Emrat e ndaluar, shkelje e të drejtave të njeriut
Flet Genci Terpo, jurist në Zyrën e të Drejtave të Njeriut. Si e parashikon Legjislacioni Shqiptar zgjidhjen e kësaj çështjeje
Emanuela Sako
Urdhri i Bashkisë për 62 emrat që prindërit nuk duhet t’ia vendosin fëmijëve është shkelje e të drejtave të njeriut, pasi kushdo ka të drejtë të vendosë një çfarëdo emri që mendon se është i përshtatshëm për fëmijën e tij. Avokati i Zyrës së të Drejtave të Njeriut, Genci Terpo, shpjegoi për gazetën “Albania” se e drejta për të vendosur një emër të caktuar, çfarëdo, është në mënyrë absolute e drejtë e njeriut dhe për asnjë moment, asnjë person apo institucion nuk mund ta kufizojë këtë të drejtë. Sipas tij, në Legjislacionin Shqiptar ekzistojnë dispozita që i japin një mbrojtje të veçantë “të drejtës së emrit”. Në një paragraf të Nenit 5 thuhet se “personi, të cilit i mohohet e drejta e përdorimit të tyre ose cenohet nga përdorimi që të tjerët i bëjnë padrejtësisht, mund të kërkojë në gjykatë përdorimin e emrit ose të mbiemrit të vet, pushimin e cenimit, si dhe shpërblimin e dëmit përkatës”.
Ligji
Zyra e të Drejtave të Njeriut sqaron se ky rregull është në kundërshtim me përmbajtjen dhe frymën e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pasi në këtë rast organi kompetent ndërhyn pa të drejtë në jetën private dhe familjare të personit. Vendosja e emrit është një e drejtë personale, e cila nuk mund të kufizohet për asnjë rast as nga ligje të caktuara pasi në të kundërt këto ligje do të binin ndesh edhe me aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria. E ndërkohë, 62 emrat trajtohen si të vjetër dhe me karakter cenues, fyes etj. dhe janë në listën e emrave të papërshtatshëm dhe që nuk mund t’u vendosen fëmijëve të porsalindur. Nëse një çift, për arsye personale do të dëshironte që fëmijës t’i vendoste një emër që është i papërshtatshëm, asnjë punonjës i gjendjes civile nuk do t’ia regjistronte emrin e përzgjedhur, pjesë e listës së zezë. Për avokatin Genci Terpo, zbatimi i një praktike të kësaj natyre është një tendencë diskriminuese, e cila bie në kundërshtim edhe me Nenin 14 të Konventës si edhe me Nenet 17 dhe 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ndalimi i emrave të tillë do të cenonte personalitetin e atyre që aktualisht i mbajnë këta emra.
Emrat
Emrat që nuk pranohen për regjistrim janë kryesisht emra që shprehin racizëm apo që shprehin fyerje. Në këtë kategori përfshihen emra të tillë si: Gazep, Hiçe, Hafije, Zehere, Xhenaze, Keqë, Marrëzi, Helme, Eros, Ferman, Federatë,
Gjezap, Hyzmet, Sose, Mjaftoni, Mjaftime etj. Por në të njëjtën kohë përjashtohen emrat e huaj që janë bashkim emrash ose dy emra bashkë, për shembull: Ana Maria. Kryesisht, këta emra janë të huazuar nga jashtë vendit. Të gjithë emrat e lartpërmendur janë cilësuar se shprehin cilësi negative dhe që shprehen rëndom në jetën e përditshme. Kjo i bën ata të papërshtatshëm për përdorimin e zakonshëm. Megjithëse këta emra ndalohen, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut është pjesë e mbrojtjes së dëshirës së çdo personi apo çifti për t’i vendosur fëmijës emrin që dëshiron.
Neni 5
Në Legjislacionin Shqiptar ekzistojnë dispozita që i japin një mbrojtje të veçantë “të drejtës së emrit”. Konkretisht, “Neni 5” në Kodin Civil të RSH-së parashikon se: Çdo person fizik ka të drejtën dhe detyrimin të ketë emrin dhe mbiemrin e tij që i vihen sipas ligjit. Personi, të cilit i mohohet e drejta e përdorimit të tyre ose cenohet nga përdorimi që të tjerët i bëjnë padrejtësisht, mund të kërkojë në gjykatë përdorimin e emrit ose të mbiemrit të vet, pushimin e cenimit, si dhe shpërblimin e dëmit përkatës. Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe nga persona që, ndonëse nuk mbajnë emrin ose mbiemrin e cenuar apo të përdorur padrejtësisht, kanë interesa familjare të denja për t’u mbrojtur. Gjykata kur pranon padinë urdhëron botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare. Me kërkesën e paditësit, gjykata mund të urdhërojë botimin e vendimit të saj edhe në gazeta të tjera. Pseudonimi i përdorur nga personi fizik gëzon të njëjtën mbrojtje.
13 Shkurt 2008