Për të mbushur distancën mes statistikave dhe mitingjeve
Për të dytën herë radhazi, një qendër sondazhesh, e provuar si shumë serioze në Shqipëri, ka nxjerrë fituese në zgjedhjet e qershorit Partinë Demokratike. Rezultati i saj nuk përbën ndonjë surprizë të madhe, pasi argumentet e PD-së për të ruajtur edhe një mandat tjetër qeverisës, janë të bollshme, kanë krijuar një linjë komunikimi të përditshme me qytetarët dhe qeverisja e Berishës perceptohet si më e mira dhe ndër qeveritë e pas ‘97-s, qoftë për nga arritjet e saj në fushën ekonomike, qoftë për qasjen që ajo ka bërë ndaj sfidave me të cilat është përballur vendi.
Por rezultati i sondazheve bëhet i diskutueshëm jo vetëm për shkak të relativitetit që kanë këto shifra, por për arsye se ndër dy sondazhet e publikuara nga qendra “Gani Bobi”, sondazhi i dytë lajmëron ngushtimin e diferencës mes PD-së dhe PS-së.
A është një moment për të reflektuar lidhur me këtë ndryshim që nuk tejkalon thelbin, pra nuk ndryshon fituesi, por ndryshojnë përmasat në fitoren e pritshme? A i duhet kushtuar vëmendje kësaj zbritjeje në shifra të PD-së dhe cilat janë arsyet që duhen konsideruar në mënyrë që votat në zbritje të mos krijojnë trend?
Pak a shumë, është momenti kur PD-ja duhet t’i kthehet skemës elektorale të të bërit fushatë dhe të kthejë suksesin qeverisës në sukses elektoral. Deri tani fushata e mazhorancës për sukseset e saj gjatë qeverisjes kanë krijuar një axhendë të ngjeshur, por shpeshherë pa surpriza. Investimet e jashtëzakonshme të qeverisë “Berisha” përgjatë katër viteve si dhe projektimet për mandatin e dytë janë të bollshme, por herë pas here nuk funksionojnë si suksese elektorale, nuk ngjiten mirë me strategjitë e qeverisë që janë implementuar apo me ato që do të implementohen. Duket se ka nevojë për një sistemim të suksesit me qëllim nxjerrjen e tyre nga rrëmuja dhe futjen në kolona të veçanta që secila veç e veç kontribuon në një strategji të caktuar, duke na dhënë mundësi ne qytetarëve që të bëjmë një matje më të thjeshtë dhe më të kapshme të bilancit të ekipit të Berishës rreth atyre çfarë ka bërë si dhe kapaciteteve që ajo ofron për të qeverisur mirë dhe qytetarisht vendin edhe për katër vite të tjera.
Promocionet e ministrive në fushata publicitare janë një model i mirë për t’u rimarrë tashmë në një trajtë tjetër, jo thjesht si specifikime të arritjeve menaxheriale të institucioneve të ndryshme, por alternim i tyre me konceptet politike të qeverisjes së djathtë, ndërfutjen mes menaxhimit dhe aplikimit të politikave të suksesshme.
Duket se ka një distancë të madhe në skema mes këtyre promocioneve që faktojnë arritjet e qeverisë nëpërmjet shifrave dhe konfirmojnë menaxhimin e mirë të administratës dhe entuziazmit elektoral që ndërtojnë takimet, përurimet dhe premtimet e tjera. Kjo distancë nuk do të thotë që duhet ndryshuar, pra të kemi ose përfaqësim menaxherial, ose përfaqësim politik. Që të dyja, me disa korrigjime të natyrës elektorale, qëndrojnë mirë. Problemi është që kjo distancë mes tyre do të mos jetë boshllëk, por të mbushet.
Është e mundur që kjo pjesë e zbrazët në një fushatë elektorale të ketë prodhuar ngushtimin e distancës mes PD-së e PS-së gjatë muajit shkurt, pa llogaritur edhe aksesin e ndonjë zyrtari të lartë të qeverisë që mund të ketë prodhuar sërish mëdyshje pikërisht tek qytetarët e pavendosur, por me një trend drejt së djathtës.
Ndërkaq, PD-ja duhet të ketë parasysh në strategjinë e saj elektorale edhe një përqindje të mirë qytetarësh që janë deklaruar se nuk do të votojnë dhe nuk janë pak, rreth 15 për qind. Të tillë ka gjithnjë dhe asnjëherë nuk bëhen zero për shumë e shumë arsye. Por në rastet kur një partie apo koalicioni i duhen pak votues më shumë për të garantuar fitoren, atëherë kjo pjesë është pasuri e rrallë. Aq më lehtë bëhet kjo nëse e dimë prej nga çfarë shtresash vijnë ata që nuk shkojnë në votime, duke u dhënë mundësinë partive të krijojnë një hapësirë elektorale për ta. Ky grup, nëse shkon në votime, hedh votën për atë parti që e bind të shkojë dhe kjo bindje ndërtohet përgjatë fushatës e nuk ka të bëjë shumë me sukseset e arritura apo arritjet e premtuara. Kjo situatë pro votimit krijohet më së shumti tek ajo distancë mes statistikave dhe mitingjeve, duke krijuar ide të reja apo gjetje surprizë që “lehtësojnë” marrjen e vendimit politik tek qytetarët e painteresuar.