Emiri i Katarit sot vizitë në Maqedoni

Emiri i Katarit, Sheik Hamad Bin Kalifa Al Tani sot pritet të mbërrijë për vizitë dyditore zyrtare në Maqedoni.
Kjo do të jetë vizita e parë e një mbreti të botës arabe në Maqedoni, ndërsa në Shkup ai do të zhvillojë takime me krerët më të lartë shtetëror të Maqedonisë, personalitete të jetës kulturore dhe fetare si dhe është parashikuar edhe një vizitë në vendet kulturore, historike dhe në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov njoftoi se ai do të zhvillojë një takim me emirin e Katarit, ku do të vlerësohet dhe intensifikohet bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, me theks të veçantë tërheqjen e investimeve arabe në Maqedoni.
Në kuadër të vizitës do të nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave për personat me pasaporta diplomatike, zyrtarë dhe një sërë marrëveshjesh për nxitjen e investimeve dhe rregullimin e marrëdhënieve të punës.
Në kuadër të delegacionit zyrtar të Katarit do të jenë mbi 100 të ftuar, mes tyre dy anëtarë të familjes mbretërore dhe 12 ministra.