E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzuar Pavarësia (e dizajnuar)

Agim Vuniqi

Problemi i Kosovës domosdo është pjesë e lojës "së rrëzimit të duarve", duke matur kështu muskujt e Perëndimit nga njëra anë dhe të Rusisë tashmë e më vonë, ndoshta edhe të Kinës nga ana tjetër. Edhe pse delikate, përgjigja në këtë temë është: Kosova do të përcaktojë të ardhmen e KS të OKB-së, ose do të ketë konsensus
në Këshillin e Sigurimit, ose vetë Këshilli i Sigurimit do të humbë rëndësinë e tashme të zgjidhjes së problemeve ndërkombëtare, duke zgjedhur rrugë të tjera alternative, si ajo e pranimit unilateral të pavarësisë së Kosovës, që do të rezultohet
nga shpallja e njëanshme e parlamentit, ide e cila do të realizohet javën që vjen sipas të gjitha parashikimeve.
Rusia e ndodhur në sanduiç, nuk do të ketë zgjidhje të shumta, prandaj domosdo do të pranojë politikën konstruktive të bashkëpunimit me BE-në dhe SHBA-në, ngase fundi-fundit, është
në interesin e vet Rusisë dhe në interesin e përgjithshëm ndërkombëtar, të gjitha alternativat tjera janë të paqëndrueshme. Prandaj, pavarësia që do të shpallet sipas planit të ri të Kombeve të Bashkuara ka më tepër karakter të ndarjes për lirimin e Kosovës nga sovraniteti serb, duke përcaktuar rrugën e pavarësisë hap pas hapi, jo pavarësi e plotë, është pra
përpjekje që ka mbështetje reale nga zhvillimet që kanë ndodhur deri më tash në Kosovë. Propozimi që i jep të drejtë Kosovës të hyjë në marrëveshje/marrëdhënie ndërkombëtare dhe të aplikojë për anëtarësim në organizata dhe institucione ndërkombëtare, duke përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, nuk do të kënaq krejtësisht interesat e popullit shumicë në Kosovë. Duhet të pritet që më vonë të ndryshojnë rrethanat në botë që Kosova të kandidohet për anëtarësim në OKB, duke përfituar nga aplikimi në Asamblenë e
Përgjithshme të OKB-së, duke e larguar atë nga lista e rreziqeve të një rajoni konfliktuoz që do të rrezikonte paqen rajonale dhe ndërkombëtare për ta liruar atë përfundimisht nga Këshilli i Sigurimit, pra priten më vonë aktivitetet (disavjeçare) diplomatike të pavarësimit të plotë dhe pa kushte, çdo zgjidhje tjetër realisht është barrë e rëndë për popullatën vendore që e pret lirinë dhe ndarjen përfundimtare nga zinxhiri kolonial i Serbisë. Por, edhe pse politika dhe drejtësia janë shpesh
në përballje, ngase politika udhëhiqet edhe nga interesat nacionale të shteteve të involvuara, si në Grupin e Kontaktit ashtu edhe në atë të KS, patjetër duhet të ketë pajtueshmëri
normash etike dhe morale, ngase është në pyetje prestigjoziteti
i politikës së drejtë amerikane në botë i drejtuar nga presidenti
amerikan George W. Bush, kjo ka qenë e qartë që nga fillimi, ky realitet nuk ka qenë i papritur as për serbët por as për rusët. Realisht "pavarësia e mbikëqyrur" e projektuar nga evroperëndimorët ka për qëllim edhe relaksionin e raporteve në
rajon, duke motivuar vendet për një partneritet të mëvonshëm dhe në realizimin e të drejtave për "shtetësi të dyfishtë" (këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar qytetarët në ish republikat Jugosllave, gjatë procesit të ndarjes, me vullnet) dhe kërkon nga Prishtina që të vendosë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe shtetet
tjera fqinje. Po ashtu, Kosova parashihet se do të marrë pjesën e vet nga asetet ekonomike dhe borxhet që dikur i kanë takuar ish – Jugosllavisë dhe Serbisë. Përfshihen edhe shumë detaje tjera si pjesë e Marrëveshjes së përcaktuar nga "Plani Ahtisaari" siç janë ato për të drejtat e veçanta të komunitetit serb, ku përmenden kontrolli i konsiderueshëm në drejtimin e policisë lokale
si dhe e drejta që të mbahen disa lidhje direkt me Beogradin – duke parashikuar që paratë nga Beogradi do të qarkullojnë përmes Prishtinës. Po ashtu, do të themelohen Zona të Mbrojtura rreth lokacioneve me vlera religjioze ortodokse-serbe.
Mbetet e hapur, nëse këto zona do të paraqiten si entitete dhe nën nën kontrollin e kujt do të jenë ato?
Do të jetë plotësisht e paqartë sa do të ketë ndikim pushteti vendor mbi to dhe kush do të ketë kontrollin e sigurisë, sigurisht që Serbia do të përpiqet të mbaj pezull si pjesë e kontrollit të saj duke shfrytëzuar autoqefalitetin e Kishës Ortodokse të Serbisë, direkt nga Beogradit, probleme të kësaj natyre ka pasur vazhdimisht Maqedonia dhe Mali i Zi.
Nga politizimet e rrezikshme të Kishës Ortodokse Greke nuk është
kursyer as Shqipëria, e cila krijon probleme ndërshtetërore sa herë që i konvenon politikës greke, kur ngrihet problemi çam. Prishtina zyrtare edhe pse e heshtur ka kuptuar këtë fakt, por e mban zvarrë, dhe jashtë publikut, nuk do të shuhet rreziku i krijimit dhe mbajtjes nën sundim të entitet serb nga Beogradi, që
do të shtonte pareshtur përpjekjet e serbëve në veri që të ndajnë Kosovën në dy pjesë, do ta kenë shumë vështirë institucionet që burojnë nga Marrëveshja-Pavarësia e Mbikëqyrur
që të përballen me këtë problem pa përkrahjen e fuqishme të
evro-amerikanëve edhe në të ardhmen. Edhe pse definitivisht shumë
gjëra mbesin të pasqaruara, ka vend për disponim festiv, meqë përfundimisht edhe zyrtarisht Kosova po shkëputet nga dominimi kolonial shekullor nga Serbia. Shqiptarët nuk pranuan asnjëherë gjatë historisë të shtrijnë qafën në cung dhe të pranojnë çfarëdo zgjidhje përveç atë që është e pranueshme dhe që shpreh vullnetin e shumicës së qytetarëve, ngase është në kundërshtim me teorinë mbi demokracinë, vlera në të cilat bazohet humanizmi dhe drejtësia e sotme perëndimore, se pa liri të plotë nuk ka jetë,
kjo është plotësisht e kuptueshme.

(Marrë nga Express)

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›