E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëz që vidhen përditë

Artan Mullaj

Në një artikull u publikua lajmi se djali i ministrit të kulturës Ylli Pango, nxënës në gjimnaz,përdor privatisht makinën luksoze të institucionit që drejton i ati. Edhe pse zoti Pango do ndihej profesionalisht shumë më mirë nëse dritat e medias do binin vetëm mbi aventurën e tij të suksesshme në Greqi, ky lajm,ndonëse në dukje meskin e për disa mbase i gabimmotivuar, ka gjasa të jetë njëlloj i rëndësishëm me statujat e vjetra që Pango po kthen në Shqipëri. Në të vërtetë kemi të bëjmë më një abuzim rutinë,si ato që ndodhin përditë në ambientet e pushtetarëve,dhe në të gjithë territorin e vendit,ku ligjit i merret fryma... Epo, është e qartë se jo vetëm gjimnazisti fatlum i ministrit pra pushteton kësisoj duke rrezatuar,sipas lajmit të publikuar, kënaqësinë e dhuratave shtetërore. Fatlume është me sa duket edhe vajza e Pollos, që, siç përmendet, shkon edhe vjen me veturën e ministrisë në shkollë apo edhe fëmijët e qeveritarëve të lartë,që patjetër ngazëllehen përditë me dashamirësinë e shpenzimeve pa fre të parave publike, nga prindërit e tyre..
Dora-dorës, mund të supozohet se fenomeni i abuzimit me pasurinë e shtetit është shndërruar në një epidemi përkufizuese të tranzicionit, por edhe përfaqësuese të tij. Politikanët tanë nuk kanë qenë aq budallenj në të shkuarën dhe nuk janë aq naivë sot,sa të rrinë duarkryq bri pasurimit të shokëve të tyre. Ata jo rastësisht janë padyshim klasa më e pasur në vend,që me një vetësiguri galaksiane, i ka hyrë punëve të pushtetit mëngëpërveshur e me zell të paparë në garën për të përfituar sa më shumë nga paratë e tatimpaguesve shqiptarë. Kjo është sa e njohur nga të gjithë,aq edhe e pranuar përnjimend.. Ajo ngjan me një marrëveshje të heshtur mes palëve për shkeljen e ligjit,duke shënuar një rast unikal mes vendeve të tjera. Fatlumët vjedhin e abuzojnë, pa i hyrë gjemb në këmbë, të dëmtuarit heshtin. Kjo marrëveshje e pabesueshme,e cila ju ka mprehur fort shqiptarëve militantë instinktin drejt karrierave politike, fillon që në pushtetin e vogël,nëpër fshatrat e komunat ku kryetarët sillen si mbretër të vegjël,vazhdon masivisht në administratën drejtuese gjithandej dhe përqendrohet në majën e pushtetit. Udhëtimet surrealiste lart e poshtë në planet të Jozefina Topallit, udhëtimet pa bereqet të ministrave shumë shpesh të paaftë,paratë e harxhuara lumë nga administrata,të gjitha këto duhet të jenë vetëm maja e ajsbergut në krahasim me abuzimet titanike që pushtetarët tanë bëjnë në emër të menaxhimit të buxhetit të shtetit,ku nuk duhen lënë pa përmendur gjëmëhumbjet nëpër tendera e investime marramendëse, në Kalimash, në KESH,e kudo. E konstatuar në mënyrë të përmbledhur,abuzimi me paratë e tatimpaguesve në Shqipëri është shndërruar në një realitet kaq të fuqishëm tashmë,sa pushteti i ri i këtij abuzimi mbi publikun,është shndërruar dora-dorës në një filozofi imponuese të së keqes,të pranuar nga të gjithë. Këtë filozofi ne e materializojmë mbledhasupash dhe e quajmë “korrupsion”,por në të vërtetë,është më shumë se kaq dhe më keq se kaq,është papërgjegjshmëri kombëtare.
Shumëkush mund të kërkojë një shpjegim për babëzinë e pakonkurrueshme që përkufizon pushtetarët shqiptarë,që janë njehsuar me korrupsionin,dhe normalisht,shumëkush duhet të kërkojë shpjegim se përse mungon kundërshtia publike,se përse nuk ekziston reaksioni i mirëfilltë publik përballë papërgjegjshmërisë tragjike të politikës,ndërkohë që,është kaq e madhe ashpërsia e rritjes së këtij fenomeni shkatërrues,në dëm të popullatës dhe në dëm të zhvillimit, sa pasojat rrjedhëse janë duke e shtyrë vendin drejt fatalitetit..
Kushdo qofshin arsyet,ne shqiptarët ngjajmë me ca krijesa veshëvarura, që kanë aftësinë e pabesueshme për të duruar e pranuar kamxhikët e padronëve në shpinë; kundërshtia nuk ekziston,mosbindja civile nuk ekziston,reaksioni nuk ekziston,me ne mund të bëjnë çfarë të duan. Mund të na lenë në varfëri,mund të na rritin çmimet; mund të ndërtojnë e prishin mbikalime sa të duan me paratë tona,askush nuk i ndalon; shteti mund të na gjobitë,të na mbledhë taksat,dhe ti prishë këto para në axhendat turistike të qeverisë;mund të na helmojnë ambientin dhe atmosferën,mund të na i lenë plehrat në rrugë,ndonëse paguajmë për ato; mund të na fyejnë policat në rrugë e të na vjedhin në dritën e diellit nëpunëset e gjendjes civile dhe infermieret; mund të na lenë pa energji elektrike,mund të na gënjejnë nëpër fushata,të na i sfilitin fëmijët nëpër shkolla,që shpesh janë si stalla; mund të na bëjnë shumë gjëra, dhe ne, kokëulurit, veshëvarurit, vetëm sa krenohemi për krenarinë e pushtetit që na shtyp por edhe për ambientimin tonë të papërsëritshëm.
Ekziston padyshim një indiferencë e s’qullët dhe e pafalshme në kulturën tonë.
Më shume se befasim,habi apo gjëmë, një ndjesi zhgënjimi e lodhur qytetare mund të jetë më së shumti ajo çka do provokohej lehtazi nga çdo histori e re korrupsioni e padrejtësie në vend dhe nga çdo abuzim historik me pasurinë popullore. Abuzimi dhe padrejtësia, por edhe ambientimi i popullatës me to, kanë shoqëruar pra papushim trnzicionin e mërzitshëm të Shqipërisë,aq sa, tashme, kjo gjë është kthyer në një rutinë sarkazëm. Në vetëdijen e njeriut shqiptar duket e organizuar qesëndisht një vetëmbrojtje instiktive ndaj paradokseve të ditës, por vetëm kaq, dhe kjo është fare e dukshme,nëse kemi parasysh që shoqëria civile, gjithnjë “e tërhequr në qoshe” ka tashmë aftësinë për të duruar e përballuar lajmet më të këqija të politikës, në pasivitet dhe me një qetësi të habitshme. Tek ne, edhe skandalet, edhe lajmet e ngecafytëse të ditës nuk kanë nevojë për stimulim mediatik, pasi është absolutisht e pamundur të gërvishtin seriozisht kureshtjen qytetare. Njeriu shqiptar ka zënë kallo ndaj çudirave më të mëdha, e merr gjithçka si ti vijë në kuriz... Duket sikur kemi të bëjmë më një lloj ambientim kombëtar gjithandej. Është një lloj ambientimi i rrezikshëm me padrejtësinë e pushtetit në tërësi. Asnjë çudi dhe asnjë padrejtësi nuk mund të bëjë më askënd të ulërijë, as pasanikët e rinj, as të punësuarit e thjeshtë, as lypsarët e rrugës.
Duket se ambientimi i popullatës me korrupsionin e ditës,me padrejtësitë e ditës, me pisllëqet e ditës, vërteton në mënyrë spontane se shqiptarët e urtë e kokulur, janë vazhdimisht duke i hedhur mjaft ujë verës së tyre përderisa janë duke pranuar vazhdimisht, në gjithë këta vjet tranzicioni, një mënyrë të tille qeverisjeje nga politikanë bandillë e banditë,që shpërdoruan pushtetin duke vjedhur e masakruar pasurinë kombëtare.
Pasurimi i shpejtë gati marramendës i klasës politike në Shqipëri, përballë katrahurës mbarëshqiptare,është dëshmia e hidhur por e sigurtë se, vizioni i mirëfilltë politik për një shoqëri evropiane të civilizuar është një dukuri e munguar te ne. Tej propagandës naive dhe euforike të tranzicionit, boshësia e mallkimit është diçka që dallohet qartë: ky popull vidhet përditë, gënjehet përditë, persekutohet përditë.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›