E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri u takua me përfaqësues të diasporës shqiptare në Stamboll

Gjatë qëndrimit në Stamboll me rastin e pjesëmarrjes në takimin strategjik të Lobit Rajonal të Grave, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri zhvilloi takime me përfaqësues të diasporës shqiptare në Stamboll.

Në takimin me udhëheqësit e Shoqatës Vëllazëria Shqiptare, Halil Metin, kryetar dhe Murat Lajqi, anëtar i Kryesisë, Zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi lartë veprimtarinë e gjatë të kësaj Shoqate për çështjen kombëtare shqiptare, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për kultivimin e marrëdhënieve të mira mes dy popujve, shqiptarëve dhe turqve.

Gjatë bisedës u evokuan kujtime për angazhimet dhe sukseset e përbashkëta të periudhës së okupimit të Kosovës, për sigurimin e përkrahjes nga Turqia për të drejtën për vetëvendosje të popullit të Kosovës. Në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia mbajtjes së lidhjeve me atdheun dhe roli i diasporës si urë lidhëse mes dy shteteve, Kosovës dhe Turqisë.

Në kuadër të bashkëpunimit me Shoqatat që kanë interes për Ballkanin, Zëvendëskryeministrja Tahiri u takua me udhëheqjen e Shoqatës Balkansiad, shoqatë kjo që bashkon një spektër me të gjerë të diasporës nga Ballkan.

Në darkën e shtruar për nderë të Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, kryetari i Shoqatës Adnan Vardarli shprehu mirëseardhje miqësore dhe gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Kosovës për çështjet e interesit të përbashkët.

Në këtë takim ku merrnin pjesë edhe udhëheqja e Shoqatës Vëllazëria Shqiptare, Zëvendëskryeministrja Tahiri foli për përparimet e shtetit të Kosovës në planin e brendshëm dhe të jashtëm dhe aspiratat për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë. Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira bilaterale mes Kosovës dhe Turqisë dhe falënderoi shtetin turk për angazhimin lobizues për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunime të ndërsjella për të çuar përpara vizionin për një Ballkan më paqësor dhe më stabil duke theksuar se në rajon është mbyllur kapitulli i konflikteve dhe se Ballkani ka hyrë është në epokën euro-atlantike.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Stamboll zëvendëskryeministrja Tahiri ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën diplomatike Today’s Zaman, ku ka shpalosur pikëpamjet e saja për shtetin e Kosovës si faktor stabiliteti e paqeje në rajon; për ndërlidhjen e integrimeve euro-atlantike me synimet për një paqe të qëndrueshme në Ballkan; dhe rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë në planin diplomatik, ekonomik dhe kulturor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›