragment nga teza më interesante e doktoraturës - aty ku pikëtakohen poetet e qiellit
Eminesku i injoruar – “La Steaoa..."
Në ideologjinë e tij Eminesku përfshin të gjithë thelbin e rumanizmit në zgjim e sipër, por madhështia e idealit të tij kulturor tek ai nuk mund të kuptohet plotësisht dhe menjëherë. Përmbajtja artistike e poezive të tij dilte mbi nivelin e zakonshëm arsimor të bashkëkohësve. Më e çuditshmja ishte kur mendohej që kjo përmbajtje "nuk kishte - as edhe më të voglën - lidhje me jetën e popullit rumun1". Hulumtime të mëtejshme treguan se kozmosi poetik i Emineskut i ka rrënjët të ngulura shumë thellë në psikikën popullore, edhe kur tema e poezive të tij i përkiste sferës së koncepteve të përgjithshme. Kritiku i vetëm që ka merita të veçanta për vlerësimin e lirikës së Emineskut në kuptimin estetik popullor është Titu Maioresku, i cili është i pari që ka theksuar formën popullore të poezive të tij dhe të disa rimave emineskiane të ndërtuara me ndihmën e elementëve gjuhësorë të zakonshën. Megjithatë ky ishte një fakti i veçuar, në të vërtetë Eminesku është endur në jetën e atëhershme letrare pa rënë fare në sy, për t'u bërë i famshëm vetëm pas vdekjes.
Një paraqitje figurative të këtij injorimi aktual, që pasohet edhe nga njohja post mortum, mund ta vëmë re tek poezia "La steaoa...". Këtu Eminesku sjell motivin e një ylli të shuar në gjithësi, drita e të cilit kur ai shkëlqente ishte e padukshme për shkak të largësisë së madhe, por atë ne jemi në gjendje ta shohim vetëm pas mijëravjeçarësh, ndërsa ai ka kohë që është shuar:
Drita e yllit që s'ndrin më,
Ngjitet kupës së qiellit:
Na ish, kur s'e shihte asnjë,
U tret, po vazhda mbeti.
Është e rëndësishme që lindjen e kësaj poezie ta shohim më nga afër. Kështu do të kemi mundësinë t'i hedhim një vështrim procesit të krijimit të disa prej produkteve poetike të Emineskut. Me këtë rast duhet të kujtojmë se burimet letrare origjinale janë të rralla. Falë forcës së tij të jashtëzakonshme përfytyruese, Balzaku ka thurur një botë të tërë poetike ku pasqyrohen marrëdhëniet shoqërore të kohës, megjithatë nuk mund të mbetej pa u ndikuar nga çdo ndikim i jashtëm. Te "La peau de chagrin" duket ndikimi i tregimeve fantastike të E. Th. A. Hoffmann me siguri të mjaftueshme, dhe kjo për nga pikëpamja e autenticitetit të origjinalitetit poetik përbën një rast tipik. Është e tepërt të flitet - për të përmendur disa prej më të mëdhenjve - për të folur për origjinën e "Faustit" të Gëtes, ose "Otellos" së Shekspirit, ku asnjë pjesë e tyre nuk ishte e vetë krijuar, por për secilin rast është përdorur një burim historik ose poetik.
Siç është e natyrshme edhe disa nga krijimet e Emineskut nuk janë origjinale. E tillë është poezia "Za steaoa...". Është përkthim, është imitim i poezisë së Gottfried Keller "Siehst du den Stern"? Është një krijim spontan, apo ç'është? Po atëherë çfarë? Dhe si?
Më poshtë po riprodhojmë pranë njëra tjetrës të dyja poezitë për qëllime ballafaqimi:
Në kaltërsi yllin a e sheh
Gjer lart tek ylli
Në kaltërsi yllin a e sheh?
Shkëlqimin na la pas.
Iu deshën dritës shumë vjet,
Të ndris ndër sy plot gaz.
Ndoshta kaluan një mijë vjet,
Që u bë shkrumb e hi,
Dhe rish ky vezullim i ëmbël
Na qesh në largësi.
Një qenie plot shkëlqim si ti
Na qesh e s'ndrin mbi dhe.
Ky nuri yt, o dashuri,
Mbetet dhe kur më s'je!
Kelleri
Gjer lart tek ylli
Gjer lart tek ylli që shkrep zjarr,
E gjatë mjaft kjo udhë
Të vijë te ne dritës si ar
Iu deshën vite shumë.
Ndoshta u shua dhe u tret
Në qiellin e paanë,
Por drita e tij për shumë vjet
Na ndrin ndër sytë tanë.
Drita e yllit që u shua
Në qiell ngrihet gjithnjë.
U lind ndriçoi e s'u dallua,
Tash duket po s'është më.
Kështu, kur malli na u tret
Në natën e harrimit,
Prushi i zjarrit që më s'djeg
Ndrin shtjellat e kujtimit.
Eminesku
Këtu nuk mund të bëhet fjalë thjesht për një përkthim. Përkthimi duhet të jetë një pasqyrë sesmike e origjinalit dhe duhet ta pasqyrojë përmbajtjen e tij me saktësi absolute, ndërsa formën me saktësi sa më të përafërt. Te riprodhimi emineskian bie në sy menjëherë strofa e tretë, çka te një përkthim korrekt i poezisë së Kellerit nuk do të ishte aspak i nevojshëm, bile do të ishte i tepërt, ashtu siç edhe është në të vërtetë. Atëherë çfarë ka krijuar vetë Eminesku dhe çfarë ka marrë nga origjinali gjerman. Kritiku Zaharia mendon se: "Ai nuk kishte ç'të merrte gjë tjetër përveç se krahasimit". Ndërkaq duke dyshuar edhe për këtë, ai vazhdon më tej i menduar: "Pse të mos pranojmë që ajo është shfaqur në mënyrë spontane në mendjen e poetit tonë? Dukuria që lidhet me shuarjen e yjve është diçka banale në astronomi”.
Pohime të tilla të cilat nuk i përmbahen ndonjë kriteri nuk duhet t'i pranojmë. Analiza krahasuese e poezisë, ngjarjet në jetën e Emineskut që i paraprinë krijimit të saj, rrethanat psikologjike në të cilat lindi poezia dhe së fundi shqyrtimi për këtë qëllim i dorëshkrimeve të tij, na justifikojnë nëse bëjmë përcaktimin se poezia emineskiane është një imitim në momente të gjetura me origjinalitet dhe reminishencë e poezisë së Kellerit. E përbashkët në përmbajtjen e të dy poemave është motivi i krahasimit: drita e yllit që shfaqet në qiell shumë kohë mbasi ai është shuar. Po kështu edhe renditja e imazheve, të cilat tek të dyja poezitë janë pothuajse fjalë për fjalë të njëjta: vargu 3, 4 i strofës së parë; 2 i së dytës; 1, 2, 3, 4 i strofës së fundit përputhen plotësisht në renditje si tek Eminesku ashtu edhe tek Keller:
Keller- Iu deshën dritës shumë vjet / Të ndris ndër sytë tanë.
Eminescu- Por drita e tij pas shumë vjet/ Na ndrin ndër sytë tanë...
E keshtu me radhë.
Pra në këtë rast pa dyshim kemi të bëjmë me një imitim, shpjegimi i të cilit nuk mund të imagjinohet lehtë për një poet si Eminesku në se rrethanat psikologjike në të cilat ka lindur poezia nuk i nënshtrohen një verifikimi të përshtatshëm. Është me vend të bëhet pyetja në se Eminesku e ka njohur poezinë kelleriane. Mundësia më e madhe është që ajo të mos ketë qenë e panjohur prej tij, duke pasur parasysh formimin e tij të gjerë, të cilin ai, siç u tha edhe më lart, e ka marrë kryesisht në gjermanisht dhe në truall gjerman. Që kur ishte fëmijë shkolle "ai kishte lexuar të gjithë bibliotekën në gjimnazin e Czernowicit!" ku ai i njoh edhe me kulturën gjermane, për të vazhduar më vonë studimet në Vjenë dhe në Berlin. Jo më kot shokët e tij e quanin atë "bibliotekë e gjallë".
Data e botimit të parë të poezisë është 1 dhjetor 1886 , kur Eminesku kishte kohë që vuante nga sëmundja mendore: "Më 28 qershor 1883, Eminesku pëson krizë nervore dhe shtrohet në spital". Duke filluar nga kjo datë Eminesku nuk ka qenë më në gjendje të bëjë punë normale mendore. Rehabilitimi mbas pësimit të krizës së parë nervore ka qenë vetëm relativ, dhe kjo i ka shkaktuar atij deri në fund të jetës shqetësime mendore. Kujtimet e Ririas mbi bisedat e saj me poetin, nga koha kur Eminesku e kishte humbur arsyen, përmbajnë përshkrime të çuditshme, tek të cilat bie sidomos në sy lufta e arsyetimit normal që gjallërohej kohë pas kohe kundër tronditjes së shkaktuar nga kriza nervore. Në vazhdën e mendimeve të të sëmurit inkoherenca është e shpeshtë, dhe ndonjëherë ai bie në krizë nervore në mënyrë të papritur". Te kjo gjendje mendore e sëmurë dhe krejt jonormale e Emineskut duhet të kërkohet dhe arsyeja për përligjjen e imitimit që ai ka bërë në vija të përgjithshme sipas variantit gjerman, d.m.th., e rindërtimit të origjinalit si reminishencë e poezisë kelleriane.
Pjesa poetike e Emineskut në poezinë "La steaoa..." duhet kërkuar në nuancimin origjinal të motivit kellerian, në mënyrën e konceptimit emineskian.
Kjo shprehje personale dhe karakteristike e idesë së përbashkët është për Emineskun më e rëndësishmja, ashtu siç ndodh edhe në çdo poezi tjetër. Sepse imazhet e përgjithshme në fund të fundit janë të njëjta në të gjithë botën, dhe një mendje që krijon vepra artistike mund të na tërheqë vëmendjen me veprën "e saj” kur ajo arrin që t'i gatuajë këto imazhe të përbashkëta dhe të përgjithshme në një formë karakteristike, ku rëndësi vendimtare ka trajtimi individual i intuitës estetike. Kur flasim për Shopenhauerin merita e artistit nuk qëndron "në lëndën për të cilën ai ka menduar" por "në formën d.m.th. përpunimin e lëndës, pra çfarë ai ka menduar për të". Ndërsa te Kelleri efekti krahasues do të ndodhë në të ardhmen, mbasi të ketë vdekur mikesha e poetit:
Një qenie plot shkëlqim si ti
Na qesh e s'ndrin mbi dhe.
Ky nuri yt, o dashuri,
Mbetet dhe kur më s'je!
Tek Eminesku efekti ka ndodhur tashmë në të shkuarën:
Kështu kur malli na u tret
Në natën e harrimit
Prushi i zjarrit që më s'djeg
Ndrin shtjellat e kujtimit.
***
Kryesisht njihen dy figura grash në jetën e Emineskut, dashurinë e humbur ose të shkuar dëm të të cilave e ka vajtuar zemra e ndjeshme e poetit me fjalë dhe me poezi. Kështu Eufrosina Popescu, me të cilën ai kishte rënë kaq shumë në dashuri që kur ishte fëmijë shkolle sa që për të la studimet, braktisi shkollën dhe u angazhua në trupën e teatrit ku ajo punonte si aktore. Në lidhje me këtë Stafanelli tregon për një moment interesant nga psikologjia e autorit. Mbas një argëtimi deri natën vonë Eminesku, miku i tij Stefanelli dhe kolegë të tjerë kishin dalë për të shëtitur në rrugët e Vjenës. Eminesku ishte tërë qejf, qeshte, tregonte, bënte gjeste. Për një çast ai qëndroi, lëshoi një psherëtimë nga shpirti dhe bërtiti: "Eufrosino! Eufrosino!". Kur Stefanelli e pyeti se si i shkoi mendja tek mitologjia, Eminesku sqaroi se nuk ishte aspak mitologji, porse "Eufrosina e tij" "Eufrosina Popesk" kishte ekzistuar me të vërtetë.
Në këtë mënyrë do ta kujtonte miku i tij vajzën e re të trupës së teatrit.
Në mënyrë të veçantë Emineskut i ka shkaktuar dhimbje dhe vuajtje dashuria e tij tronditëse për Veronica Micle. Mbas shumë keqkuptimesh të dyanshme e të përsëritura dy të dashuruarit ndahen... bashkohen përsëri... braktisin njëri-tjetrin "përgjithmonë" në varësi të momentit të gjendjes sentimentale. "Megjithatë dashurisë sonë të sinqertë dhe të pafajshme do t'i vinte një fund" shkruan Veronika Micle pothuajse në prag të vdekjes në vitin 1889. Por disa vite më parë në lidhje me këtë dashuri të pafat Eminesku i bën asaj disa aludime tepër prekëse:
Ç'është dashuria? Oqean
Plot dhimbje e gëzime.
Në dallgë lotësh nis lundron
Me ëndrra e zhgënjime.
Shënim: Pjesa është e shkëputur nga teza e parë e doktoraturës “Eminesku i injoruar: “La steaoa””