Emri i Bajram Currit!
Personazh/ Profili i luftëtarit të quajtur “kreshniku Curr” në përvjetorin e vrasjes
Ishte 29 marsi i vitit 1925, kur u vra një nga emrat më patriotikë të vendit, Bajram Curri. Mars 1967. Në mars të ’67-s janë zbuluar për herë të parë materiale në 12 faqe të daktilografuara, Prof. Z. Rexha hidhte dritë mbi këtë figurë të madhe, që nga prejardhja e tij dhe derisa u vra në Shpellën e Dragobisë, 84 vjet më parë
Bajram Curri është emri që nxit kërshëri sa herë përmendet emri i tij, për patriotizmin, si bir i Kosovës dhe i Shqipërisë, dhe profilin e tij luftarak. Lindi në vitin 1862, në një karrocë në Krushën e Madhe, gjatë rrugës për në qytetin e Prizrenit. Pushtuesit osmanë po i internonin familjen, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), si hakmarrje ndaj qëndresës antiosmane të babait të tij, Shaqir Currit. Erdhi në jetë "i burgosur", por kurrë burgun nuk e pa me sy, edhe pse armiqtë e ndoqën tërë jetën.
1.
Rasti e ka sjellë që gjatë jetës jam njohur nga afër me bashkëshorten e tij, kreshniken Dervishe ose “Ajkunën”, siç e quante vetë Bajram Curri. Por kam njohur nga afër dhe bijat e tij, nënë Feriden e nënë Hajrinë dhe mbesat, Valdetin e Mimozën. Kur shkoja për ndonjë arsye timen në Shkodër, gjeja kohë e kthehesha në banesën e tyre mikpritëse.
Deri para dy vjetësh, derisa u nda nga kjo jetë, aty jetonte e moshuar dhe nënë Hajria. Sigurisht, temë e bisedave tona ishte dhe babai i saj, “Heroi i Popullit” Bajram Curri. Ndër të tjera, aty janë rikujtuar tregimet e babait tim për të dhe të mjaft banorëve, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
Ndërsa, kur kisha menduar të shkruaja për ta përkujtuar këtë figurë madhore të historisë sonë kombëtare, u takova në Tiranë me studiuesen Lumturi Ristani (Përnaska). Ndër të tjera, ajo kishte fotokopjuar një dokument interesant. Ishte një bisedë e bërë nga historiani e “Mësuesi i Popullit” Zekeria Rexha, me mësuesit e nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet, me rastin e 42-vjetorit të vdekjes së Bajram Currit, pra në mars 1967.
Në këtë material, në 12 faqe të daktilografuara, Prof. Z. Rexha hidhte dritë mbi këtë figurë të madhe, që nga prejardhja e tij dhe derisa u vra në Shpellën e Dragobisë, 84 vjet më parë.
2.
Siç tregonin bashkëkohësit, që në rininë e tij, Bajram Curri u dallua për zgjuarsi dhe gjallëri. Bashkëmoshatarët dhe ata që e njohën nga afër, tregonin se qysh 10-12 vjeç i pëlqente të stërvitej me kalë dhe të godiste shenjën me gurë e më vonë me armë. I edukuar me ndjenjat atdhetare në gjirin e familjes, urrejtja për pushtuesit dhe çdo lloj armiku, iu kthye në nevojë jetësore.
Megjithëse provoi disa fatkeqësi familjare, Bajrami nuk e dha veten. Përkundrazi, gjeti forca për të punuar e luftuar më shumë për atdheun. Nënë Feride Curri më tregonte: "Babës i vdiqën dy vëllezër, djem e vajza, por nuk u ligështua. Përkundrazi, u jepte forcë e zemër njerëzve, kur kishin halle. Më shumë kujdesej për të tjerët sesa për vete. Baba ka patur muhabet të mirë, të shtruar dhe kurrë nuk rrinte pa shokë e dashamirë. Asnjëherë nuk ishte me nerva të ngritura në jetën familjare e shoqërore dhe nuk dëshironte t'i dëgjonte të tjerët të bënin shamatë. Ishte shakaxhi dhe i pëlqenin kënga e muzika popullore. Zërin e kishte të bukur, melodioz; mendjen të hollë dhe ishte shumë zemërgjerë".
Bajram Curri nuk pati shkollë, por ishte mjaft i zgjuar nga natyra dhe arsimdashës. Me kujdesin e tij, u çelën shkolla shqipe në: Gjakovë (më 1915), në Malësinë e Gjakovës dhe në Has e Lumë etj., në vitet '20 të shekullit të kaluar. Me dhjetëra djem kosovarë i dërgoi për të vazhduar mësimet në Shkup, Kolgecaj e Krumë, në Tiranë dhe Elbasan. Duke vlerësuar lart ndihmesën e tij në këtë fushë, në Kongresin e Arsimtarëve të Tiranës (më 1924), atë e zgjodhën kryetar nderi etj. Siç e fiksuan studentët shqiptarë në një fotografi, tashmë të njohur, Bacë Bajrami pati si moto të jetës së tij: "Një për të gjithë, të gjithë për një".
3.
Qysh në rini, Bajram Curri doli në ballë të qëndresës popullore kundër pushtuesve otomanë. Në Malësinë e Gjakovës ai mblodhi rreth vetes një çetë me luftëtarë të vendosur dhe u ndesh me ushtrinë e Mustafa Pashës, duke i penguar që ta nënshtronin atë krahinë liridashëse dhe të mblidhnin rekrutë e taksa të shumta. Kjo veprimtari i shqetësoi pushtuesit, prandaj u përpoqën që ta afronin atë me mënyra të ndryshme e duke i bërë lajka. Por atdhetari i madh nuk e ndërroi asnjëherë mendjen, pra qëndroi i vendosur në luftën e tij të drejtë.
Kryengritjet e mëdha antisomane të viteve 1910-1912 ngritën peshë zemrat e qindra e mijëra luftëtarëve, në Kosovë e kudo në Shqipëri. Veçanërisht është e njohur veprimtaria e Bajram Currit gjatë kësaj periudhe, në krye të forcave kryengritëse të krahinave veriore, si Gash, Krasniqe, Bytyç, Nikaj-Mërtur, Shalë etj. Një qëndresë të pashoqe u bën pushtuesve në Qafën e Morinës dhe në prita të tjera, kur sulmoi ushtria e gjeneralit gjakatar Durgut Pasha. Ndërsa në Qafën e Prushit (ku të parët tanë farkëtonin armët kundër pushtuesve) armiqtë lanë shumë të vrarë e të plagosur. Me guxim udhëhoqi luftimet për mbrojtjen e trojeve shqiptare edhe kundër pushtuesve serbo-malazezë.
Veprimtaria e tij luftarake u bë e njohur kudo ku flitej shqipja, por dhe ndërmjet armiqve. Janë mjaft domethënëse fjalët e B. Currit, sipas bashkëluftëtarit të tij, atdhetarit Hasan Prishtina: "Asht nji detyrë e shenjtë për me luftue kundra çdo anmiku dhe mos me pasë aspak pushkë. Lufta na u ka ba detyrë. Pra, duhet t'u dalim zot të drejtave tona dhe të shpëtojmë prej robnisë". Synim të jetës së vet kishte dhe edukimin e brezit të ri me virtytet më të larta të shqiptarizmit. Kështu, bashkëkohësit tregojnë se u drejtohej kështu të rinjve: "Merrni vesh, djemtë e mij: Kur një djalë shqiptar nuk ka besë e nder, kur nuk e do vatanin e vet dhe nuk vdes për të, ai nuk është shqiptar, ai është më e fundit vrimë e kavallit (fyellit)".
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Bajram Curri e priti me gëzim të madh. Por përsëri nuk e reshti luftën e tij të vendosur kundër armiqve, ndaj synimeve të serbomëdhenjve dhe të shteteve të tjera shoviniste. Mbështeti fuqimisht qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë dhe më pas atë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, e cila e emëroi Ministër pa Portofol dhe komandant të Forcave Kombëtare. Duke e përshëndetur këtë gjë, përfaqësues të popullit i shkruanin ato ditë:" E gjendmja e një burri me shpirt të thjeshtë, kombëtar, na jep një shpresë të madhe për Shqipërinë". Ndërsa në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924, Bajram Curri luajti rol vendimtar. Ai udhëhoqi afër 2000 forca kryengritëse, të cilët hynë me triumf në Tiranë.
4.
Por edhe pas dështimit të këtij revolucioni, ai e vazhdoi qëndresën e vendosur në malet e Veriut të Shqipërisë, në mbrojtje të idealeve demokratike. Atje gjeti strehë të sigurt dhe përkrahje të gjithanshme nga malësorët trima e liridashës. Kudo la mbresa të pashlyera dhe te secili gjeti besnikë për kokë. Prandaj nuk është e rastit që, sa e sa familje atdhetare e bujare në Malësinë e Gjakovës, Dukagjin, Has, Lumë, Pukë, Dibër a gjetiu, e kujtojnë atë edhe sot e kësaj dite si mik e bashkëluftëtar të paharruar të shtëpive të tyre. Një bashkëkohës tregonte për "kreshnikun Curr":
"Bajrami ishte burrë i pashëm, trupmadh, si lisi me rrema. Ta fitonte zemrën me thjeshtësi, urtësi e dashuri. Fliste me cilindo, bile edhe me fëmijët e gratë e moshuara. Ta dinte nderën e ishte mikpritës. Këtë gjë e kam provuar tek ai edhe vetë unë..."
Armiqtë e gjurmonin ta kapnin të gjallë, por nuk ia arritën dot qëllimit. Mjaft shtëpi malësorësh u bastisën në atë dimër të egër të fillimvitit 1925. Por nuk treguan asgjë për vendndodhjen e tij.
Sapo përmendim këto fjalë, menjëherë na bien ndërmend vargjet lapidar të një elegjie të njohur: "Thon' u shtri e thonë u vra,/ po ti s' vdiqe, or Baba,/ as te Shkëmb' i Dragobisë,/ as te zemër' e djalërisë..." I shkroi me dhimbje e pasion Fan Noli, në përkujtim të "tribunit të vegjëlisë", Bajram Curri.
Po si kishte ndodhur ajo epope legjendare? Siç thamë, armiqtë e ndiqnin Bajram Currin. Ai gjeti strehë në Alpet e Shqipërisë, bashkë me luftëtarët e vet besnikë. Shpella e Dragobisë u bë istikam i sigurt për të, derisa e rrethuan nga të gjitha anët. Atëherë, ai gjeti një shteg kalimi e u nis drejt një vatre mikpritëse të atij fshati. Por, papritmas, u ndesh në forcat armike. Ata qëllonin, por nuk donin ta vrisnin, se Kryeministri serb, Pashiq, "hajni", në bashkëpunim me tradhtarët vendas, kishin vënë shuma të mëdha, 10 mijë franga ari, si shpërblim për atë që do ta kapte të gjallë Kryetrimin. Lufta u bë e ashpër ndërmjet Bajram Currit, me pak veta dhe kundërshtarëve, që shkonin në front luftimi.
Ishte 29 marsi i vitit 1925. Fillim pranvere. Bjeshkët kreshnike gjëmuan nga armët e paulura të "Dragoit të Dragobisë". Por zogjtë e malit përhapën lajmin tragjik, "ma të idhtë se zana", se më në fund, kishte rënë "lisi me rrema". Ushtimën e tij e përhapën me dhimbje të pazakontë valët e Valbonës ujëkaltër dhe Alpet e mbuluara me borë të përhershme. Ndërsa rapsodi popullor e përjetësoi me vargje të dhimbshme e krenare: "Bajram Curr, o Bajram Curr,/ emri yt s' harrohet kurrë!/ Të kujton gjithnjë Shqipëria,/ s'të harron përjetë Kosova..." Shumë epitete e fjalë nderimi e vlerësimi i kanë bërë Bacë Bajramit, duke e quajtur: "Fatosi i lirisë së Shqipërisë", "Dragoi i Dragobisë", "Babai i vegjëlisë", "Shqiponja e maleve shqiptare" etj. Emri i tij është përjetësuar në shumë shkolla e rrugë, në Shqipëri e në Kosovë dhe në qytetin alpin, Bajram Curri.
Trupi vigan i Bajram Currit u mbulua me flamurin e lavdisë shqiptare; ai u kthye në simbol lirie e në përmendore të bardhë, e cila përherë i fton brezat për atdhetarizëm, guxim e trimëri.