E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikat qeveritare ulin varfërinë



Reformat e ndërmarra nga qeveria, të cilët janë pasqyruar në rritjen ekonomike, në rritjen e pagave dhe pensioneve, kanë ndikuar direkt në uljen e varfërisë së qytetarëve shqiptare. Shqiptarët rezultojnë më pak të varfër në vitin 2008 sesa ishin në vitin 2005. Një studim i kryer bashkërisht nga një grup specialistësh të INSTAT-it, PNUD-it dhe Bankës Botërore, nxori si rezultat se Shqipëria vazhdon të provojë ulje të ndjeshme të varfërisë në periudhën 2005-2008. Treguesit e uljes së varfërisë në Shqipëri janë vlerësuar dhe nga përfaqësuesja e BB-së në Shqipëri, Camille Nuamah, e cila deklaroi se varfëria në Shqipëri është ulur si rezultat i rritjes ekonomike. Sipas Nuamah, Shqipëria tani po ecën drejt një stadi të ri, nga tranzicioni drejt ekonomisë së tregut. Ndërkohë, nga përfaqësuesi i qeverisë në prezantimin e këtij studimi, këshilltari i Kryeministrit, Selami Xhepa, u theksua se qeveria i ka marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë, pasi ka fonde kontigjence të cilat mund të përdoren nëse efektet e krizës globale prekin këto kategori.

Ndërsa, drejtorja e përgjithshme e INSTAT-it, Ines Nurja, tha dje se kjo anketë paraqet një fotografi të realitetit social të shqiptarëve dhe ecurisë së kushteve të jetesës së tyre nga viti 2005 deri në vitin 2008. “Për institutin tonë, Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës është një nga momentet më të rëndësishme, për vetë ndikimin që ka, në vlerësimin dhe ndërhyrjen me politika të përshtatshme në zhvillimin e vendit. Pikërisht, duke njohur këtë rëndësi, kemi insistuar në kryerjen - dhe më me cilësi - të kësaj ankete”, - tha Nurja. Ajo theksoi se duke qenë indikatori më i rëndësishëm social, edhe periodiciteti i kësaj ankete është thelbësor, jo thjesht për të treguar ndryshimin e përqindjes së të varfërve, por edhe për të monitoruar dhe analizuar politikat e ndërmarra në periudhën ndërmjet. Nurja tha se shifra e varfërisë prezanton nivelin e varfërisë, por edhe metodën e matjes së saj, duke përfshirë indikatorë shtesë, ndaj kuptimi i drejtë i mënyrës së matjes është thelbësor për interpretimin e varfërisë dhe gjetjen e zgjidhjeve më të targetuara.

Shqiptarët, më pak të varfër në 2008-n se në 2005-n

Studimi bazohet në të dhënat e mbledhura nëpërmjet Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës nga një kampion familjesh përfaqësuese për të gjithë popullsinë. Në anketat e kryera në periudhat prill-qershor të vitit 2002, maj-qershor të vitit 2005 dhe qershor-gusht 2008, u intervistuan afërsisht 3.600 familje. Gjithashtu, u kryen intervista pranë familjeve bujqësore të përftuara nga të njëjtët kampionë në tetor 2005 dhe nëntor 2008. Rezultatet për 2008-n tregojnë se 12.4% e popullsisë është e varfër kundrejt 18.5% në 2005-n dhe 25.4% në 2002-shin. Kjo tregon se rreth 200,000 persona nga rreth 575,000 që ishin të varfër në vitin 2005 kanë dalë nga varfëria vetëm gjatë periudhës 2005 deri në 2008. Varfëria është përkufizuar si pamundësia e personave për të shpenzuar të paktën 5.722 lekë në muaj për frymë në 2008 (ose 4.891 lekë për frymë në muaj në 2002-shin). Niveli i lartë i rritjes ekonomike që ka përjetuar Shqipëria në 11 vitet e fundit - mesatarisht 7.1 për qind rritje në vit që nga 1998-a - së bashku me një rritje mesatare të pagave (në terma reale) prej 36.5 për qind në vitet 2005-2008, dhe të pensioneve në vitet 2005-2007 me 17.4 për qind, ka kontribuar në këto rezultate. Si rezultat, konsumi mesatar për frymë në terma reale është rritur me 7.0 për qind që nga 2005-a. Rezultatet e anketës tregojnë një ulje të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale në periudhën 2005-2008. Zvogëlimi i shpejtë i varfërisë në zonat rurale nënkupton që varfëria mund të mos përbëjë më një problem kryesisht rural. Zona të tjera të Shqipërisë vazhdojnë të provojnë ulje të rëndësishme të nivelit të varfërisë. Zonat qendrore kanë pasur uljen më të madhe të nivelit të varfërisë që nga viti 2005. Sidoqoftë, të dhënat tregojnë një ngadalësim të dukshëm të reduktimit të varfërisë në zonat malore, ku varfëria vazhdon të shfaqë nivelin më të lartë si dhe ulje jo të rëndësishme që nga 2005. Roli i rëndësishëm i rritjes së qëndrueshme ekonomike si dhe i reformave ekonomike, që kanë çuar në qëndrueshmërinë makroekonomike, qeverisjen e përmirësuar, zhvillimin e investimeve në sektorin privat, përftimin e shërbimeve sociale publike (arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale), si dhe infrastrukturën e zgjeruar, duhet të vazhdojnë të mbahen në të njëjtat nivele në mënyrë që të mbahen të ulëta edhe nivelet e varfërisë. Njëkohësisht, duke i drejtuar përpjekjet në zgjidhjen e problemeve të zonës malore, do të arrihet një ulje më e shpejtë e varfërisë në të ardhmen.

Përqindja që zënë shpenzimet për arsim ndaj totalit të konsumit real për frymë, shfaqin rritjen më të madhe që nga viti 2005 krahasuar me zërat e tjerë. Shpenzimet për arsim dhe përqindja e tij ndaj totalit në vitin 2008, janë rritur përkatësisht me rreth 57% dhe 53% që nga viti 2005.

BOX

BB: Varfëria është ulur si rezultat i rritjes ekonomike

Varfëria në Shqipëri është ulur si pasojë e rritjes ekonomike. Tani një familje në zonat rurale apo ato malore shpenzon më shumë në një muaj sesa ka pasë shpenzuar në vitin 2005. Një fakt të tillë e ka pranuar edhe përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, gjatë prezantimit të rezultateve të Anketës së Matjes së Nivelit të Jetesës në Shqipëri. "Ne, sikurse të gjithë shqiptarët, vërejmë me kënaqësi të madhe uljen e qëndrueshme të varfërisë, ndërsa vendi lëviz nga tranzicioni drejt ekonomisë së tregut", - deklaroi dje përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë.

Nuamah tha dje se ky progres është një provë jo vetëm për shpirtin e vazhdueshëm sipërmarrës, që në këtë tranzicion ka mundur të marrë çdo avantazh, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, për të përmirësuar kushtet përmes punës së madhe, kursimeve dhe investimeve, por edhe për përmirësimin e kapaciteteve të tyre përmes trajnimit dhe arsimit. “Rezultatet tregojnë se varfëria në vend ka vazhduar të ulet në mënyrë të qëndrueshme, si rezultat i rritjes së vazhdueshme ekonomike dhe rritjes graduale të të ardhurave", - tha Nuamah. Sipas saj, rezultatet e bëra publike dje tregojnë gjithashtu se ndërsa vendi zhvillohet, specifika e varfërisë po ndryshon. Në emër të Bankës Botërore, znj. Nuamah u shpreh e kënaqur për mbështetjen që BB-ja ka dhënë gjatë dekadës së fundit për edicionet periodike të Anketës së Matjes së Nivelit të Jetesës në Shqipëri.

Ngushtohet varfëria mes rajoneve të vendit

Sipas studimit, ndryshimet në normat e varfërisë midis rajoneve të përcaktuara si katër strata, janë ngushtuar në krahasim me vitin 2005, me përjashtim të zonave të rajonit malor. Për shembull, në zonat e rajonit qendror, të cilat shfaqin uljen më të madhe të varfërisë, 10.0% e popullsisë është e varfër në krahasim me 21.2% në vitin 2005. Zonat e rajonit bregdetar gjithashtu kanë përjetuar një rënie të konsiderueshme në varfëri. Krahasuar me vitin 2005, përqindja e popullsisë së varfër është ulur nga 16.2% në 2005-n në 13.0% në 2008-n. Ndryshe nga zonat qendrore dhe bregdetare, zonat malore kanë mbetur prapa, duke zgjeruar e distancën me zonat e tjera. Tirana gjithashtu, megjithëse shfaq nivelin më të ulët të varfërisë, nuk ka pasur reduktim të mëtejshëm në krahasim me vitin 2005. Përqindja e të varfërve në zonat malore ka një përvojë të papërfillshme duke ndryshuar nga 25,6% në 2005-n në 26.6% në 2008-n. Brenda rajonit malor, problemi shfaqet në zonat rurale. Varfëria rurale në të gjitha rajonet e tjera ka përjetuar një rënie të ndjeshme në vitin 2008, megjithatë në rajonin malor, varfëria rurale ka qëndruar pothuajse e njëjtë. Më konkretisht, ndërsa në rajonet rurale shkalla e varfërisë ishte 67% më e lartë se niveli kombëtar i zonave rurale në vitin 2002 dhe vetëm 14% më e lartë në vitin 2005, tani është 114,5% më e lartë. Nga ana tjetër, norma e varfërisë rurale për çdo rajon tjetër në vitin 2008 është nën nivelin e varfërisë kombëtare rurale që variojnë nga 4.8% më pak në 13.7% më shumë. Kjo tregon një rënie të konsiderueshme në krahasim me 2005-n dhe sidomos me 2002-shin, kur kishte një shtrirje më të gjerë (p.sh. ato varionin nga 20 pikë përqindje më shumë në 8 pikë përqindje më pak).

Rënie e shpejtë e shkallës së varfërisë rurale

Sipas studimit, varfëria rurale ka rënë me rreth 47%, varfëria urbane u ul me 1.2%. Në këtë mënyrë, ndërsa shkalla e varfërisë në zonat rurale pësoi rënie nga 24.2% në 2005-n në 14.6% në 2008-n, linja e varfërisë në zonat urbane ra nga 11.2% në 10.1%. Për më tepër, edhe brenda zonave rurale, shkalla e reduktimit të varfërisë është dukshëm më e lartë në rajonin qendror krahasuar me zonat rurale të rajoneve të tjera (Figura 3). Përkundër një reduktimi të ndjeshëm të varfërisë në zonat rurale në përgjithësi, të varfrit janë ende të përqendruar në zonat rurale të rajonit malor. Treguesit e tjerë të varfërisë në zonat rurale tregojnë gjithashtu një rënie më të madhe, megjithëse treguesi i hendekut (thellësia) i varfërisë për zonat rurale është 2.6% në vitin 2008, krahasuar me 1.9% në zonat urbane; për zonat rurale, kjo është një ulje prej 57% nga niveli i vitit 2005, ndërkohë që për zonat urbane ka pasur një ulje prej 30%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›