E Diel, 1 Nëntor 2026

Emrat e kryesisë së re të PS-së Gramoz Ruçi, më i votuari

SHKRUAN: Fejzi Braushi 03-12-2011 11:24

Partia Socialiste mbyll procesin e brendshëm elektoral me zgjedhjen e 17 anëtarëve të kryesisë. Ikin Allushi, Shamku, Pino e Hafizi, zgjidhen për herë të parë Shkëlqim Cani, Sajmir Tahiri e Vangjush Dako

Partia Socialiste ka mbyllur dje me zgjedhjen e kryesisë, sekretariatit ekzekutiv dhe kreut të ri të Asamblesë, procesin e brendshëm elektoral. Gramoz Ruçi ka qenë kandidatura më e votuar nga 210 anëtarët e Asamblesë, që morën pjesë në procesin e votimit të djeshëm. Përveç 190 votave, që mori në garën për kryetar të ri të Asamblesë, Gramoz Ruçi ka kryesuar edhe listën e konkurrentëve për anëtar të kryesisë së Partisë Socialiste me 177 vota, i ndjekur nga Erion Braçe me 150 vota. Ndërkohë që kryesia e re e PS-së është rinovuar në 30 për qind të saj, pasi nga 16 anëtarët që kishte deri dje, ajo nuk ka rizgjedhur vetëm 5 prej tyre.

Votimi

Në përfundim të fjalës së tij para Asamblesë Kombëtare, kreu i PS-së, Edi Rama, ka prezantuar edhe listën që ai i propozonte Asamblesë Kombëtare për anëtarë të kryesisë së re të kësaj force. Kështu, ai ka propozuar fillimisht kandidatet femra, ku dhjetë emra janë propozuar për të konkurruar për pesë vende. Më konkretisht, ai ka propozuar Arta Daden, e cila tashmë nuk do jetë më sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë, Valentina Leskajn, Eglantina Gjermenin, Vasilika Hysin, Irena Kallçon, Mimi Kodhelin, Luiza Xhuvanin, Adelina Fariçin dhe Mimoza Hafizin. Ndërkohë që për 12 vende që i përkisnin burrave, Rama ka propozuar plot 20 emra dhe më konkretisht: Gramoz Ruçin, Erion Braçen, Ben Blushin, Ditmir Bushatin, Pandeli Majkon, Shkëlqim Canin, Namik Doklen, Arben Malajn, Sajmir Tahirin, Besnik Baren, Vangjush Dakon, Arben Isarajn, Niko Peleshi, Ulsi Manjan, Ethem Rukën, Qazim Sejdinin, Namik Koplikun, Maqo Lakrorin, kreun e komunës Xarë, Dhimo Koten dhe Gëzim Tushen. Anëtarët e Asamblesë janë ftuar të votojnë në dy fleta votimi, një për kandidatet femra dhe një për meshkujt. Ndërkohë që listat e propozuara nga Rama nuk janë lënë të diskutohen, megjithëse Arta Dade ka kërkuar që të fliste për këtë çështje, ndërsa kreu socialist e ka konsideruar të panevojshëm një debat të tillë, përsa kohë çdo anëtar i Asamblesë kishte të drejtën të bënte propozime shtesë, e drejtë kjo që në fakt nuk është ezauruar nga askush. Ajo që ka rënë në sy gjatë procesit të votimit ka qenë largimi i deputetit Erion Braçe, i cili nuk ka marrë pjesë në të. I pyetur nga MAPO lidhur me këtë veprim, ai është shprehur vetëm me fjalët: “Unë nuk votoj veten”.

Kryesia

Për shkak të problematikës që ka lindur me procesin e numërimit elektronik, numërimi i votave për anëtarë të kryesisë është bërë me dorë. Në fillim janë numëruar votat për kandidatet femra dhe në përfundim ka rezultuar se Mimi Kodheli ka qenë më e votuar me 147 vota dhe pas saj, Eglantina Gjermeni me 134 vota. Me radhë pas tyre janë renditur Lindita Nikolli me 114 vota dhe në fund Valentina Leskaj dhe Arta Dade me nga 112 dhe 111 vota secila. Pesë kandidatet e tjera kanë mbetur jashtë kryesisë, pasi kanë marrë më pak vota. Më pas ka nisur procesi i numërimit të votave për kandidatët meshkuj dhe në mbrëmje, rreth orë 21, komisioni ka mundur të shpallë rezultatin edhe për këtë pjesë. Kështu, listën e fituesve për kandidatët burra e ka kryesuar Gramoz Ruçi me 177 vota, dhe pas tij më i votuar ka qenë deputeti Erion Braçe me plot 150 vota. Ben Blushi është renditur i treti me 144 vota dhe pas tij Ditmir Bushati me 139 vota e Pandeli Majko e 135 vota. Në kryesi është futur edhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, Sajmir Tahiri e Vangjush Dako, të cilët bëhen pjesë për herë të parë të kryesisë. Ndërkohë që është rizgjedhur Arben Malaj, Arben Isaraj, Namik Dokle e Besnik Baraj. Të larguarit nga kryesia janë Ermelinda Meksi, e cila ka hequr dorë nga politika për shkak të zgjedhjes në Këshillin Drejtues të BSH-së; Eva Allushi, e cila u reshtua në grupin e LMN-së; Ledi Shamku e Sajmira Pino, të cilat nuk u rikandiduan nga Rama si dhe Mimoza Hafizi, që megjithëse ishte pjesë e listës së propozuar nuk mori dot votat e duhura për t’u rizgjedhur.

Kryesia e re e PS-së

Gramoz Ruçi 177 vota

Erion Braçe 150 vota

Ben Blushi 144 vota

Ditmir Bushati 139 vota

Pandeli Majko 135 vota

Shkëlqim Cani 132 vota

Namik Dokle 132 vota

Arben Malaj 131 vota

Sajmir Tahiri 129 vota

Besnik Barej 124 vota

Vangjus Dako 124 vota

Arben Isaraj 116 vota

Mimi Kodheli 147

Eglantina Gjermeni 134 vota

Lindita Nikolla 114

Valentina Leskaj 112

Arta Dade 111

Mbetën jashtë

Niko Peleshi 88 vota

Ulsi Manja 85 vota

Ethem Ruka 85 vota

Qazim Sejdini 84 vota

Namik Kopli 82 vota

Maqo Lakrori 77 vota

Dhimo Kote 58 vota

Gëzim Tushe 31 vota

Luiza Xhuvani 106

Vasilika Hysi 97

Adelina Fariçi 72

Mimoza Hafizi 62

Lindita Kallço 24

Kryesia e vjetër

1. Edi Rama

2. Arben Isaraj

3. Arben Malaj

4. Ben Blushi

5. Erion Braçe

6. Ermelinda Meksi

7. Eva Allushi

8. Gramoz Ruçi

9. Ledi Shamku

10. Mimoza Hafizi

11. Namik Dokle

12. Pandeli Majko

13. Saemira Pino

14. Valentina Leskaj

15. Mimi Kodheli

16. Lindita Nikolla

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›