E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emmy mban sekret dashurinë

Autori i Lajmit: red.
Emmy, këngëtarja e njohur, rrëfen projektet, jetën, dashurinë dhe lidhjen me Valton Krasniqin, këngëtarin me të cilin ka bërë edhe një bashkëpunim. Dy këngë të reja do të promovojë së shpejti Emmy, e cila na pohon se të dyja këngët do të jenë eksperimente. Kënga e parë e kompozuar nga Andy Dj është një rrymë e re në Shqipëri, pohon Emmy, ndërsa kënga e dytë do të jetë popullore, pra një eksperiment për mua.

Emmy, cilat janë projektet tuaja për këtë verë?
Jam duke punuar për dy këngë të reja që do të lançohen së shpejti, së bashku me videoklipe. Përveç këtyre dy këngëve, që janë single dhe vijnë pas albumit tim, angazhimet e mia do të jenë edhe në koncerte në vend edhe jashtë.

Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në këngët e reja?
Te kënga e parë kompozitor është Andy DJ. Teksti është i Ardit Roshit. Ndërsa në këngën e dytë kompozitor është Klodian Qafoku.

Do t ju shohim përherë me këngë dance apo do të ndryshojë rrymë muzikore Emmy?
Kënga e Andy DJ është totalisht një gjë e re në tregun muzikor shqiptar. Është një këngë e rrymës Dance , e ndërthurur me R&B. Është një këngë shumë ndryshe.

Po kënga e dytë, e cilës rryme do të jetë?
Kënga e dytë do të jetë një stil krejtësisht i ri, imi, në këtë rast. Do të jetë një këngë turbo-folk. Është këngë popullore moderne.

Si e gjen veten Emmy mes Danc-it, R&B dhe Turbo-Folk-ut? Si përshtatesh në këto rryma?
Unë përshtatem shumë mirë. Dancin e kam provuar, kam kënduar disa herë këngë Dance, ndërsa Dance e ndërthurur me R&B është hera e parë që këndoj. Ndërsa kënga popullore, pra Turbo-Folku është diçka që unë kam dashur ta provoj edhe më parë. Këtë këngë e kam punuar kohë më parë, por nuk doja që të dilja me këtë këngë pa nxjerrë albumin. Është një këngë që më përfaqëson mirë, sepse edhe vetë jam nga jugu, dhe kënga është e jugut.

Albumi juaj ka pak muaj që ka dalë në treg. Je e kënaqur me të, ke arritur të marrësh atë që dëshiroje?
Po jam e kënaqur, shumë e kënaqur me ecurinë e albumit.

Dy këngët e reja, të cilat do të promovohen së shpejti do të kenë edhe videoklipe. Ke një vizion për videoklipet, si do të jenë të strukturuar ato apo ku do të bëhen xhirimet?
Një nga videoklipet, ai i këngës që do të jetë Dance dhe R&B do të jetë shumë ndryshe nga videoklipet e tjera. Më pëlqen që videoklipet e mia të jenë shumë ndryshe nga njëri-tjetri. Dëshiroj që të jem ndryshe edhe unë, look-u im, por edhe videoklipi, pamjet, vendet ku xhirohet dua që të jenë shumë ndryshe. Gjithashtu, dua që videoklipi t i përshtatet shumë këngës.

Emmy, na trego ndonjë detaj më shumë për videoklipet....
Dua që të mbeten surprizë dhe publiku ta shohë atëherë kur të promovohet kënga dhe klipi.

Emmy, të ka ndodhur ndonjë incident me fansat, apo të të kenë bezdisur ndonjëherë?
Jo. Nuk është bezdisje për ne. Gjithçka është e parashikuar, nëse do të bëhesh e famshme, do të kesh edhe fansa. Që të më shqetësojnë në telefon, numri im nuk është shumë i përhapur, mund të më bezdisin ndonjëherë kur më marrin në telefon pa numër. Por faktikisht për ne është kënaqësi kur kemi fansa dhe nuk bezdisemi asnjëherë.

Sapo je kthyer nga dy koncerte që ke pasur jashtë Shqipërisë. Si të pritën atje?
Kam qenë në shumë koncerte, jo vetëm jashtë Shqipërisë, por edhe këtu. Në fakt sapo jam kthyer nga një koncert në Zvicër dhe një tjetër në Greqi. Në Zvicër këndova në një diskotekë të madhe, ndërsa në Greqi kam qenë në Selanik, për një parti politike që bënte fushatë.

Tani është verë dhe organizohen shumë koncerte. Ku do të marrë pjesë Emmy?
Tani në verë, ashtu siç dihet, vendet bregdetare janë shumë të preferuara. Kam ndërmend që edhe unë në verë të marr pjesë në këto koncerte që zhvillohen në qytete të ndryshme të Jugut. Këto janë projektet e verës.

Çfarë ndryshimi ka midis publikut në Shqipëri dhe në Diasporë? Ku ndiheni më mirë?
Publiku na pret shumë mirë, si në Shqipëri ashtu edhe në Diasporë. Publiku është gjithandej njëlloj, por mund të them për diasporën, shqiptarët që jetojnë atje kanë nostalgji për vendin. Tregojnë më shumë pëlqim, sepse u duket sikur janë më pranë Shqipërisë me ne.

Publiku është më i ngrohtë këtu me ju apo jashtë vendit?
Në qoftë se ke fansa edhe këtu të duan dhe të presin mirë. Jashtë vendit publiku tek një këngëtar sheh vendin e tij. Zakonisht emigrantët ndihen si në vend të huaj dhe këngëtarët shqiptarë i bëjnë që të ndihen si në vendin e tyre.

Si e sheh ndryshimin tek të kënduarit “live” dhe në “playback”?
Natyrisht që është shumë ndryshe. Unë preferoj që të këndoj edhe “live”. Është një emocion më ndryshe të këndosh “live”, sepse e ke publikun më afër dhe ndien emocion më shumë. Pikërisht aty duket nëse publiku të do, sepse “playback” mund të këndoj çdo njeri, ndërsa “live” të tregon sa profesionist je dhe gjithçka.

Jeni studente e vitit të parë në juridik. Cilën nga rrugët do të zgjedhësh në të ardhmen, do të jesh një juriste apo këngëtare?
Një koleg më ka thënë një herë: ”Shumë bukur, juridiku është shumë degë e mirë. Në të ardhmen do të jesh në mëngjes avokate dhe në darkë këngëtare”. Nëse do t i përballoja të dyja, pse jo. Në fakt, nuk i dihet kurrë. Për momentin primare për mua është kënga. Kur të mbaroj shkollën, do të vendos edhe se çfarë do të ndjek përfundimisht.

Si je lidhur me muzikën dhe kush ka qenë shtysë drejt këtij pasioni?
Unë që e vogël kam qenë e dashuruar me muzikën. Merrja pjesë gjithmonë në konkurse të ndryshme që organizoheshin në atë periudhë. Kam qenë gjithmonë e para. Prindërit më kanë mbështetur gjithmonë. Unë kam jetuar dhjetë vjet në Greqi dhe kam ndjekur shkollën aty, të muzikës. Kam studiuar. Kam marrë pjesë në një konkurs në një televizion të madh në Greqi. Kam kënduar edhe në koncerte atje. Si profesioniste kam nisur të këndoj në moshën 15 vjeç, pra kam 5 vjet që këndoj si profesioniste.

Ka qenë e trashëguar dashuria për muzikën nga familja?
Në fakt, mamaja ime ka qenë këngëtare dikur, gjatë periudhës së diktaturës. Ishte këngëtare e muzikës popullore në Skrapar.

Pra, këngën popullore e ke bërë për hir të nënës suaj apo vetëm për efekt komercial?
Jo. Këtë këngë e bëj, sepse muzika popullore më pëlqen edhe mua. Këtë këngë e kam pasur më parë, por nuk kam gjetur guximin që ta promovoj. Mendova që të nxjerr albumin e parë dhe më pas të bëja atë që dua unë.

Nëse kjo këngë do të ketë sukses, atëherë do të vazhdosh të këndosh Turbo-Folk?
Unë nuk heq dorë nga muzika e lehtë, sepse edhe atë e dua shumë, më tepër dua muzikën e lehtë dhe më pas vjen popullorja. Do të përpiqem që t i bëj të dyja.

Videoklipi me Valton Krasniqin ju ka bërë më së shumti të famshme. Pse zgjodhët pikërisht atë për bashkëpunimin?
Kisha dëshirë që të bëja një bashkëpunim me një këngëtar nga Kosova. Valtoni është këngëtar i mirë, kemi qenë miq dhe rastësisht biseduam një herë në tavolinë dhe ramë dakord që të bënim një këngë bashkë.

Sipas thashethemeve, ju keni pasur një lidhje bashkë. E vërtetë është kjo?
Jo. Valtinin e kam shumë shok, e kam mik, koleg dhe këto janë thashetheme. E kam thënë shumë herë këtë, por ende përflitet se kemi pasur lidhje dhe nuk e di pse.

Si përballesh me thashethemet, si i përjeton ato? Nëse ngrihesh një ditë në mëngjes dhe lexon në ndonjë gazetë “Zbulohet i dashuri i Emmy-t” apo diçka të tillë, si reagon?
Që të zbulohet i dashuri i Emmy-t nuk ka mundësi (qesh). Është thjesht shaka. Në fakt mua nuk më prekin të tilla gjëra, sepse pritet. Në momentin që je një njeri i njohur do të ketë thashetheme plot. Nëse një thashetheme do të prekte familjen time apo mund të jetë diçka absurde që nuk ka të bëjë me mua, atëherë mund të prekem shumë, kur është diçka që nuk mund të ndodhë.

Ka të dashur Emmy, të gjithë djemtë që ju dashurojnë dhe ju adhurojnë duan ta dinë?
Mua nuk më pëlqen asnjëherë që të flas për jetën time private. Djemve u them që të jenë akoma të dashuruar, të mos ndalojnë të jenë të dashuruar.

Kjo do të thotë që djemtë të shpresojnë për ty?
Gjithmonë duhet të kenë shpresë, shpresa vdes e fundit.

Çfarë është skena për ty?
Skena është jeta ime. Është diçka që unë nuk e mendoj se do ta lë ndonjëherë. Skena më jep gëzimin dhe lumturinë dhe, nëse në ndonjë moment nuk jam mirë, vetëm në momentin që këndoj dhe shoh njerëzit të buzëqeshur dhe që kënaqen është diçka që më jep shumë sadisfaksion dhe më bën shumë të kënaqur. Skena është një kurë për shpirtin. Nëse nuk jam mirë kur ngjitem në skenë, atëherë gjithçka ndryshon. Kjo vlen edhe për publikun. Do të doja shumë që ata që më dëgjojnë t ia kalojnë shumë bukur dhe të harrojnë çfarëdo lloj problemi. Kjo është diçka që e duan të gjithë këngëtarët.

Emmy, ke ndonjë projekt për ndonjë bashkëpunim të radhës, e ke zgjedhur një artist?
Jo. Nuk e kam menduar, sepse e bëra një bashkëpunim dhe ideja e tij ishte se doja që në album të kisha një bashkëpunim. Kam pasur shumë oferta, por për momentin nuk kam në plan të bëj një të tillë, sepse dua të dal vetë si këngëtare dhe jo me bashkëpunim.

Këngët e reja janë “single”. Këto do të jenë një një album tjetër së shpejti?
Jo. Për një album tjetër është shpejt, sepse ka vetëm 5 muaj që ka dalë i pari. Më vonë do të jetë një album, por dua që të zgjedh këngët e duhura dhe të mos shpejtoj për albumin e dytë.

Si është Emmy jashtë muzikës?
Emmy është e thjeshtë, shumë e thjeshtë. Kohën time e kaloj në shkollë, kur kam kohë të lirë me shoqërinë, në palestër.

Çfarë të acaron më shumë?
Mungesa e korrektesës më acaron shumë. Ka shumë gjëra që më acarojnë. Personat që gënjejnë më acarojnë gjithashtu.

Po dita më e lumtur për ju, cila ka qenë?
Ka shumë ditë të lumtura, por më e lumtura është në moshën 15-vjeçare kur kam marrë pjesë në programin “Talent Shoë”, të televizionin grek “TV Sky”. Megjithëse një nga kriteret aty ishte që të ishe mbi 18 vjeç, më pranuan dhe këtu nisi lumturia ime që vazhdoi më pas kur midis shumë personave të moshave nga 23 deri në 30 apo 35 vjeç arrita të marr vendin e tretë në këtë spektakël.

Ke ndonjë pasion tjetër veç muzikës?
Po. Më pëlqen shumë basketbolli. Kam luajtur në Greqi, madje kam qenë edhe me një skuadër. U tërhoqa nga basketbolli, sepse më pëlqen më shumë muzika.

Ky lajm është publikuar: 03/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›