Pozita ndërkombëtare, përparësi më shumë se elektorale e Berishës
Nga Nebil Çika
Duket se një nga “armët” kryesore elektorale të mazhorancës “Berisha” do të jenë arritjet në politikën e jashtme të qeverisjes së saj, sigurisht më e suksesshmja në historinë e deritanishme të shtetit e kombit shqiptar. Nuk duket e nevojshme të përmenden të gjitha përpjekjet dhe arritjet politike e diplomatike, pasi mjafton vetëm anëtarësimi në NATO dhe ratifikimi i MSA-së me BE-Në për të kuptuar në kapacitet të plotë dimensionin e suksesit të paimagjinueshëm të pozitës ndërkombëtare të Shqipërisë nën qeverisjen “Berisha”. Natyrisht që ky sukses është edhe derivat i politikave të brendshme, por dua të ngelemi tek politika e jashtme, pasi ky sukses është “ekskluziv” i qeverisjes “Berisha”.
Me gjithë arritjen e jashtëzakonshme në këtë pjesë të qeverisjes opozita dhe mediat e saj po mundohen të minimizojnë efektin elektoral të suksesit duke u munduar ta paraqesin situatën si pjesë e planeve gjeopolitike euroatlantike dhe jo arritje të qeverisë. Mirëpo kontrasti i politikës shqiptare në raportet ndërkombëtare është aq i fortë, sa e pamundëson propagandën nihiliste politiko- mediatike të opozitës.
Ndërkohë, ka një fenomen permanent në këto katër vite të qeverisjes së PD-së, që përbën qartësisht një sinjal të fortë për publikun për sa u përket rolit të krahëve politikë respektivë në integrimin euroatlantik dhe pozitën ndërkombëtare të vendit. Është raporti që vetë përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë vendosur me politikat dhe drejtuesit respektivë të tyre në Shqipëri. Kemi qartësisht një raport “bardh e zi”. Nga njëra anë kontekstet dhe suksesi ndërkombëtar i z. Berisha dhe nga ana tjetër izolimi apo më mirë të themi injorimi ndërkombëtar i z. Rama. Por nuk është vetëm z. Berisha! Pothuaj e gjithë qeveria dhe mazhoranca e tij kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë kontakte e marrëdhënie ndërkombëtare në nivele nga më të lartat e më të rëndësishmet. Vetë axhenda ndërkombëtare e Kryeministrit, ministrit të Jashtëm, të Mbrojtjes, madje edhe e kryetares së Parlamentit dhe zyrtarëve të tjerë flet vetë për impaktin ndërkombëtar të qeverisjes dhe qeverisë. Në këto katër vite është arritur ajo që nuk u arrit në afro një shekull jetë të shtetit shqiptar, rikthimi në familjen tonë evropiane. Si pasojë e suksesit në qeverisje, sidomos në politikën e jashtme, Shqipëria sot është më e sigurt, më e integruar dhe më e respektuar se kurrë ndërkombëtarisht.
Natyrisht që suksesi në politiken e jashtme është vlerësimi më real, më i standardizuar, më i paanshëm i politikes së brendshme. Fakti që udhëheqës të shquar botërorë, si Obama apo Merkel ia dedikuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO reformave dhe standardeve që ka arritur Shqipëria e qeverisur nga Berisha i heq opozitës çdo mundësi për të zbehur këtë sukses madhor të qeverisë. Ajo që e bën më ekskluziv suksesin ndërkombëtar të Berishës është fakti se në asnjë moment politikat e integrimit euroatlantik nuk u përkrahën apo u ndihmuan nga opozita e majtë e z. Rama. Përkundrazi, opozita qartësisht dhe publikisht demonstroi pakënaqësinë, por edhe kundërshtimin e saj për këto arritje të vendit të qeverisur nga demokratët. Edi Rama organizoi protestë në sheshin “Skënderbej” ditën e marrjes së ftesës për në NATO, ndërkohë që kryetarja e grupit parlamentar socialist, zonja Leskaj, zbriti nga porta e bagazheve në bisht të avionit, për të diferencuar e distancuar publikisht veten dhe partinë e saj nga pritja zyrtare dhe qytetare e delegacionit në ceremoninë e anëtarësimit në Rinas, por edhe nga vetë ky eveniment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në këto kushte, Berisha dhe mazhoranca kanë të gjithë të drejtën ta “privatizojnë” e të përdorin politikisht dhe elektoralisht këtë sukses historik. Suksesi në politikën e jashtme përbën imunitetin më të mirë ndaj akuzave në politikën e brendshme, pasi partnerët dhe institucionet që kanë vlerësuar e mundësuar këtë sukses, janë pa dyshim shumë herë më të besueshme për elektoratin shqiptar sesa opozita ish-komuniste dhe mediat e saj. Mbetet vetëm që Berisha dhe mazhoranca ta përdorë me efikasitet në fushatë këtë përparësi më shumë se elektorale të tyre.