Emra që reflektojnë dritë
Ky libër në vete përfshin dhjetë portrete të arsimtarëve dhe mësuesve nga Lugu i Drinit, që sot nuk janë në jetë, të cilët me dekada të tëra kanë shërbyer si pishtarë të dijes dhe të arsimit kombëtar në shkollën e Zllakuqanit.
Në këtë libër monografik, autori Gojani, në veçanti shkruan për rrugën jetësore dhe kontributin e këtyre mësuesve në shpërndarjen e rrezeve të dijes dhe të diturisë kombëtare në këtë vatër arsimore, e cila daton që nga viti 1897, pra e themeluar pikërisht para 114 vjetëve, që është një rrugë e gjatë dhe e begatë e veprimtarisë edukativo-arsimore.
Në këtë libër thuhet se puna, angazhimi dhe të arriturat e kësaj shkolle në drejtim të përhapjes së arsimit, janë të lidhura kryekëput me punën dhe angazhimin në këtë fushëveprimtari të këtyre pishtarëve të arsimit, të cilët janë të përfshirë në brendinë e këtij libri.
Librit ‘Emra që reflektojnë dritë’, i autorit Mikel Gojani, i paraprin një parathënie, ku autori sqaron për qëllimin e botimit të këtij libri. Pastaj, më tutje, autori Gojani vazhdon me një kapitull tjetër, ‘Në vend të hyrjes’, me ç'rast flet për rrugëtimin historik të shkollës fillore ‘Atë Shtjefën Gjeçovi’ në Zllakuqan, në të cilën këta mësues u ‘shkrinë si qiriu i Naimit’, siç shprehet autori, vetëm t'u japin të tjerëve dritën e dijes dhe të arsimit.
Në kapitullin në vijim të këtij libri, autori na sjell portretet e mësuesve nga treva e Lugut të Drinit, të cilët kanë punuar në këtë shkollë.
Faktet dhe dëshmitë që flasin për këta pishtarë të arsimit janë të nxjerra nga arkivat e shkollës së Zllakuqanit, por edhe nga vetë veteranët e arsimit të këtij lokaliteti dhe më gjerë, po ashtu edhe nga familjarët e këtyre mësuesve. Libri ka 100 faqe.