KLSH: “Shqipëria në terr, KESH-i trafikonte energjinë”
Raporti zbulon skemën antiligjore të shpërdorimit të energjisë për të rritur importin në vitin 2006.
Habjon Hasani
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërtetuar se në kulmin e krizës energjetike, të gjitha justifikimet e qeverisë për ”mungesën e reshjeve” kanë qenë pjesë e alibisë për të fshehur një aktivitet të organizuar të trafikimit të energjisë elektrike. Bëhet fjalë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2006, ku të dhënat e KLSH-së hedhin dritë mbi një sërë veprimesh të KESH-it, që nxjerrin zbuluar aktivitetin abuziv dhe trafikimin e energjisë. Nga të dhënat e prezantuara në raport zbërthehet skema e abuzimit, e cila është e fokusuar në tri faza. Në kushtet kur zyrtarët ”qaheshin” se nuk kishte reshje, ata kanë hapur kaskadën e Drinit, më tej, duke u justifikuar për nevojën e importit, rezulton se KESH-i paralelisht eksportonte energji në Kosovë dhe u ka shitur gjithashtu energji disa firmave të huaja. I gjithë ky operacion është kryer kur pjesa dërrmuese e vendit kishte mbi gjashtë orë mungesë energjie, ndërsa shumë biznese deklaruan gjendjen e tyre të vështirë. ”Theksojmë se gjatë periudhës 01.03.2006 - 31.05.2006” është importuar energji elektrike, në të njëjtën kohë është derdhur ujë në kaskadën e Drinit, duke mos shfrytëzuar 37.9 GW/h, veprim ky i cili ka sjellë efekt financiar negativ në vlerën 1 milion e 672 mijë euro. Gjithashtu, po në këtë periudhë është depozituar energjinë shoqëritë ”KEK” sasia 51.69 G///Ë/h, në shoqërinë ”EGL” sasia 6.744 GW/h dhe ”OST Elektra” sasia 8.995 GW/h, ose gjithsej 67.429 GW/h”, - shkruhet e zezë mbi të bardhë në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Skandali
Duket se viti 2006 ka qenë një ”shans i artë” për drejtuesit e KESH-it për të bërë ç’të donin me blerjet dhe importin e energjisë elektrike. Mes rreshtave të Kontrollit të Lartë të Shtetit lexohet qartazi se Enti Prokurues nuk kishte paracaktuar asnjë tabelë, e cila do të përcaktonte nevojat e vendit, duke i hapur rrugë importimit të sasive të pamasa të energjisë elektrike, ndërsa në të gjitha kontratat e lidhura (pa përjashtim) janë evidentuar shkelje dhe abuzime financiare, ku gjithnjë shifrat kanë qenë me nëntë zero në fund. ”Enti Prokurues nuk ka përgatitur një përshkrim të nevojave të tij lidhur me sasinë e energjisë dhe ftesa për ofertë dërguar kandidatëve nuk ka të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet Entit Prokurues, veprim ky që në kundërshtim me Ligjin nr. 79.71 datë 26.07.1995 ”Për prokurimin Publik”, veprim ky i cili ngarkon me përgjegjësi direkte ish-drejtoren e Drejtorisë së Prokurimeve, Juliana Lamaj dhe kryetarin e Entit Prokurues, Andi Beli”, - shkruhet në raport.
Kontrata
Pikërisht për të njëjtën periudhë kohore në të cilën është trafikuar energjia elektrike, KLSH-ja ka zbuluar dhe parregullsitë serioze në një prej kontratave më të mëdha që KESH-i kishte nënshkruar për importimin e energjisë elektrike. ”Kontrata e nënshkruar me shoqërinë ‘EZPADA’ s.r.o, me nr. prot. 9609, datë 31.12.2005, me vlerën 6 milionë e 269 mijë euro për blerjen e energjisë elektrike për periudhën nga 1 janari 2006 deri më 31 mars 2006, nuk ka parashikuar ulje të sasisë së blerjes së energjisë në situata pozitive hidroenergjetike. Pra Enti e ka favorizuar këtë shoqëri pasi çmimi i ofruar është +6.28 euro MW/h më i lartë se i shoqërive të tjera, ndërsa te kontratat e firmave të tjera ishte parashikuar ulja e sasisë së importit. Ky veprim bën me përgjegjësi drejtorin e Përgjithshëm, Andi Beli”, - nënvizon raporti i KLSH-së, i cili shpreh qartë operacionin antiligjor të drejtuesve të KESH-it për të blertë sa më shumë energji me çmim të lartë, në kushtet kur jo vetëm hapeshin kaskadat, por edhe kur vetë KESH-i shiste energji në disa drejtime. Vlen të rikujtohet se të gjitha këto operacione antiligjore janë kryer kur shqiptarët vuanin çdo ditë mungesën e zgjatur të energjisë elektrike.
Në vitin 2007, rreth 162 milionë euro energji u blenë pa inventar
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar se rreth 162 milionë euro, të akorduara nga qeveria shqiptare për blerjen e energjisë në vitin 2007, janë lëvruar në mënyrë të kundërligjshme dhe krejtësisht të pakontrolluar. Nga të dhënat konstatohet se shuma marramendëse prej 162 milionë eurosh është menaxhuar në mungesë të procedurave dhe të inventarëve, duke e kthyer të gjithë operacionin në një “oaz” të qetë për abuzime marramendëse. Kësisoj dhe dëmi është i pallogaritshëm, pasi që në zanafillë të prokurimit janë hasur mungesa të dorës së parë, siç janë procedurat dhe inventarët. Më konkretisht, bëhet fjalë për tenderin “Blerje 2.206,3 GW/h energji elektrike për periudhën 01.01.2007 - 31.12.2007”. Pas shqyrtimit të këtij prokurimi të bërë nga KESH-i në fund të vitit 2006, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në konkluzionin se edhe pse bëhet fjalë për një prokurim tejet të rëndësishëm dhe me shifra shumëmiliardëshe (162 milionë euro) për shpenzimin e këtyre lekëve nuk ka ekzistuar as dokumentacioni minimal, siç janë procedurat dhe inventarët. “Në këtë tender mungon regjistri i procedurave të prokurimit, veprim ky në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit, i cili ngarkon me përgjegjësi njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave”, - konkludon KLSH-ja. Më tej, në raportin special specifikohet se një mungesë tjetër po aq e rëndësishme lidhet edhe me mungesën e inventarëve, të cilët specifikojnë kanalizimin dhe shpërndarjen e shumës totale, duke e shndërruar në këtë mënyrë të gjithë tenderin në një “transaksion” jashtë çdo lloj kontrolli. “Dosja e tenderit është e painventarizuar, në kundërshtim me Udhëzimin e Këshillit të Ministrave Nr.1, datë 01.01.1996, “Për Prokurimin Publik”, veprim që ngarkon me përgjegjësi njësinë e prokurimit”, - shkruhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky tender, me vlerën prej afro 162 milionë eurosh, ishte tenderi që do të përcaktonte lidhjen e kontratave për blerjen e energjisë përgjatë gjithë vitit 2007, por sikurse dhe dihet viti 2007 rezultoi si një nga vitet me mungesën më të madhe të energjisë elektrike në vend, ndërsa së fundi zbulohet se prokurimi për blerjen e energjisë ka qenë jashtë çdo lloj kontrolli, qoftë ky edhe formal.
Skandali, kontratat lidheshin pasi ishte bërë pagesa
Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është vërtetuar se mungesat serioze (procedura dhe inventarë) gjatë prokurimit janë pasuar nga mungesa dhe veprime të ngjashme edhe në lidhjen e kontratave. E tillë është dhe kontrata e lidhur me kompaninë EFT, ku sipas KLSH-së, Korporata Elektroenergjetike i ka lëvruar një shumë prej 2.652 milionë eurosh kësaj kompanie në një kohë që kontrata ende nuk ishte nënshkruar. Të paktën ky veprim fakton se sasi të mëdha lekësh janë lëvruar në kundërshtim me të gjitha rregullat, ndërsa janë favorizuar në mënyrën më arbitrare të mundshme kompani të ndryshme. “Sigurimi i kontratës së kompanisë EFT, me nr. 13/KGB/2007, ref. nr. SAGT 174-142 1042, në bankën “CREDIT SWISSE, ZYRICH CH”, datë 30.01.2007, në vlerën 2,652,576 milionë euro, është kryer pas nënshkrimit të kontratës nga palët. Përveç kësaj, ky dokument nuk është origjinal dhe si i tillë rezulton i pavlefshëm”, - shkruhet në raportin e KLSH-së. Nga sa më sipër nënkuptohet qartë se jo vetëm kontrata është nënshkruar, pasi janë kryer veprimet financiare, por duket se dhe vetë kontrata nuk disponon të dhënat e një dokumenti origjinal dhe autentik, çka e kthen të gjithë pagesën në një operacion të paligjshëm, duke u shkaktuar shqiptarëve një dëm prej gati 2.5 milionë eurosh që në marrëveshjen e parë për blerjen e energjisë së vitit 2007. Nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatohet se për vite me radhë drejtuesit e KESH-it kanë ndjekur të njëjtat metoda antiligjore për blerjen e energjisë. Gazeta “Albania” do të zbardhë në ditët në vijim dhe të tjera prokurime të bëra në vitet 2005 dhe 2006, ku kontratat janë lidhur në mungesë të plotë të transparencës dhe në kundërshti të plotë me ligjin për prokurimet publike.
13 Shkurt 2008