E Enjte, 5 Nëntor 2026

Emisioni “Përballë”: Amerika vendos… jo vetëm për veten! , Ndiqeni drejtperdrejt ketu!

  Sot votuesit amerikanë duke zgjedhur për 4 vitet e ardhshme njeriun më të fuqishëm të superfuqisë së vetme në glob,nuk vendosin vetëm për fatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të jenë edhe 4 vjet të tjera të Presidentit Trump ku “Amerika është e para”, apo do të ketë një kthim të demokratëe në Shtëpinë e Bardhë dhe një qasje tjetër me aleatët dhe kundërshtarët e Amerikës? Ndryshe nga zgjedhjet e tjera presidenciale amerikane në këto zgjedhje nuk ka vetëm kureshtje dhe interesa, por ka edhe ankth pasiguri dhe për herë të parë edhe pyetjen: a do të pranohet rezultati i zgjedhjeve? Skenat në Uashington, Nju Jork, e gjetkë, ku dyqanet dhe njësitë tregëtare barrikadohen për tu ruajtur nga trazirat e mundshme pas ditës së votimit- thjesht kanë qenë dhe mbeten skena të paimagjinueshme për një nga vendet ku demokracia ka qenë edhe mision për t’u shpërndarë në pjesën tjetër të botës. SHBA janë pasqyra e demokracisë, janë vendi me të cilin krahasohen të gjithë kur duan të ngrenë dhe përmirësojnë standartet. Zgjedhjet janë institucion me themele të forta, sistemi i zgjedhjeve është siç e ngritën “baballaret” para 200 vjetësh dhe kontestimet shihen gjithmonë me përçmim. Amerikanët janë krenarë për demokracinë që kanë. Por… këtë here, fjalët vjedhje votash dhe manipulim kanë qenë në agjendën e fushatës, ekipet ligjore të palëve janë në betejë ligjore çdo ditë me temën e manipulimit në gojë dhe duket sikur presidenti i ri do ketë një “lindje” të vështirë. Nuk është çudi që fjala kontestim të jetë fjala kyç e ketyre zgjedhjeve, sidomos nëse palet do të ndahen ngushtë me njëra tjetrën. Sondazhet i japin epërsinë kandidatit demokrat, por nisur nga rezultati i zgjedhjeve të 4 viteve më parë edhe për këto zgjedhje vlen pyetja: a mund t’u besohet sondazheve? Në anën tjetër është provuar se nuk ëhtë lehtë të parashikosh kur bëhet fjalë për Presidentin Donald Trump. 4 vjet më parë në një rezultat spektakolar presidenti Trump- si mëshirues i votës anti elite dhe antiestablishment mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Sot Amerika është më e polarizuar se kurrë: shumica e votuesve demokrat mendojnë se Trump po e çon vendin drejt diktaturës dhe shumica e votuesve republikanëve mendojnë se z. Biden do ta çojë vendin drejt socializmit. Më shumë se zgjedhje për kundërshtarin këto votime do të jenë edhe një plebishit për mandatin e parë të Presidentit Trump të goditur keq këtë vit nga pandemia covid 19 që ka marrë jetën e 230 mijë amerikanëve. Mbi 100 milionë amerikanë nuk kanë pritur ditën e votimit për të bërë zgjedhjen e tyre. Kjo shifër është afro 75% e votave të hedhura katër vite më parë. Sot Amerika nuk vendos vetëm për veten.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›