E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk do bëjmë gabimet e së shkuarës, jo koalicion me Metën

Kryetari i PS-së, Edi Rama, flet për bashkimin e PS-së, për gabimet që janë bërë në të shkuarën, programin e ri dhe qëndrimin që selia rozë ka ndaj Ilir Metës

TIRANË Në më pak se një orë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka folur dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare për të gjitha çështjet, që kanë lidhje me këtë forcë politike, ai ka folur për bashkimin, për gabimet që janë bërë, ka përcjellë mesazhe të qarta për ata që sot cilësohen si zëra kritikë në PS, si dhe ka mohuar mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Fillimisht, Rama ka prezantuar dje ngritjen e një strukture të rëndësishme në PS, që do të funksionojë edhe në rast se kjo forcë politike vjen në pushtet. ”Është e rëndësishme të miratojmë sot ngritjen e një Komiteti të Përfaqësimit Territorial. Këtë komitet e kuptoj si një strukturë të Asamblesë Kombëtare që duhet t'i shërbejë partisë dhe të ndihmojë kryetarin e saj, jo vetëm sot në opozitë, por edhe nesër në qeverisje, si një strukturë e lidhur drejtpërsëdrejti me territorin dhe me problematikat e realiteteve të ndryshme të vendit përtej kufijve të kryeqytetit dhe përtej mureve të Parlamentit”,- tha dje Rama. Po dje, kryetari i PS-së propozoi edhe ngritjen e një Këshilli Politik të Partisë, që ndryshe do të quhet si Këshilli i të Urtëve. Rama ka bërë kujdes që përmes kësaj strukture ai të përcjellë mesazhin e bashkimit, duke futur në këtë përbërje emra si Rexhep Meidani, Ylli Bufi e deri te Sabit Brokaj e Luan Hajdaraga, por nuk ka përfshirë në listë Fatos Nanon. “Ky këshill duhet të institucionalizohet dhe të mblidhet sistematikisht në prani të kryetarit të partisë, domosdoshmërish, dhe të tjerë përfaqësues të partisë sipas rastit dhe nevojës për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar. Në kushtet kur më shumë se asnjëherë është e domosdoshme një sinergji e re dhe sa më e plotë me sa më shumë protagonistë të jetës së kësaj partie, nga më të moshuarit tek më të rinjtë”, - tha ai. Për herë të parë, kryetari i PS-së njoftoi se gjatë numërimit të djeshëm do të aplikohej sistemi elektronik. “Procesi numërimit mund të ndiqet live nga të gjithë, përfshirë edhe publikun, përmes një ekrani ku në kohë reale do të afishohet ecuria e rezultatit dhe në fund do të dalë përfundimi me numërim e votave për gjithsecilin. Shpresoj që kjo provë e parë të jetë edhe me fat dhe të mos hasim probleme teknike gjatë procesit”, - shtoi Rama. Kryetari i PS-së i kushtoi rëndësi jo pak edhe programit të miratuar nga kongresi i partisë. Në funksion të saj, Rama kërkoi ngritjen e 21 grupeve të punës të kësaj Asambleje, që do të përgatisin dokumente të veçanta dhe të detajuara, sipas temave specifike të programit, duke angazhuar ekspertë vendas dhe të huaj, krahas kapaciteteve të brendshme të PS-së. Rama prezantoi dje drejtuesit e grupeve të punës duke përfshire aty edhe emra të tillë si Andis Harasani apo Petrit Ago e Agron Duka. Rama deklaroi dje se PS-ja nuk është parti e vasaliteteve, por e rivaliteteve duke shigjetuar edhe zërat kundër në parti. “...Si mund të fitojmë nëse nuk organizohemi si kurrë më parë dhe si mund të organizohemi si kurrë më parë nëse secili nuk bën punën e tij përpara se të merret me punën e tjetrit dhe nuk e kupton si rrallë më parë se puna e tij është me njerëzit dhe për njerëzit”, - shtoi ai. Por, kryetari i opozitës nuk kishte mesazh për Ilir Metën sa kohë që ky i fundit është në koalicion me Berishën. “Ilir Meta është pjesë e pushtetit dhe nuk ka opozitë që të mund të thotë që na duhet gjysma e pushtetit për të mundur pushtetin. Ai e ka bërë zgjedhjen e tij dhe ne nuk kemi ç’t’i themi përsa kohë ajo mbetet zgjedhja e tij...”, - tha ai. Në bazë të statutit, gjatë fjalës së tij, Rama prezantoi edhe kandidaturat për kryesinë e re. “Ju propozoj në bazë të detyrimit statutor, një listë grash dhe një listë burrash. Të dyja lista të hapura, me më shumë sesa numri i anëtarëve të rinj të kryesisë, që mendoj të jetë 17 vetë, 5 gra dhe 12 burra”, - tha ai. Duke folur për emrat kandidat për kryesinë, Rama reflektoi për kryesinë e kaluar dhe gabimet, që shoqëruan një periudhë prej dy vitesh. “Kryesia e shkuar kaloi një paralizë të paprecedentë pas zgjedhjeve të qershorit 2009. Arsyet dihen, por përgjegjësia është sa e secilit, aq edhe e përbashkët. E të gjithëve ne, duke filluar nga unë i pari. Secili ka argumentet, justifikimet apo alibitë e veta ose pjesë pjesë kemi qëndrime të ndryshme për përgjegjësitë. Por le të biem në një mendje që askush nuk është pa përgjegjësi dhe le të japim sot dakordësinë për faktin se s'kemi më kohë për të humbur duke ndarë faje, gabime, të meta të së shkuarës. E shkuara le të na vlejë si pasqyrë për të parë të ardhmen. Vetëm mund të fitojmë kohë dhe avantazhe të jashtëzakonshme duke i marrë të gjitha siç janë përgjegjësitë, duke i futur në bagazhin e eksperiencës sonë të përbashkët. Duke i premtuar njëri-tjetrit dhe atyre që i kanë sytë nga ne se gabime të reja mund të mos i shmangim dot, por s'do bëjmë në asnjë mënyrë gabime të përsëritura”, - tha ai. Rama prezantoi një nga një kandidatët për kryesinë e re, duke përfshirë në këtë listë edhe emrin e Arben Malajt. Duke u futur në temë, kryetari i PS-së propozoi edhe kandidaturat për sekretariatin e ri ekzekutiv të PS-së. Emrat që ai propozoi janë: Blendi Klosi për organizimin; Damian Gjikinuri për zgjedhjet; Ilir Beqja për programin; për pushtetin vendor, Bashkim Fino; për Sipërmarrjen dhe për Grupet e Interesit, Arben Ahmetaj; për Burimet Njerëzore, Armando Subashi; për Emigracionin dhe Rininë, Erion Veliaj; për koalicionin, Ndre Legisi; dhe për koordinimin, Fatmir Xhafaj.

Propozimi i kryetarit të PS-së për drejtimin e grupeve të punës:

Për Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Eduard Shalsi

Për Punësimin, Arbër Mazniku

Për Arsimin, Ledi Shamku

Për Çështjet sociale, Kosta Barjaba

Për Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, Klodjana Spahiu

Për Çështjen e Pronës, Merita Qato

Për Politikat Fiskale, Adriana Berberi

Për Energjinë, Andis Harasani

Për Telekomunikacionin, Ilir Zela

Për Infrastrukturën, Turizmin dhe Mjedisin, Artan Lame

Për Rendin Publik, Ilir Gjoni

Për Shtetin e së Drejtës, Shega Ligori

Për Zhvillimin Rural, Agron Duka

Për Sipërmarrjen në fshat, Petrit Ago

Për Autonominë Vendore, Artan Shkëmbi

Për të Përndjekurit, Keti Bazhdari

Për Mediat, Iris Luarasi

Për Menaxhimin e Kulturës, Kiço Londo

Për Politikat Rinore, Elisa Spiropali

Për Sportin, Fidel Ylli

Për Shërbimin Diplomatik, Marko Bello

Në Këshillin Politik të partisë sonë unë propozoj të jenë:

Servet Pëllumbi

Rexhep Meidani

Ylli Bufi

Namik Dokle

Gramoz Ruçi

Pandeli Majko

Arta Dade

Ethem Ruka

Maqo Lakrori

Luan Hajdaraga

Sabit Brokaj

Bashkim Zeneli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›