Sekretariati, Gjiknuri më i votuar se Xhafaj dhe Fino
Asambleja e PS-së ka zgjedhur dje edhe sekretarët, pas një ristrukturimi të posteve dhe detyrave
Damian Gjiknuri ka rezultuar njeriu më i votuar nga nëntë sekretarët e rinj dje në Asamblenë Kombëtare, si pjesë e sekretariatit ekzekutiv të Partisë Socialiste. Nëpërmjet një procesi votimi dhe numërimi transparent, përmes aparaturës elektronike, ai ka mundur të marrë plot 172 vota nga 210 pjesëmarrës në votim. Në këtë mënyrë, Gjiknuri ka marrë më shumë vota edhe se emra të njohur në këtë forcë, duke zëvendësuar në postin e sekretarit për çështjet zgjedhore Kastriot Islamin, i cili rezulton të jetë i vetmi nga të gjithë ish-anëtarët e LMN-së që nuk u përfshi në planet e Ramës, duke mbetur jashtë të gjitha listave. Gjiknuri është renditur i pari, duke marrë më shumë vota se Bashkim Fino, i cili është renditur i dyti me 163 vota si sekretar për Pushtetin Vendor, apo edhe se Fatmir Xhafaj, që mori 159 vota, duke u renditur i treti në postin e Sekretarit Koordinativ, që në hierarkinë partiake mund të konsiderohet si posti i tretë më i rëndësishëm në këtë forcë, pas kryetarit të partisë dhe atij të Asamblesë. I katërti nga sekretarët më të votuar ka qenë Ilir Beqja po me 159 vota, i cili tashmë do të drejtojë sekretariatin për Programin. Sekretari organizativ Blendi Klosi është renditur i pesti me 157 vota dhe më pas vijnë me radhë Ndre Legisi me 150 në rolin e sekretarit për Koalicionet, Armando Subashi si sekretar për Burimet Njerëzore me 146 vota dhe Arben Ahmetaj me 145 vota si sekretar për Sipërmarrjen dhe Grupet e interesit. I fundit është renditur Erion Veliaj, i cili ka marrë vetëm 132 vota, duke u zgjedhur kështu sekretar për Emigracionin dhe Rininë. Duhet theksuar i gjithë sekretariati ekzekutiv i PS-së pësoi një ndryshim strukturor, pasi përveç shtimit të numrit të disa sekretariateve, u mbyllën dhe disa të tjerë. Kështu nuk do të funksionojë më sekretariati për Mjedisin, ai për Shanset e Barabarta dhe Barazinë Gjinore, apo u hoq edhe ajo pjesë e sekretariatit që e drejtonte Xhafaj dhe që kishte të bënte me çështjet ligjore. Qëllimi i këtij ristrukturimi të sekretariateve kishte të bënte me zhveshjen nga detyrat e tyre të funksioneve që realisht i mbulojnë komisionet përkatëse parlamentare, apo që kanë të bëjnë me çështje qeverisëse. Sipas këtij strukturimi, sekretariatet do të kenë vetëm role politike dhe organizative partiake.
Sekretariati Ekzekutiv
Damian Gjiknuri, sekretar për Çështjet Zgjedhore, 172 vota
Bashkim Fino, sekretar për Pushtetin Vendor, 163 vota
Fatmir Xhafaj, sekretar për Koordinimin, 159 vota
Ilir Beqja, sekretar për Programin, 159 vota
Blendi Klosi, sekretar për Organizimin, 157 vota
Ndre Legisi, sekretar për Koalicionet, 150 vota
Armando Subashi, sekretar për Burimet Njerëzore, 146 vota
Arben Ahmetaj, sekretar për Sipërmarrjen dhe Grupet e Interesit, 145 vota
Erion Veliaj, sekretar për Emigracionin dhe Rininë, 132 vota