KfW financon 9.75 milionë euro për furnizimin me ujë të zonave rurale
Banka Gjermane KfW, me një kredi prej 9.75 milionë eurosh, do të financojë projektin "Programi rural i furnizimit me ujë të zonave rurale", që do të shtrihet në disa qarqe të vendit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, zbatues i këtij projekti, organizoi dje në Tiranë një workshop për prezantimin e fazës përgatitore të programit, i cili konsiston në ndërtimin e rreth 40-50 ujësjellësve ruralë, duke kontribuar në përmirësimin e jetesës së 40.000-50.000 banorëve në këto zona. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Financave, përfaqësues të lartë të KfW-së, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve, Shoqatës së Komunave, si edhe aktorë të tjerë të përfshirë në realizimin e këtij projekti. Gjatë fjalës së tij, drejtori ekzekutiv i FSHZH-së, Benet Beci, theksoi: "FSHZH nga viti 1999 deri më 2006 ka implementuar 80 projekte infrastrukturore dhe sociale të financuara nga KfW, në tre programe të ndryshme me vlerë totale 9.5 milionë euro". “Ky program i ri, - tha ai, - është ndërtuar për t’iu përgjigjur nevojave bazë njerëzore, të cilat përfshijnë ujë të pastër e të rrjedhshëm, kushte të mira shëndetësore dhe infrastrukturë rurale". Sipas tij, projekti do të shtrihet në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër, të njohura si zona me nivel të lartë të varfërisë, me një nivel shumë të ulët të cilësisë së jetës, si dhe me mungesa të theksuara në infrastrukturën publike dhe shërbimet që lidhen me to.