E Diel, 1 Nëntor 2026

Vërtetimet për azil politik në BE, policia nis hetimet për kreun e Pajtimit të Gjaqeve

03-12-2011 / Gazeta 55

Policia e shtetit ka nisur hetim për kreun e komitetit të pajtimit Mbarëkombëtar dhe një anëtari të pajtimit të Gjaqeve pasi akuzohen se kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara.
Sipas policisë, ka nisur hetimi për Kryetarin e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar Gjin Marku, 55 vjeç dhe Pashko Popaj, anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër. Këta persona dyshohen se duke shfrytëzuar pozicionin në shoqatat e mësipërme kanë lëshuar vërtetime te falsifikuara për persona të ndryshëm, që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azilin në vende të ndryshme të Europës, duke konsumuar elemente të veprës penale te “Falsifikimit të dokumenteve”. Nga informacionet e grumbulluara dhe verifikimet e kryera në vazhdimësi nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me policitë homologe, ka rezultuar se personat e sipërpërmendur kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara dhe pa asnjë bazë ligjore edhe pse shtetasit e interesuar nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje. Policia e Shtetit thekson se do të vijojë verifikimin e të gjitha rasteve të ngjashme, duke kryer të gjitha veprimet procedurale në ngarkim të të gjithë atyre shtetasve që do të evidentohen se kanë kryer apo kryejnë veprime antiligjore.
Kohët e fundit pati një rritje të shtetasve shqiptarëve që kërkonin azil, kryesisht në Belgjikë, duke bërë që Bashkimi Evropian të tërhiqte disa herë vëmendjen autoriteteve shqiptare që të punonin, me qëllim që numri në rritje i azilkërkuesve të mos rrezikonte procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›