Kurat, terapitë dhe maskat për trajtimin e akneve të fytyrës
Aknet janë një sëmundje e mirëfilltë e lëkurës dhe si e tillë duhet kuruar. Në estetikë ky fenomen quhet “lulëzim”. Trajtat e akneve ndryshojnë dhe variojnë nga karakteristikat dhe përmasat. Ato mund të shfaqen në moshën e pubertetit, por nuk janë të pakta rastet e shfaqjes së tyre edhe në moshat më të mëdha, në disa raste edhe te gratë në fillim të menopauzës. Kjo dermatozë mund të shfaqet vetë krejt papritur dhe po kështu mund të zhduket. Terapitë korrektuese të akneve ndihmojnë zonën problematike për të eliminuar aknet e dukshme dhe për të parandaluar aknet e reja. Gjithashtu ndihmon në rigjenerimin e lëkurës, pasi në disa raste rrezikon të mbetet me shenja të thella.
Formimi
Gjatë adoleshencës, fluksi i hormoneve arrin deri në superprodhim dhe në rastet më të shpeshta mosbalancimi i tyre është njëri nga shkaqet. Zonat yndyrore akumulohen në folikul (shtrati i qimes). Yndyra krijon një substancë që quhet SEBO, i cili shtohet në lëkurën e fytyrës duke dalë nga folikuli në sipërfaqen e lëkurës. Në zonën e folikulës ku ndodhet qelbi zhvillohen baktere, të cilat çlirojnë kimikate që stimulojnë inflamim dhe hapjen e folikulës. Qelbi dhe bakteret shkaktojnë skuqjen e lëkurës.
Etapat
Faza fillestare karakterizohet nga pikat e zeza (komendonët), të cilat shërbejnë si tapa që bllokojnë daljen jashtë të sekrecioneve. Rezultati është një reliev që i detyrohet këtij sekrecioni, që nuk mund të shkarkohet dhe grumbullohet duke shkaktuar aknet. Ky është efekt i hiperprodhimit të qelbit nën fluksin hormonal. Në fazën e dytë krijohet inflamacion lokal i përbërë nga koloni bakteresh. Faza e tretë quhet nodulicistit. Këtu krijohen pikërisht nodule që janë shumë më të vështira se puçrrat dhe për më tepër lënë shenja të paevitueshme në lëkurë. Në moshën adulte mund të shfaqen aknet e përskuqura veçanërisht te konsumatorët e duhanit.
Ekzaminimi
Është e domosdoshme të ekzaminohen. Nuk duhet pritur të zhduken vetë, sepse lënë shenja të dukshme në lëkurë. Meshkujt me këtë problem duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e aksesorëve të rrojës dhe produkteve në mënyrë që ato të jenë sa më të përshtatshme dhe cilësore. Makinat e rrojës duhen përdorur me delikatesë. Terapitë me antibiotikë si tetraciklina, eritromicina etj. këshillohen për raste të rënda, sidomos kur shpërndarja e tyre përfshin veç fytyrës, shpinën dhe kraharorin. Antibiotikët oralë reduktojnë bakteret në folikul dhe ulin skuqjet, por gjatë këtyre terapive shumë femra rrezikohen nga infeksionet vaginale. Në këtë rast ndërpritet kura. Ekspozimet në diell mund t’i maskojnë aknet, por përfitimet janë të përkohshme. Mania e “pjekjes në diell” është me pasoja. Larjet e shpeshta dhe energjike të fytyrës si dhe përdorimi i larësve që çojnë në tejtharje të sekrecioneve yndyrore shkakton pasoja të paevitueshme në lëkurë. Të gjitha terapitë funksionojnë në mënyrë të tillë që të parandalojnë aknet e reja. Pas çdo terapie mbeten shenja pavarësisht nga kujdesi e korrektësia e specialistit. Këto gjurmë zhduken gradualisht me rigjenerimin e lëkurës, të paktën një muaj më pas. Terapitë ose konkluzionet i vendos specialisti.
Terapia
Është e rëndësishme të personalizohet trajtimi, i cili kalon përmes disa seancave. Këto seanca përcaktohen që në takimin e parë me klientin. Terapinë në institut e merr përsipër plotësisht specialisti-estet, ndërsa terapinë e pavarur në shtëpi vetë klienti. Është e rëndësishme të dihet se terapia e pavarur nxit efektin e terapisë në institut, kështu është konceptuar. Kjo terapi është e vendosur në një sistem seti dhe quhet terapi korrektuese. Në fillim të terapisë mund të operohet me seanca sulmi e më pas periodikisht në rend të përjavshëm. Në rastet kritike aplikohen deri në 10 seanca. Produktet e paketës aplikohen të alternuara sipas instruksioneve dhe të gjitha penetrojnë në thellësi të lëkurës, në sajë të përbërjes së tyre organike. Ato balancojnë superprodhimin e yndyrës dhe qetësojnë aknet. Lëkura nuk ndriçon më si më parë, por efekti mat i jep shkëlqim natyral. Pas terapisë mbeten gjurmë të lehta në lëkurë, të cilat ndihmohen nga një krem i posaçëm riparues dhe balancues njëkohësisht. Kësaj terapie nuk mund t’i nënshtrohemi në çdo stinë të vitit. Gratë shtatzëna përjashtohen nga terapia. Gjatë terapisë nuk mund të marrim seanca solari apo të përdorim produkte të çfarëdoshme pa sugjerimin e estetistes, për shkak se lëkura është tepër e ndjeshme në këtë fazë. Edhe përdorimi i lazerit gjatë terapisë është i ndaluar kategorikisht.
Trajtimi
Maskë me rrush
Rrushi përveçse është një frut shumë i shijshëm, përmban përbërës të ndryshëm që mund ta ndihmojnë lëkurën për të qenë më e bukur dhe për të përmirësuar pamjen e saj. Rrushi është ideal për të hidratuar, për të ushqyer dhe tonifikuar që në fakt janë elementët idealë për një lëkurë të pjekur ose shumë të thatë. Ai ndihmon në parandalimin e plakjes së lëkurës, ka një efekt frenues dhe dobësues ndaj dhe shumë anticelulitë e përmbajnë, ai ndihmon për të eliminuar fryrjet e këmbëve dhe problemet e qarkullimit të gjakut, gjithashtu ka dhe funksion pastrues. Të gjithë këta elementë janë të pranishëm te tuli, farat dhe te lëkura e rrushit. Lani mirë 10 kokrra rrush. Shtypini me një pirun derisa të bëhen një masë e qullët. Lani mirë fytyrën dhe qafën. Vendosni qullin mbi fytyrë dhe mbi qafë. Lëreni të veprojë për një periudhë 25 minuta. Hiqni tulin dhe shpëlani me kujdes fytyrën me ujë të vakët.
Maskë me pjeshkë e kastravec
Lajeni fytyrën me pastruesin tuaj të preferuar dhe ujë të ngrohtë që t’ju hapen mirë poret. Merrni 2-3 kokrra pjeshkë. I prisni në feta të thella të holla, aq sa të mundeni. Fërkojeni fytyrën shumë mirë me këtë masë duke qëndruar në pozicion të shtrirë. Maskën e mbani në fytyrë deri në 20 minuta. Ndërsa masa e pjeshkës qëndron në fytyrë, mbyllni sytë dhe vendosni masën e kastravecit mbi qepalla. Mundësisht qetësohuni në një ambient ose dhomë më vete, larg zhurmave të familjes dhe vini në CD player ndonjë muzikë qetësuese. Ky është trajtim antistres. Në fund shpëlajeni lëkurën lehtë me ujë të ftohtë.
Shkaqet
Faktorët gjenetikë
Faktorët psikologjikë (situatat e stresit emotiv)
Vështirësitë në tretje
Përdorimi i kozmetikës së papërshtatshme (produkte joprofesionale të cilësisë së dobët)
Fluksi hormonal
Ushqyerja e keqe: yndyrat, salcat pikante, dieta e varfër në perime
Këshilla
Mos ndërhyni me duar në puçrra ose në pikat e zeza sepse ato janë shenja inflamacioni
Shtypja është e rrezikshme nëse ndërhyrja bëhet në mënyrë të gabuar
Kjo lloj traume nuk bën tjetër veçse përkeqëson gjendjen e lëkurës
Trajtoni fytyrën me produkte cilësore me përbërës organikë si: kamomil, kamfor, kalendula etj
Lani duart përpara aplikimit
Zgjidhni kozmetikë profesionale
Evitoni Fast-Food-et dhe ushqimet e skuqura, janë armiq të betuar të lëkurës.
Preferoni fruta e ushqime të freskëta
Merrni vitaminat A, C, E
Mos përdorni sapun kundër yndyrës
Në këto raste, gjëndrat reagojnë duke prodhuar yndyrë në sasi
Përdorni drithëra, vaj ulliri, kos, fruta, perime, prodhime deti
Pini shumë ujë pa gaz, është mënyra më e mirë për të hidratuar lëkurën
Kujdes nga flokët e gjatë
Në kushtet e një higjiene të keqe, ato mund të jenë bartës bakteresh dhe në kontakt me lëkurën keqësojnë gjendjen e saj duke stimuluar infeksionet
Të reja nga shkenca/ Parfumi i tepërt shkakton depresion
Gratë që vendosin tepër parfum në trupin e tyre ndoshta vuajnë nga depresioni, - këtë kanë zbuluar hulumtimet e fundit shkencore. Në fakt, shqisa e të nuhaturit është e dobësuar te njerëzit që vuajnë nga disa sëmundje. Aftësia e zvogëluar e shqisave duhet të jetë vërejtje që po vuani nga diçka, - porositin shkencëtarët nga universiteti në Tel Aviv. Hulumtuesit thonë se depresioni, përpos që është çrregullim psikologjik, ka edhe shkaqe e pasoja biologjike. Në fakt, ata kanë vërtetuar që pacientëve me depresion u janë zvogëluar aftësitë olfaktore, ndërsa me përmirësimin e gjendjes mentale edhe ato janë përmirësuar. Profesori Yehuda Shoenfeld nga universiteti në Tel Aviv, ekspert për sëmundje autoimune siç janë artriti, lupusi apo reuma, të cilat zhvillohen kur trupi sulmon qelizat e tij, ka zbuluar se auto-antitrupat mund të sulmojnë sistemin olfaktor dhe të zvogëlojnë mundësinë e ndjenjës së aromës. Këto zbulime mund të zbatohen edhe në pacientë të tjerë e jo vetëm tek ata që lëngojnë nga sëmundjet autoimune. Mirëpo edhe nga më herët është e njohur që aromat mund të ndikojnë fuqishëm në disponim dhe dihet që edhe tregtarët i përdorin ato për të nxitur klientët e tyre për të blerë.
Përgatiti: JONIDA TASHI
13 Shkurt 2008